Itali, tensionohet situata në prag të zgjedhjeve
Edhe pse Italia po përgatitet për zgjedhjet rajonale që do të mbahen sot dhe nesër në vend, situata nuk është aspak e qetë.
Disa episode të dhunshme janë regjistruar në Lombardi brenda 24 orëve. Një ditë më parë u zbulua në Liante një letër me një plumb, që i drejtohej Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni.
Shërbimi postar i Italisë pati zbuluar një letër kërcënuese në adresë të Kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskonit, në të cilën gjendej një plumb, thuhej në njoftimin e policisë italiane. Zarfi, në të cilën ishte vendosur plumbi dhe letra, ku shkruhej “Do të përfundosh si mi”, është zbuluar në veri të Milanos. Pakoja, në të cilën u kërcënuan edhe zyrtarët tjerë të partisë së Berlusconit, Populli i Lirisë, ishte dërguar në adresën e rezidencës private të Berluskonit në Arcore, njoftuan zyrtarët. Ndërkaq, një tjetër zarf me lëndë eksplozive, drejtuar selisë së Ligës së Veriut, ka shpërthyer dje në një qendër postare në Milano, në sheshin Lugano, duke shkaktuar flakë, dhe plagosën një punonjës.
Gjithçka ndodhi në orën 5:40, kur Pietro De Simone, 56 vjeç, duke kontrolluar mes letrave, kishte vënë re një zarf të dyshimtë, i cili mbante brenda edhe kërcënime për ministrin Maroni. Punonjësi nuk mundi ta vëzhgonte më me hollësi, sepse ai shpërtheu, duke i shkaktuar plagë të lehta në duar dhe fytyrë. Më pas, ai u transportua me shumë urgjencë për në spital. “Dëgjova një zhurmë dhe pashë shumë njerëz që po vraponin pas Pietros. Pastaj na evakuuan. E di që u plagos në dorë dhe fytyrë madje, pati edhe djegie të flokëve”, tregoi një prej kolegëve të tij në shërbim. Berluskoni aktualisht gjendet në Libi, ku merr pjesë në Samitin e Ligës Arabe. Ndërkaq, ministri i Brendshëm Maroni ka urdhëruar thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare. “Janë veprime të terrorizmit politik, që ne duhet t’i shmangim pa asnjë hezitim, për të shmangur rrezikun e një rikthimi në vitet e plumbit dhe për të garantuar funksionimin siç duhet të institucioneve të lira demokratike”. “Presidenti i Dhomës së Ulët, Gianfranco Fini, shpreh keqardhjen më të madhe kundër episodeve të dhunës që u verifikuan në Milano. Këto lloj veprimesh krijojnë një klimë urrejtjeje dhe intolerance në prag të një takimi të rëndësishëm elektoral për vendin”, thuhet në një komunikatë për shtyp. Sipas tij, të gjitha forcat politike duhet të punojnë që të mos turbullohet jeta politike në vend. Këto zgjedhje shërbejnë edhe si provë për Berluskonin. Sipas sondazheve, popullariteti i tij ka rënë në mënyrë të dukshme, pas skandaleve të shumta jo vetëm seksuale, por edhe korruptive në lidhje me bizneset e veta, që bënë xhiron e botës në muajt e fundit të vitit të kaluar. Rreth 40 milionë votues do të zgjedhin guvernatorët e 13 rajoneve, 11 prej të cilëve aktualisht drejtohen nga opozita e qendrës së majtë. Deri pak javë më parë, Berluskoni dukej se do të merrte sërish një fitore masive edhe në këto zgjedhje, por një sërë skandalesh që janë shfaqur në lidhje me të dhe të partisë së tij, i kanë dëmtuar dukshëm shanset e fitores. Njerëzit, sipas sondazhit të “Corriere della Sera”, janë shprehur të shqetësuar për situatën e rëndë ekonomike me të cilën po përballet Italia që pas Luftës së Dytë Botërore. Ai do të përballet me zhgënjimin e votuesve italianë të qendrës së djathtë, për drejtimin dhe masat e marra sidomos për ekonominë.
#