Prefektura e Gjirokastrës në terren pas reshjeve të dendura, ndërhyrje intensive në akset rrugore

Pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, përfaqësues të Prefektit të Qarkut Gjirokastër ndodhen sot në terren për të inspektuar pasojat dhe për të vlerësuar problematikat e evidentuara në zonat e prekura.
Strukturat vendore dhe emergjencat civile po monitorojnë nga afër situatën, duke marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Aktualisht, po vijon puna për rikthimin në funksion të aksit rrugor Glinë–Nepravishtë, ku janë angazhuar 5 kamionë vetëshkarkues, 2 fadroma, 2 eskavatorë dhe 1 grejder.
Sipas përfaqësuesit të firmës kontraktuese, segmenti rrugor me gjatësi rreth 2 km pritet të jetë plotësisht i përdorshëm brenda ditës së nesërme.
Ndërkohë, është kryer inspektimi i akseve kombëtare Kardhiq–Delvinë dhe Gjirokastër–Jorgucat, të cilat aktualisht rezultojnë të jenë në normalitet dhe pa probleme.
Prefekti i Qarkut Gjirokastër ka deklaruar se monitorimi i situatës do të vijojë deri në normalizimin e plotë të kushteve dhe garantimin e sigurisë publike në të gjithë territorin e qarkut.
/rtsh.al/