E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtime për të moshuarit

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, ishte në qytetin e Shkodrës, ku ka festuar me 70 të moshuarit që ndodhen në qendrën rezidenciale të të moshuarve në këtë qytet.
 
“1 Tetori është një ditë e veçantë, ku institucionet, politikbërësit dhe shoqëria në mbarë botën i drejton sytë dhe mendjen mbi pjesën e saj më të rëndësishme dhe më kontribuese, deklaroi Ministri Ksera. Qeveria shqiptare është shumë e ndjeshme ndaj të moshuarve dhe tregues për këtë është politika e pandryshuar e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe përfitimeve të tjera. Me qëllim konsolidimin dhe shtrirjen e përfitimeve për të moshuarit tashmë institucionet kanë përgatitur një draft ligj - i pari i këtij lloji në të cilin parashikohen të drejtat e kësaj kategorie dhe detyrimi i institucioneve për t’i përmbushur ato. Ka ardhur koha që, përveç shërbimeve rezidenciale dhe ditore për të moshuarit të ngremë edhe shërbimin në familje, si një nevojë dhe domosdoshmëri për një pjesë të madhe të të moshuarve të cilët kanë banesa, por u mungon shërbimi për shkak të emigrimit të fëmijëve”, tha Ksera.

Ministri i siguroi të moshuarit se rritja e cilësisë së shërbimeve ekzistuese dhe shtimi i tyre me shërbime të reja është në qendër të politikave të Ministrisë.  Ministri Ksera vuri në dukje se ka ardhur koha që edhe pushteti vendor madje edhe shoqëria të tregojë një sensibilitet më të madh ndaj kategorive në nevojë dhe solidaritet mes brezash.

Instituti i Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor, bëri me dije sot se rreth 80% e fondit të saj të barnave që jepen me rimbursim shkon për këtë kategori. “Për kategoritë Pensioniate, invalidë të plotë, invalidë lufte, veteranë - qe i përkasin moshës së tretë, ISKSH përdor rreth 80% të fondit të rimbursimit për barnat (bazuar në të dhënat faktike për 6-mujorin e parë të vitit 2012). Fondi në total për vitin 2012 për rimbursimin e barnave pritet të shkojë në 8 miliardë lekë të reja. Vetëm pensionistet zënë 45% të shpenzimeve totale nga të cilët përfitojnë rreth 230.000 persona”, thuhet në njoftimin e shpërndarë. Sëmundjet më të shpeshta për të cilat ata përfitojnë rimbursim janë: hipertensioni arterial – zë 35% të totalit të shpenzimeve për këtë kategori; Diabet mellitus - 13.4%; astma bronchiale - 8.2%; si dhe insuficenca kardiake - 6.5%.

“Mosha e tretë, është në qendër të vëmendjes së ISKSH-së jo vetëm nga ana sasiore e përfitimeve lidhur me sëmundshmërinë e tyre, por gjithnjë e më shumë po I vihet theksi edhe anës cilësore. Sëmundshmëria kronike e moshës së tretë është pjesë e paketave të shërbimeve edhe sa I takon cilësisë pasi ne sot masim tregues të vecantë që lidhen me cilësinë e jetës së të moshuarve që vuajnë nga diabeti, hipertensioni etj”, tha drejtoresha e ISKSH-së, znj. Elvana Hana.

Edhe Bashkia e Tiranës bëri sot premtimin për ngritjen e qendrave për trajtimin e të moshuarve. "Në bashkinë e Tiranës së shpejti do të hapet edhe një qendër tjetër, e dedikuar për moshën e tretë dhe në bashkëpunim me pushtetin qendror, ne po punojmë për të  hapur edhe azile të tjerë  për qytetin e Tiranës, sikundër në bashkëpunim me sektorin privat, do të shtojmë mbështetjen për grupin e moshës së tretë",  theksoi Zv/Kryetarja Jorida Tabaku.

 Bashkia e Tiranës i ka dhuruar sot Shtëpisë së të Moshuarve në kryeqytet, një aparat kafeje dhe sasi të mjaftueshme kafeje, për tu konsumuar përgjatë një viti nga të moshuarit. Zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, i cili ishte sot në këtë azil, theksoi se Bashkia e po vazhdon angazhimin e saj, për t’i dhënë edhe kësaj shtrese, ngrohtësinë dhe shërbimin që meriton. /Start/

                                                                                             2012-10-01 16:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›