E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti i Beogradit merr leje për të vizituar Kosovën

Autoritetet përgjegjëse vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë i kanë dhënë leje prefektit të Beogradit, Dragan Djilas, për të vizituar gjatë ditës së djeshme disa vende në Kosovë. Policia e Kosovës bëri të ditur se do ti ofrojë përcjellje zyrtarit serb, pasi që,

siç thuhet, janë respektuar procedurat e nevojshme që mundësojnë vizitën e tij. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka ka theksuar se kërkesa për përcjellje policore i është adresuar Policisë së Kosovës nga qeveria e vendit, dy ditë më parë. Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë të aprovuar për vizitë zyrtare nga Djilasi, ose kryetari i kuvendit komunal të Beogradit, për të bërë një vizitë në Republikën e Kosovës. Si kërkesë e aprovuar, përgjegjësi e Policisë së Kosovës është që të ofrojë përcjellje policore derisa të përfundojë vizita, bëri të ditur Beka. Kërkesa për vizitë e këtij të parit thuhet se i është drejtuar, kohë më parë, Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila këtë kërkesë ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa vendimin për ta lejuar vizitën thuhet se e ka nënshkruar një nga zëvendëskryeministrat e Kosovës.

Zjarr në doganën e Zubinit në Potok, plagoset 21 vjeçarja
Një zjarr që përfshiu disa objekte në pikën kufitare të Zubin Potokut ka shkaktuar plagosjen e një 21 vjecareje, punonjëse në doganë. Zjarri ka ndodhur në objektin e shoqatave të sigurimeve të Kosovës dhe të një kontejneri në pikën kufitare të portës 31, në Bërnjak, të Zubin Potokut. Incidenti është regjistruar rreth orës dy të mëngjesit të djeshëm. Në bazë të raporteve të para policore mësohet se zjarri ka shkaktuar dëme materiale në objektet shoqatës së sigurimeve të Kosovës dhe të shërbimeve, ndërsa një punonjëse e shoqatës së sigurimeve, një 21 vjeçare, e përkatësisë etnike serbe, ka pësuar lëndime të lehta trupore, djegie në dorën e majtë. Viktima e këtij incidenti, me ndihmën e një automjeti të policisë së EULEX, është transportuar deri në shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok, për trajtim të lëndimeve të pranuara në këtë rast. Hetuesit policorë dhe teknikët e kriminalistikës nga drejtoria rajonale e Policisë në Mitrovicë, bashkërisht me hetuesit policorë të Zubin Potokut dhe me asistimin e zyrtarëve të komponentës policore të EULEX-it, kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa shkaktari i zjarrit mbetet ende i papërcaktuar. Një shpërthim, është raportuar të ketë qenë regjistruar gjatë zjarrit, por hetuesit policorë besojnë se bëhet fjalë për një bocë me gaz, e cila ishte në barakën e shoqatës së sigurimeve të Kosovës, ndërsa kishte shpërthyer pasi ishte kapluar nga zjarri. Policia e Kosovës ka iniciuar dhe është në zhvillim të hetimeve intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe rrethanat e paraqitura në rastin e regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Mlladiç shpallet i vdekur
Familja e ish-liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili është akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, planifikon që zyrtarisht ta shpallë atë të vdekur. Kështu shkruajnë mediat ne Beograd, por autoritetet serbe e kanë komentuar këtë si një përpjekje për të humbur interesin për të shumëkërkuarin. Familjarët e gjeneralit serb Mlladiç po ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta shpallur atë si person të vdekur. Mlladiç është numri 1 i të kërkuarve nga gjykata e Hagës, e cila e akuzon për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid të kryer gjatë luftës së viteve 90 në Bosnje. Ndërkohë, tentativat e familjes së tij janë konsideruar nga i ngarkuari i qeverisë serbe për bashkëpunimin me Hagën, Rasim Lajic si tallje me shtetin. Lajic ka theksuar se kërkesa e familjes nuk do të ndikojë në kërkimin e autoriteteve serbe.

Nxënësi qëllon me shishe presidentin Sarkozy
Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy u qëllua me shishe plastike nga një nxënës, në kohën kur kreu i shtetit ishte duke zhvilluar një vizitë në një lice, 80 kilometër në periferi të Parisit. Shishja e cila është hedhur në drejtim të Presidentit është ndaluar prej njërit nga agjentët e truprojës së kreut të shtetit, ndërkohë që media franceze pohon se ngjarja ka ndodhur në një shkollë në Beuvais, rajon i Oisë. Gjatë qëndrimit në lice, Sarkozy ka folur në lidhje me kriminalitetin, dhunën në shkolla.

Fule: BE gati të propozojë heqjen e vizave me Ukrainën
Eurokomisioneri për zgjerimin, Stefan Fule, siguroi Kievin se Bashkimi Evropian do ta ketë gati propozimin për heqjen e vizave me Ukrainën në takimin e vjeshtës. Komentet e shefit të zyrës për zgjerimin, Stefan Fule u bënë gjatë një mbledhje jo zyrtare me përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Partneritetit Lindor, projekt ky i Bashkimit Evropian. Fyle nënvizoi se heqja e vizave për qytetarët e Ukrainës do të varet në përmbushja e disa kritereve nga Kjevi zyrtar.

Last Updated on E Marte, 25 Maj 2010 19:53

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›