E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët protestojnë ndaj Dashit, të shtunave vetëm dy orë në spital

Mjekët: Drejtoria të na krijojë kushte pune në spital, pastaj të na kërkojë në punë ditën e shtunë

Mjekët e shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë qenë tepër indiferent ndaj urdhrit më të fundit të shefit të tyre për qëndrimin edhe ditën e shtunë në pavijone, madje duke kryer edhe mbledhjen e mëngjesit. Edhe pse në

aparencë është dukur se gjendja ishte tepër e gatshme e mjekët bashkë me shefat e shërbimeve pasi kanë kryer takimin e mëngjesit duke ndarë punët midis tyre, dhe infermiereve e kanë bërë më pas edhe një vizitë të pacientëve në pavijone, më pas janë larguar për orë të tëra nga spitali. Kjo gjë u konfirmua ditën e djeshme sipas një vëzhgimi të kryer nga gazeta SOT. Vetëm një ditë më parë Drejtori i QSUT-së Ilir Dashi urdhëroi te gjithë mjekët e shefat e shërbimeve në spital se ata do të qëndronin edhe të shtunave në shërbim të pacientëve pa lëvizur që prej orarit 8 të mëngjesit deri në orën 3 mbasdite. Por edhe pse ky urdhër u vu në fuqi menjëherë mjekët e shefat e tyre duket se e kanë shkelur me të dyja këmbët urdhrin e radhës të drejtorit të tyre. Në lidhje me këtë një prej mjekëve të QSUT-së ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën se urdhri me i fundit i drejtorisë është absurd pasi edhe sipas vendimit të Këshillit të Ministrave e shtuna do të ishte pushim për të gjitha institucionet shtetërore. Sipas tij mjekët janë të indinjuar për 24 orë rresht e qëndrojnë në dispozicion të pacientëve edhe të dielave por nuk mund të qëndrojnë për 8 orë rresht në pavijone. Në këtë mënyrë sipas këtij mjeku edhe kolegët e tij e kundërshtojnë këtë urdhër i cili do të binte ndesh edhe me etikën e mjekut. Ndër të tjera mjeku specialist i QSUT-së sqaroi se vetë mjekët po punojnë në kushte tejet të vështira dhe drejtoria e QSUT-së duhet të merret konkretisht me këtë problem e jo me nxjerrjen e urdhrave të njëpasnjëshme që nuk janë aspak në shërbimin real te pacientëve por cënojnë në njëfarë mënyre edhe dinjitetin e mjekut i cili e ka detyrë profesionale dhe personale të jetë në gatishmëri të pacientit.


Urdhri
Duke nisur nga kjo javë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të ketë orare të reja të personelit shëndetësor por edhe shefave të shërbimeve. Sipas njoftimit për shtyp Drejtorit të këtij institucioni, Ilir Dashi këto ndryshime bëhen për fokusimin më të mirë të punës në shërbime por edhe për zbatimin e rregulloreve të vendosura deri më tani.Duke filluar nga kjo e hënë dhe deri ditën e shtunë i gjithë personeli shëndetësor është i detyruar të qëndrojë në pavijone dhe shërbime nga ora 08:00 deri në 15:30. por kjo nuk të thotë që puna e tyre përfundon këtu, edhe ditën e shtunë do të ketë mbledhje dhe organizim të punës si nga shefi i pavijonit ashtu edhe nga mjekët dhe personeli mbështetës ka pohuar Dashi. Sipas tij, çdo dite stafi i Shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8, nën drejtimin e Shefit të Shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur Shefi mungon. Për pavijonet ë cilat kanë salla të kirurgjisë, gjatë këtyre mbledhjeve do të bëhet edhe shpërndarja e operacioneve sipas urdhrit të dalë vetëm një  ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Për të gjithë shkelësit e këtij rregulli, drejtoria e QSUT-së ka parashikuar masa ndëshkuese deri në largime nga puna, gjoba apo vërejtje etj. Funksionimin më të mirë të punës në Shërbimet e QSUT Nënë Tereza dhe zbatimin me korrektësi të Statutit të QSUT-së dhe Kodit të punës. Orari zyrtar i punës nga dita e hënë deri ditën e premte është nga ora 08:00 -15 :30. Çdo ditë  stafi i Shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8, nën drejtimin e Shefit të Shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur Shefi mungon. Në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë, Nr. 86, datë 16. 02. 2010,  pjesë e orarit të punës është edhe dita e shtunë, nga ora 09:00 -11:30, kohë gjatë së cilës duhet të zhvillohet mbledhja javore e stafit të shërbimit, sipas detyrave të urdhrit të Ministrit. Drejtoria do të organizojë kontrolle për zbatimin në vazhdimësi të këtij urdhri. Për moszbatim të tij do të merren masa konform Statutit të QSUT-së dhe kodit të punës. Drejtori i QSUT Ilir Dashi ka urdhëruar që dita e shtunë të mos jetë pushim por një orar i zakontë si gjithë ditët e tjera të javës. Sipas urdhrit, edhe ditën e shtunë do të ketë mbledhje dhe organizim të punës si nga shefi i pavijonit ashtu edhe nga mjekët dhe personeli mbështetës. Çdo ditë stafi i Shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8, nën drejtimin e Shefit të Shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur Shefi mungon. Në punë edhe ditën e shtunë. Nuk do të ketë përjashtime.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›