Prifti: Ulja e TVSH-së së energjisë për biznesin në 2010
Biznesi është një partner i rëndësishëm i qeverisë për zhvillimin e vendit, ndaj bashkëpunimi me të dhe plotësimi i kërkesave të këtij komuniteti është në interes të ekzekutivit. Ministri Prifti në një takim me biznesin amerikan në Shqipëri ka dëgjuar me interes shqetësimet e tyre dhe ka dhënë mundësi zgjidhje për shumë prej tyre.
Një ndër kërkesat e biznesit prej kohësh ka qenë ulja e masës së TVSH-së për energjinë elektrike, e cila aktualisht është 20 për qind. Dje është diskutuar rreth kësaj teme dhe ministri Prifti e ka quajtur të drejtë pretendimin e komunitetit të biznesit.
Prifti tha në fjalën e tij se ulja e TVSH-së për energjinë elektrike është një interes që kënaq të gjitha palët. Prandaj, ministri Prifti sqaroi se ulja e TVSH-së së energjisë elektrike është një çështje, e cila është caktuar të diskutohet në 2-vjeçarin e dytë të këtij mandati për shkak të krizës dhe informoi qytetarët dhe bizneset se do të hiqet plotësisht TVSH-ja për makineritë dhe pajisjet.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës zhvilloi dje një takim, dreke pune, me Dhomën Amerikane të Tregtisë. Ky takim u zhvillua për të bërë të mundur shkëmbimin e ideve dhe njohjen e problematikave që kanë bizneset anëtare. Në takim, z. Prifti mbajti fjalën e tij përshëndetëse. Ai paraqiti interesin e tij prioritar për zhvillimin e biznesit, kjo pavarësisht se një pjesë e madhe e reformës për biznesin nuk mbulohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, por duke vënë në dispozicion instrumentet ndihmëse si konsultime me biznesin, për të bërë propozime dhe ndryshime legjislative dhe fiskale, për të lehtësuar dhe mbështetur sa më shumë biznesin, çka janë në varësi të kësaj ministrie. Ai e cilësoi biznesin shqiptar si një biznes novator, kërkues, investues dhe një instrument shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, çka siguron edhe rritjen ekonomike për të cilën Shqipëria tashmë ka krijuar një imazh tepër tërheqës kundrejt krizës globale. Ai u premtoi pjesëmarrësve hapjen e një sporteli të veçantë për energjinë hidrike, atë të erës, biomasës, termike, pranë QKR-së jo vetëm për të dhënë lejet fillestare, por edhe lejet vijuese të ndërtimit, të ambientit etj. Kjo do të lehtësojë akoma më tepër investitorët dhe do të kursejë kohë, për të cilën do të ketë profite në vazhdimësi.