E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti i ri i Durrësit “Vigjilencë për gripin e derrit”



Prefekti i ri i qarkut Durrës-Krujë, Genci Alizoti, u ka bërë thirrje dje në një takim të posaçëm organeve të shëndetit publik të rrisin kontrollet në shkolla, të kenë kujdes me higjienën në qytet dhe institucionet publike, për të parandaluar ndonjë epidemi. Paniku i përhapur nga rastet e dyshimta të gripit të derrit në shtetet fqinje si dhe problemet e ardhura si pasojë e rritjes së temperaturave dhe dyndjeve të emigrantëve ka mbledhur dje drejtorët e drejtorive dhe ndërmarrjeve të varura nga ai në një takim me prefektin Alizoti. Problemi i parë që ka diskutuar, ka qenë ai i shëndetësisë, ku Alizoti u ka kërkuar drejtuesve të shëndetit publik kujdes dhe vigjilencë maksimale nga bluzat e bardha për evidentim të çdo rasti të dyshimtë që mund të jetë i prekur nga gripi i derrit. Gjithashtu, prefekti ka kërkuar dhe marrjen e masave për çdo rast të mundshëm tashmë që në muajt e fundvitit ka dyndje të emigrantëve të ardhur nga shtete të ndryshme. Problem tjetër i ngritur nga Alizoti ka qenë problemi i epidemive që rrezikohet të shfaqen nga ujërat e zeza dhe plehrat në qytetin e Durrësit dhe për të cilat priten masa më radikale nga bashkia. Rasti më tipik, sipas prefektit, ka qenë kanali i hapur për disa muaj rresht pranë sheshit para ish-Kënetës, i cili shërben dhe si kolektor i ujërave të zeza për disa familje. Problem ka dhe në rrugën e Spitallës që është e mbushur plot me plehra, në rrugë të tjera dhe zona të veçanta të qytetit ku nuk funksionojnë kanalizimet, ka gropa dhe mund të bëhen rrezik epidemie. Ndërsa nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit prefekti ka kërkuar kryerjen e kontrolleve sistematike të produkteve ushqimore, sidomos të qumështit, që shitet rrugëve me bidonë plastikë dhe mishit që tregtohet në thertoret e qytetit. Kreu i prefekturës u kërkoi drejtuesve të policisë që, sidomos në muajin dhjetor, ku pritet që fluksi i emigrantëve të rritet, të merren masa për patrullimin e uniformave blu në çdo lagje për të shmangur incidentet, sidomos në rrugën hyrëse të qytetit dhe autostradën ku ka pasur dhe ankesa nga banorët se makinat kalojnë me shpejtësi jashtë normave të lejuara. Ndërsa për masat parandaluese të rënies së zjarrit prefekti kërkoi nga reparti i PMNZSH-së gatishmëri maksimale të të gjithë stafit, efiçencë të plotë të të gjitha makinave zjarrfikëse, të bazës materiale dhe të gjithë punonjësve të zjarrfikëses për të parandaluar dhe minimizuar të gjitha vatrat e mundshme të zjarrit, duke u kushtuar kujdes maksimal zonave muzeale dhe kurorës me pisha në kodrën e qytetit të Durrësit dhe institucionet publike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›