E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtojnë përkrahje

Universiteti AAB-Riinvest e ka organizuar një konferencë ndërkombëtare të mërkurën, me temën “Çka duhet të ndërmarrë Kosova për të arritur deri te ndërkombëtarizimi i sportit?”.

Në këtë konferencë, përpos kryetarit të Komitetit Olimpik (KO) të Kosovës, Besim Hasani, morën pjesë edhe përfaqësuesi i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, Stavri Belo, përfaqësuesi i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Rasid Hadzic dhe ai i Komitetit Olimpik të Sllovenisë, Gorazd Cvelbar, të cilët shpalosën përvojat e shteteve të tyre drejt ndërkombëtarizimit të sportit në vendet përkatëse.

Ndërkohë, mysafir ishte edhe ministri i Sportit, Lutfi Haziri, i cili premtoi se do të angazhohet dhe do të përpiqet sa të ketë mundësi për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Por, para se të arrihet kjo, ai kërkoi sa më shumë fair-play në sportin kosovar dhe largimin e dukurive të këqija. Gjithashtu, ai njoftoi se edhe Ligji për Sport dhe Ligji për Sponsorim janë në procedurë e sipër dhe gati të aprovohen.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, dukej optimist sa i përket mundësisë që Kosova të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Londra 2012. Ai shpjegoi se deri tash janë pranuar dy federata olimpike, ajo e Pingpongut dhe e Peshëngritjes, ndërsa pret që të pranohen me të drejta të plota edhe Federatat si ajo e Shigjetarisë, e Mundjes, e Hendbollit, e Xhudos dhe e Skijimit, në mënyrë që edhe KO i Kosovës të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Përfaqësuesi i KO të Sllovenisë, Gorazd Cvelbar, premtoi se asociacioni në të cilin ai bën pjesë do ta përkrahë dhe do të mundohet edhe ta ndihmojë, sipas mundësive që ka. Ai kërkoi nga pala kosovare që të trokasë jo vetën në dyert e sllovenëve, por edhe të shteteve të tjera për shkëmbimin e ideve. Gjithashtu, udhëzoi që të punohet sa më shumë me sportistë.

“Mendoj se sporti kosovar mund të ndihmohet. Por, me rëndësi është që ky sport të jetë i fortë, të keni sportistë kualitativë, e këto arrihen me një angazhim të mirë. Pas kësaj ju do ta kishit më lehtë të pranoheshit ndërkombëtarisht dhe të arrinit suksese”, ka thënë Cvelbar.

Kurse përfaqësuesi i KO të Malit të Zi, Rasid Hadzic, e pranoi se nuk është shumë mirë i informuar rreth problemeve me të cilat po has sporti kosovar që një kohë të gjatë, por premtoi se atë që e dëgjoi të mërkurën në konferencë, do të mundohet t’ua transmetojë prijësve të tij në KO të Malit të Zi.

“Aq sa mundemi, do të mundohemi ta japim kontributin tonë për ju. Sigurisht, sportit i nevojitet infrastruktura e mirë, por nevojiten edhe para. Dihet se Kosova ka pasur sportistë të mëdhenj në kohën e ish Jugosllavisë, kështu që ju mundeni të loboni më shumë për ndërkombëtarizim përmes përfaqësuesve dhe ambasadorëve tuaj të sportit. Për shembull, njëri prej tyre është legjenda e basketbollit Ferid Zekolli. Është e vërtetë që politika po e pengon ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, por duhet gjetur rrugë të tjera”, tha Hadzic.

Bello propozon ligë të përbashkët

Në konferencën e së mërkurës dolën disa ide interesante. Sekretari i KO të Shqipërisë, Stavri Bello, tha se Kosova nuk duhet të presë më dhe duhet ta gjejë një rrugë alternative. I dyti i KO të Shqipërisë propozoi që deri në pranimin e sportit kosovar ndërkombëtarisht, të formohet një ligë e përbashkët e Shqipërisë me Kosovën, në të gjitha sportet.

“Sporti shfaq imazhin e vendit, promovon shtetin dhe e ndihmon atë që të zhvillohet. Matja me vetveten të lë aty ku je, kjo e ka zbehur edhe motivin për punë në sportin e Kosovës. Unë propozoj që të krijohet ligë e përbashkët në basketboll, por edhe në sportet tjera, si rrugë alternative”, tha ai.

“Nga Prishtina deri në Tiranë nuk bën më shumë se 3-4 orë rrugë, kështu që nuk shoh kurrfarë problemi në këtë aspekt. Nëse angazhoheni dhe punoni për zhvillimin e sportit, atëherë do të shtoheshin edhe njohjet e Kosovës nga vendet tjera”, përfundoi Bello.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›