Predhat që po shkaktojnë Gërdecë rrugorë në Shqipëri
Në Himarë, ndodhi ajo masakër njerëzore, që në përmasa të ndryshme ka ndodhur e po ndodh përditë në të gjithë rrugët e Shqipërisë. Eshte një tragjedi kolektive. Eshtë dhe një përgjegjësi individuale kolektive e institucioneve shtetërore për gjendjen në të cilën kanë formatuar dhe kanë katandisur transportin rrugor shqiptar në këto 20 vite si shërbim, si projekte e standarde rrugësh. Eshtë dhe një shpërfillje e plotë e institucioneve ligjvënëse e menaxhuese si dorë kontrolli dhe mendje organizimi të këtij shërbimi gjigand e masiv. Si përherë, po kaq individualisht e kolektivisht në kor të menjëhershëm, ishin mbrëmjen e tragjedisë së Himarës dhe shfajësimet e vetë-pastrimet e titullarëve zyrtarë nga përgjegjësia për aksidentin, sa ende pa u nxjerr trupat e viktimave nga humnera, ministra, drejtorë, zyrtarë, specialistë të qeverisë, shefa qarkullimi rrugor etj, dolën e folën zyrtarisht për rrugë të mirë, për sinjalistikë të plotë, për patentë të rregullt, për licencë transporti konform ligjit, për kolaudim të specializuar, për shofer të aftë e të rregullt, për autobus të sigurt. Po atëherë, kush i hodhi 33 studentet në humnerë?! Kush po i gjakos e po i mbush përditë rrugët e Shqipërisë, me viktima e të gjymtuar aksidentesh automobilistike?! Mos vallë FATI i keq?! Apo shteti i keq, indiferent dhe i munguar në këtë lloj shërbimi publik? Çfarë po ndodh realisht me transportin rrugor në Shqipëri? Po flasim me problematika e fakte konkrete, për predhat që po shkaktojnë pa ndalim Gërdec rrugor në Shqipëri.
Në Shqipëri ndodh, që autobusi është 20 vjet më i moshuar se shoferi
Katër ditë më parë, po udhëtoja me një autobus në linjën Ballsh-Fier. Ishte një autobus rrangallë, viti i prodhimit të të cilit, kuptohej që duhej të ishte shumë i hershëm.
Pyeta shoferin: Çfarë vit prodhimi është ky autobus?!
Shoferi mu përgjigj: Ehu, më mirë mos më pyet, ky është që me gjyshen time!
Por më saktë, moshën e autobusit na bëri të ditur një prej pasagjerëve, udhëtar i përhershëm në këtë linjë, nëpërmjet kësaj shakaje: -Ky autobus o vëllezër, që ta dini është 20 vjet më i moshuar se shoferi!
Pyetëm shoferin, se sa vjeç ishte dhe ai na tha, se ishte 32 vjeç!
Sipas llogarisë, rezulton se autobusi që transportonte njerëz afro 5 herë në ditë vajtje-ardhje në rrugën Ballsh-Fier, ishte 52 vjeç, pra 20 vjeç më i madh se shoferi që e drejtonte, ose saktësisht ishte prodhim i vitit 1960!
Dje e diskutuam faktin e autobusit të linjës Ballsh-Fier, me dy specialistë të Ministrisë së Transportit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Standard-Kolaudimit të Mjeteve. Pa bërë komente, po publikojmë faktet skandaloze që ata na bën të ditur:
- Në rrugët e Shqipërisë afro 65% e mjeteve të transportit të njerëzve si autobusë, minibusë, furgona, vetura, taksi që qarkullojnë aktivisht, janë mjete vit prodhimi, që duhet të kishin dalë nga qarkullimi përpara 10-15 vitesh.
- Aktualisht, në rrugët e Shqipërisë, 42% e mjeteve të transportit të mallrave që janë në qarkullim janë si vit prodhimi e kohë përdorimi, që sipas kushtit teknik ligjor të prodhuesit dhe standardit teknik shqiptar, duhet të kishin dalë jashtë përdorimi që 15-20 vjet më parë.
- Aktualisht, 30% e autobusëve urban e inter-urban të licencuar, që qarkullojnë përditë dhe shërbejnë me kohë të plotë në transportin e njerëzve brenda qarqeve e në të gjithë vendin, sipas kushtit teknik të prodhuesit dhe gjendjes faktike teknike, duhet të kishin dalë jashtë përdorimit që 25 vite më parë.
- Aktualisht, 60% e furgonëve të licencuar si shërbim taksi nga pushteti vendor për transport udhëtarësh zonal ndërqytetës e rrejt kombëtar, rezultojnë të kenë kaluar me 10-15 vjet kohën e përdorimit për përdorim dhe 5-10 vjet kohën teknike për transport mallrash.
- Prej 17 vitesh, licencat e autobusëve e furgonëve vazhdojnë të jepen pa respektuar kushtin e vitit të prodhimit të mjetit dhe lejet e drejtimit.
- Prej 15 vitesh, lejet për drejtim autobusi e furgon pasagjerësh, jepen pa respektuar moshën e sigurisë, të përgjegjshmërisë dhe aftësisë fizike të drejtuesve që është 30-50 vjeç.
- Në 70% të rrugëve nacionale në Shqipëri, vazhdojnë të lejohen të qarkullojnë mjete transporti shërbimesh rurale e vetjake jo motorike dhe mjete motorike mallrash, që kanë standarde e kod qarkullimi vetëm për rrugë jo nacionale, ose për anekse dytësore e tretësore brenda dhe midis qendrave të banuara përgjatë autostradave e rrugëve nacionale.
- Në Shqipëri, afro 90% e shoqërive të transportit të udhëtarëve me autobusë, furgonë taksi, nuk kanë as parqe shërbimi teknik dhe as sektor të drejtimit teknik të mjeteve.
Rrugët nacionale e autostradat shqiptare, rrugë rurale të asfaltuara
Dje dëgjova në një prononcim për mediat, specialistin e rrugëve Ing. Arben Meçe, të deklaronte kështu: Ministria e Transportit dhe ministri, mund të thonë gjithë ditën që rruga Vlorë-Sarandë është me standardet e duhura tekniko-fizike, por unë si specialist i projektim-ndërtimit të rrugëve nacionale, ju them se rrjeti Vlorë-Sarandë është veçse një rrugë ushtarake e zgjeruar dhe kurrsesi nuk është rrugë e sigurt dhe e kompletuar për shërbim transporti masiv, siç po përdoret. Ajo rrugë nuk ka asnjë siguri, sidomos për mjete të rënda transporti njerëzish e mallrash.
Nga bisedat konfidenciale me specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, pranohet, që rrugët nacionale në Shqipëri janë jashtë parametrave e teknik e fizik dhe jo vetëm në aksin Vlorë-Sarandë e në segmentin ku ndodhi tragjedia, por dhe në shumë akse të tjera kombëtare, si rruga Fier-Berat, Tepelenë-Ballsh, Këlcyrë-Leskovik, Lushnjë-Berat, Gjirokastër-Sarandë, Bushat-Pukë, Fier-Ballsh, Tiranë-Burrel-Peshkopi etj. Kudo sipas inventarit të qeverisë, kemi rrugë nacionale me parametra të larta fizike, teknike, sigurie dhe të kompletuara. Në fakt, siç na thanë disa ekspertë e specialistë, rrugët ku ne lëvizim janë veçse rrugë rurale të asflatuara, jashtë standardeve si ndërtim infrastrukturë! Pa bërë komente, po japim disa fakte:
- Në 85% të gjatësisë të rrugëve nacionale shqiptare, nuk ka as mbikalime dhe as nënkalime, ndërkohë që në akset nacionale, ka 473 nyje ndërprerëse qendrash banimi e lëvizjesh kalimi të detyruara të popullatës dhe hyrje-daljeve të ndërmjetme.
- Në afro 40% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, mungon sinjalistika e nevojshme e detyrueshme, për një vetë-menaxhim normal e të sigurt të qarkullimit, prej drejtuesve të mjeteve.
- Në 35% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe sinjalistika orientuese e qarkullimit është e vendosur në kundërshtim të plotë me kushtet konkrete praktike të orientimit për qarkullim rrugor normal e të sigurt.
- Në 20% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe shenjat orientuese të qarkullimit, janë të padukshme dhe jashtë përdorimit nga dëmtimet, vjedhjet ose fsh
