Kurajoja për të krijuar (VIDEO)
Ky është fjalimi i mbajtur në takimin Kurajoja për të krijuar, organizuar nga TEDxThessaloniki, ku isha i ftuar para pak ditësh. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, që dëshiroj ta ndaj me ju. Kërkoj ndjesë që për shkak se teksti është punuar drejtpërdrejt në anglisht, versioni shqip nuk e ka timbrin që do të kishte po të ishte versioni origjinal.
Ky është një takim fort i vështirë për mua. Flas anglisht, por e zotëroj gjuhën angleze po aq mirë sa ç’e zotërojnë bankierët ekonominë globale.
Jam i huaj këtu, vizitor i një vendi të dyndur nga probleme thuajse mbytëse për t’u vështruar. Dhe po, sikur të mos mjaftonte kjo, jam dhe politikan në një kohë kur ky profesion ngjan si dy pika uji me atë të një shitësi makinash të përdorura.
Nejse, të jesh politikan s’është sidoqoftë gjithnjë kaq e rëndë. Po të isha Barack Obama, ju do të ishit të ekzaltuar apo jo? Hë pra, pranojeni. Ai është karizmatik në çdo pore, dhe është lideri i një vendi kaq të fuqishëm sa vendimet e tij ndikojnë mbi të gjithë ne, jo vetëm mbi amerikanët. Po do të kishit qenë të ekzaltuar edhe po isha Angela Merkel. Ajo mund të mos ketë karizmën e tij, por ka pushtet të vërtetë si lider i vendit më të madh të Europës dhe të gjithë ju këtu e keni idenë e kësaj apo jo? Dhe po të isha François Hollande ju do të ishit të ekzaltuar sepse ai është njeriu i momentit.
Pra, vendi nga jemi është një faktor tejet përcaktues në jetën tonë. A shihni ndonjëherë futboll dhe mendoni, për shembull, sa ndryshe do të kishte Lionel Messi dhe jeta e Lionel Messit sikur të ishte nga Luksemburgu e jo nga Argjentina? Apo sikur Pele-ja të ishte nga Kosova ose Maradona nga Kreta? Ose sikur Churchill-i, ose Lincoln-i, ose Napoleon-i të ishin nga Groenlanda…
Unë jam nga Shqipëria. S’është Groenlanda, po nuk është SHBA, as Gjermania, as Franca. Dhe unë jam në opozitë, jo në qeveri.
Kështu që po, e di, e di çfarë kanë menduar shumë nga ju kur një miku juaj ju ka telefonuar për t’ju thënë: “Ej do të vish në TEDx të dëgjosh këtë tipin, Edi Ramën, duke folur?”
“Edi kë?!”
“Edi Rama është lideri i opozitës shqiptare”
“Oh vërtet…”
“Është socialist!”
“Ahh po, sa ekzaltuese!”
Po gjithsesi mund të ishte edhe më keq… Unë mund të kisha qenë lideri i PASOK-ut.
Por shpresoj që ajo që kam për të thënë t’ ia vlejë të dëgjohen, sepse në këtë kohë cinizmi dua të flas në mbrojtje të politikës.
Në jetën time të mëparshme isha artist. Vazhdoj të pikturoj. E dashuroj artin. E dua gëzimin që ngjyrat mund të sjellin në jetën tonë dhe në jetën e komuniteteve tona. Dhe përpiqem të sjell në politikë diçka prej artistit brenda meje.
Politika në vetvete nuk është e mërzitshme. Nuk është pa kuptim. Apo pa qëllim. E unë e shoh si pjesë të punës sime sonte, arsyeja pse jam këtu, nuk është thjesht për të bërë fushatë për partinë time, po për politikën e për rolin që ajo mund të luajë për mirë në jetën tonë.
Unë kam qenë për 11 vjet Kryetar i Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit tonë. U përballëm me shumë sfida dhe arti ishte pjesë e përgjigjes. Dhe në fillim fare, emri im u lidh me dy gjëra: shembjen e ndërtimeve të paligjshme për të rifituar hapësirën publike dhe përdorimin e ngjyrave për të rikthyer shpresën që kishte humbur në qytetin tim. Por përdorimi i ngjyrave nuk ishte thjesht një gjest artistik. Por ishte një formë e aksionit politik në kushtet kur buxheti i qytetit që kisha në dispozicion pasi u zgjodha shkonte deri në zero pikë diçka.
Kur ne ngjyrosëm godinën e parë, duke hedhur një portokalli rrezatuese mbi grinë e zymtë të një fasade të njërës prej rrugëve hyrëse në Tiranë, ndodhi diçka e paimagjinueshme. Pati një bllokim trafiku dhe u mblodh një turmë njerëzish a thua se ishte vendngjarja e një aksidenti spektakolar apo kishin parë papritur ndonjë yll të muzikës pop.
Zyrtari francez i Bashkimit Europian, që ishte përgjegjës për fondet, nxitoi të bllokonte lyerjen. M’u hakërrye se do të bllokonte financimin.
“Po pse?” e pyeta unë.
“Sepse ngjyrat që ke zgjedhur janë jashtë standardeve europiane,” m’u përgjigj.
“Po mirë,” i thashë, “rretherrotull jemi ende jashtë standardeve europiane edhe pse kjo nuk është ajo që duam, por ngjyrat do t’i zgjedhim vetë sepse kjo është pikërisht ajo që duam. E nëse ju nuk do të na lini të vazhdojmë punën, unë do të bëj një konferencë për shtyp, këtu, në këtë moment dhe në këtë rrugë, e do t’u them njerëzve që më dukeni si censorët e epokës së Realizmit Socialist.”
Pas kësaj ai u shqetësua disi dhe më kërkoi të bënim kompromis. Por i thashë jo, më vjen keq, por kompromisi mes ngjyrave është gri. Dhe kemi mjaftueshëm gri sa të na zgjasë për një jetë të tërë. Është koha për ndryshim.
Rikthimi i hapësirave publike ringjalli edhe ndjenjën e përkatësisë ndaj qytetit që njerëzit e kishin humbur, krenarinë e njerëzve për vendin ku jetonin. e të krenarisë për qytetin. Ishin ndjenja që ishin varros thellë prej vitesh nën furinë barbare të ndërtimeve të paligjshme që kishin mbirë mbi hapësirën publike.
Dhe kur u shfaqën ngjyrat që binin në sy kudo, një frymë ndryshimi filloi të ndryshonte shpirtin e njerëzve. Por pati po ashtu shumë zhurmë: çfarë është kjo? Çfarë po ndodh? Ç’ po na bëjnë këto ngjyra? Pra, kurajoja për të krijuar u pengua disi nga një lloj dyshimi: a mos po e djeg vallë kaq shpejt mandatin tim me këto ngjyra? Dhe organizuam një sondazh, sondazhin më mahnitës që kam parë në jetën time. I pyetëm njerëzit ” A e doni këtë aksion dhe ngjyrosjen e ndërtesave në këtë mënyrë? Kurse pyetja e dytë ishte: “A doni që ta ndërpresim apo që ta vazhdojmë?”
Pyetjes së parë, 63 për qind e njerëzve iu përgjigjën “Po, na pëlqen.” 37 për qind thanë “Jo, nuk na pëlqen.” Por në pyetjen e dytë, gjysma e atyre që nuk iu pëlqente donin që kjo të vazhdonte.
Ne e vumë re ndryshimin. Për shembull, njerëzit filluan të hidhnin më pak mbeturina në rrugë. Filluan të paguanin taksat. Filluan të ndjenin diçka që e kishin harruar. Dhe bukuria po funksiononte si një rojë aty ku mungonte Policia Bashkiake apo vetë shteti.
Më kujtohet një ditë, duke kaluar në një rrugë të sapongjyrosur dhe ku po mbillnim pemë pashë një dyqanxhi që bashkë me gruan po vendosnin një fasadë xhami në dyqanin e tyre. Qepenat e vjetër i kishin hedhur në vendndodhjen e mbeturinave.
“Pse i hodhe qepenat?” e pyeta.
“Sepse rruga është e sigurt tani,” m’u përgjigj.
“Më e sigurt? Pse? Kanë vendosur më shumë policë?”
“Jo mor vëlla, çfarë policësh, po shikoje vetë. Ka ngjyra, ndriçim, trotuar i ri pa gropa, pemë. Është e bukur. Është e sigurt.”
Dhe me tërë mend ishte bukuria që u jepte njerëzve ndjesinë s
