E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preken pensionet e minoritarëve

Kriza, vetëm njëri prej bashkëshortëve me origjinë greke do të përfitojë pension Ndryshime në ligjin e pensioneve. Përgjysmohen të ardhurat dhe shtohen dokumentet që duhen dorëzuar

Kriza e thellë financiare që po përjeton shteti grek ka nisur të shfaqet në disa forma. Ende pa pritur që shqiptarët t’i ndiejnë pasojat e saj, përmes pakësimit të të ardhurave për të afërmit e emigrantëve që jetojnë në Shqipëri, të parët që kanë ndier drejtpërdrejt tronditjen e financave greke, janë përfituesit e pensioneve greke, që njëherësh janë shtetas shqiptarë dhe homogjenë grekë. Në ligjin e ri të pensioneve, përcaktohet që çiftet me origjinë greke duhet të zgjedhin se cili prej partnerëve do të vazhdojë të trajtohet me pension, pasi nuk do të mund të përfitojnë më të dy.

Pensionet

Tani në prag të festës së Pashkës, një pjesë e pensionistëve të moshës 65 vjeç e lart, presin që të marrin dhuratën e përvitshme, pensionin e 13-të. Nuk ka ndonjë lajm të ri, që ta vërë në dyshim këtë rregullsi të vendosur e të zbatuar prej vitesh. Ata që kontaktuam nga kjo kategori pensionistësh, me banim në qytetin e Sarandës, na thanë se deri më tani nuk është vërejtur asnjë parregullsi, edhe në korrektësinë e pagesave të pensioneve. Secili prej të trajtuarve me pension nga shteti grek, e di se ka një datë të caktuar të muajit kur duhet të tërheqë shumën prej 360 euro apo edhe më shumë, kur bëhet fjalë për nëna me shumë fëmijë. Tërheqja zakonisht realizohet në një nga qytetet më të afërta kufitare me Shqipërinë dhe kështu është vazhduar. Në këtë kuptim, na thanë se kriza nuk është ndier dhe çdo gjë ka mbetur e pacenuar. Por kriza është shfaqur me një tjetër fytyrë. Qindra familje pensionistësh, në të cilat rezultojnë burrë e grua me origjinë greke, tani duhet të zgjedhin se kush prej tyre do të vazhdojë të trajtohet me pension, pasi sipas ligjit të ri të pensioneve, përfiton vetëm njeri. Na thanë se nuk është e papritur që, për arsye të mos humbjes së pensionit prej të paktën 360 euro në muaj, tani të nisin e të vijnë duke u trashur proceset gjyqësorë që kërkojnë divorcin e çifteve të mbi 65-vjeçarëve, me përkatësi etnike greke.

Ndryshimet

Përgjysmimit të të ardhurave që shkonin deri tani në favor të një çifti pensionistësh homogjenë grekë, i janë shtuar edhe vështirësi e rregulla të tjera shtrënguese. Në një nga numrat e saj të këtyre ditëve, gazeta në gjuhën greke “Llaiko Vima” i ka bërë të njohura këto masa të reja, duke botuar në faqet e saj një koment mbi kërkesat e reja të institutit grek të pensioneve për bujqit homogjenë, të njohur me inicialet OGA. Nën titullin “Zgjidhje e menjëhershme për pensionet e OGA”, bëhet e ditur se çfarë dokumentesh duhet të paraqesë çdo aplikant për të marrë një pension grek. Ndër to përmendet kushti i mbajtjes së kombësisë greke, pasja e kartës së homogjenit, deklaratë tatimore. Pra janë një grup dokumentesh, që duhet të plotësojë përfituesi i pensionit nga të moshuarit homogjenë bujq. Por gazeta i quan “djegëse” disa kushte bashkëshoqëruese. I tillë cilësohet kushti i vendosur që pensionisti homogjen grek të jetë me banim të përhershëm në Greqi, pasi kjo, sipas gazetës, i ka detyruar shumë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre dhe të ngulen në Greqi e kështu “të thahet Vorio Epiri”. Qëndrim kritik mban artikulli i botuar në “LLaiko Vima” edhe ndaj praktikës së ndjekur në zyrat e OGA, ku, për të provuar se personi banon në “Vorio Epir” dhe nuk i takon marrja e pensionit, shikohet pasaporta ndërkombëtare shqiptare, gjë që, sipas gazetës nuk është normale të ndodhë, pasi ajo është pasaporta e një vendi të huaj.

Edhe më “përvëluese” se këto kushte të vendosura, është efekti i ligjit të ri mbi pensionet greke, që i njeh të drejtën vetëm njërit nga të dy anëtarët e çiftit homogjen dhe jo të dyve. Qysh tani, që ky ligj e ka muajin e parë të shtrirjes së efekteve të tij, mësojmë se ka nisur përpunimi i mendimit se si edhe me ligjin të jesh në rregull, edhe pensioni të mos preket. Nuk janë të pakët ata që zgjidhjen kanë nisur ta kërkojnë te divorci i rremë pas të 65-ave, në mashtrim dhe në zbatim të ligjit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›