E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia përdor vizat për shfrytëzimin e detit Jon për gjetjen e naftës



Shteti fqinj, Greqia, po përdor si presion për Shqipërinë çështjen e liberalizimit të vizave dhe procesin integrues në BE, ndërsa ka vendosur të shfrytëzojë edhe pa marrëveshje ujërat territoriale shqiptare. Greqia paralajmëron se do të nisë shfrytëzimin e rezervave të mundshme të naftës në detin e Jonit në pjesën kufitare më Shqipërinë. Burime nga Ministria e Jashtme e Greqisë kanë bërë të ditur se Greqia do të bëjë kërkime edhe në detin Egje, por fillimisht do të nisë projektin në ujërat e Jonit, pasi qeveria e vendit fqinj mendon se do ta ketë më të lehtë me Shqipërinë. Burime zyrtare thanë se për këtë qëllim qeveria greke ka krijuar një komision të posaçëm për menaxhimin e rezervave minerare, i cili pritet të fillojë nga puna brenda pak ditëve. Ky komision do të përbëhet prej eksperteve gjeologë, specialistë të kërkimeve sizmike, përfaqësues të partive politike, ekspertë juridike, punonjësve të Ministrisë së Jashtme dhe shërbimeve sekrete. Të gjithë anëtarët e këtij komisioni duhet të deklarojnë pasurinë e tyre deri në brezin e tretë familjar, edhe përgjatë pesë viteve pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar që ata do të marrin nga Parlamenti. Synimi i këtij komisioni është evidentimi i rezervave të naftës në Jon dhe Egje, gjetja e rezervave minerare në gjithë territorin dhe dhënia e lejeve të shfrytëzimit të këtyre rezervave. Kërkimet do të nisin nga pjesa e veriore e detit Jon, pikërisht në kufi me Shqipërinë. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme thanë se qeveria greke mendon se bisedimet me Shqipërinë konsiderohen më të lehta. Sipas tyre, pala shqiptare do të jetë më lehtë të lëshojë për një sërë arsyesh. Së pari, qeveria shqiptare po kërkon me ngulm aderimin e vendit në Bashkimin Europian. Po ashtu, sipas Ministrisë së Jashtme greke, Shqipëria ka disavantazhin e mosnjohjes mirë të çështjeve gjeostrategjike dhe rëndësisë që kanë rezervat e naftës. Ndërkohë, mungesa e fondeve për gjetjen dhe shfrytëzimin e këtyre rezervave, interferimi i fortë prej faktorëve politikë në kushtet e negocimit, mungesa e ekspertëve të mirëfilltë të këtyre fushave nga komisionet negociatore, duket se janë pikat e dobëta të negociatorëve shqiptarë. E kundërta mund të ndodhë me fqinjët lindorë të Greqisë në pjesën e Egjeut, ku Turqia duket se nuk do të lejojë shfrytëzimin e rezervave të naftës nëse nuk do të jetë pjesë e barabartë me Greqinë në ndarjen e fitimeve.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›