E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Laborator rajonal të Inteligjencës Artificiale në QSUNT

TIRANË, 21 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se po diskutohet hapja në Shqipëri e një laboratori rajonal të Inteligjencës Artificiale, pjesë e kostelacionit të laboratorëve të SHEBA-s, qendra më e madhe spitalore izraelite.

Gjatë përurimit të Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUNT, kryeministri vlerësoi që programi i partneritetit me qendrën spitalore SHEBA në Izrael është në rrugën e duhur.

“Puna e përbashkët në Spitalin Onkologjik ka nisur, ndërkohë që, siç e kam thënë, do të shtrihet në të gjithë qendrën spitalore dhe po ashtu, jemi duke diskutuar dhe për hapjen e një laboratori këtu të Inteligjencës Artificiale që do të jetë një laborator rajonal, pjesë e kostelacionit të laboratorëve të SHEBA-s që do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë personelin shëndetësor të këtushëm, por edhe në të gjithë rajonin”, tha Rama.

Njëkohësisht, Rama tha se ky laborator do të krijojë mundësi që të përfitojmë nga puna e laboratorëve të tjerë të këtij kostelacioni, duke hapur praktikisht një perspektivë të re për mjekët që janë të dëshiruar të eksplorojnë më shumë në profilin e tyre dhe janë të dëshiruar të kontribuojnë më shumë për të sjellë inovacion dhe për të sjellë zgjidhje të reja përmes teknologjisë.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›