Premiera Lulja e Kujtimit

Opera kombëtare “Lulja e kujtimit” ka ngrit siparin e premierave që do të vijnë për publikun në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Kjo vepër erdhi nën dirigjimin e Eno Koços dhe regji të Mehmet Xhelilit. Opera e kompozuar nga “Artisti i Popullit” Kristo Kono, me libret të Andon Mara dhe Aleko Skali, ka në qendër dashurinë e dy të rinjve, Olimbia dhe Dhimitri, e cila nuk është vetëm dashuri, por lidhet dhe me idealin e shenjtë të çlirimit të atdheut. Dashuria e Olimbisë dhe Dhimitrit kalon në shumë peripeci. Agjenti grek Niko, spiunon Dhimitrin, i cili detyrohet të dalë në mal. Niko hap lajmin se Dhimitrin e kanë shqyer ujqërit, dhe pas kësaj Olimbia gati çmendet. Gjithçka zgjidhet kur doktori i sjell “Lulen e kujtimit”, që Dhimitri ia kishte dhuruar në shenjë kujtimi. Në këtë pjesë interpretuan Denis Skura, në rolin e Dhimitrit, Ramona Tullumani, në rolin e Olimbisë Armando Likaj në rolin e Babait (Kristos) dhe Irida Dragotin në rolin e shërbyeses (Sandra) “Lulja e kujtimit” vjen sërish në skenë pas vënies së parë në vitin 1961 dhe rivënies më 1978-n. Ashtu si kohët evoluojnë, edhe kjo vepër ka pësuar disa ndryshime.