E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grumbullim me legjionarë

Selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, po bën përpjekje që nga data 7 deri më 14 qershor të organizojë një grumbullim në Suedi, ku është paraparë edhe një ndeshje miqësore me klubin suedez Halmstad.

Bunjaki ka bërë të ditur se në këtë grumbullim po mundohet t’i mbledhë futbollistët kosovarë, të cilët luajnë nëpër liga të ndryshme evropiane si Gjermani, Suedi, Zvicër, Angli, Itali etj.

Ai tregon se vendimin për ta organizuar këtë grumbullim nga 7 deri më 14 qershor e ka marrë pasi në këtë kohë është më e lehtë nxjerrja e futbollistëve nga klubet, pasi janë data të lira nga FIFA e UEFA.

“Në këtë grumbullim mos të them 100 për qind, shumica do të jenë futbollistë që luajnë në ligat evropiane. Nga Liga e Dytë e Suedisë dhe Finlanda nuk do të ketë futbollistë pasi kanë obligime me klubet e tyre”, ka thënë Bunjkau për Express.

“Federata u ka dërguar thirrjet futbollistëve nëpër klubet e tyre, ndërsa deri më 19 maj e kamë vendosur kohën kur mund të marrim përgjigje se cilët nga futbollistët mund të vijnë”, theksoi Bunjkau i cili nuk përjashtoi mundësinë që edhe ndonjë futbollist nga Superliga ta ftojë në këtë grumbullim.

Mirëpo, selektori i përfaqësueses së Kosovës nuk përjashtoi mundësinë që ky grumbullim të shtyhet për më vonë, nëse nuk arrin t’i grumbullojë ata futbollistë të cilët dëshiron t’i shohë nga afër.

“Unë do të vij në Kosovës dhe do të bisedoj me Federatën dhe shtabin teknik, dhe do të shohim se cilët futbollistë do t’i kemi në dispozicion. Nëse nuk arrijmë t’i tubojmë ata futbollistë, të cilët dëshirojmë, ka gjasa që këtë grumbullim ta shtyjmë”, u shpreh Bunjkai.

Ish trajneri i klubit suedez Kalmar ka treguar se në këtë grumbullim planifikon të thërrasë 18 deri 20 futbollistë. Ndërsa i pari që i ka thënë po ftesës së Bunjakit është mbrojtësi Shqipron Skeraj.

“Kam biseduar me Albertin dhe ai më ka ftuar në grumbullimin që do të mbahet nga 7 deri më 14 qershor. Gjatë këtij kampi pritet të luajmë edhe një ndeshje miqësore me Hlamstadin”, ka thënë mbrojtësi i Koblenzit për Express.
Ftesë për këtë takim i është bërë edhe mbrojtësit Mërgim Mavraj. “Më ka telefonuar Albertit lidhur me këtë kamp, por ende nuk e di se a do të grumbullohem apo jo”, tha mbrojtësi i Bochumit për Express.

Po ashtu edhe Astrit Ajdareviç është kontaktuar nga Albert Bunjaki për këtë grumbullim. Këtë e ka konfirmuar për Express babai i mesfushorit të Leicester City, Agimi Ajdareviç

Gazeta Express ka mësuar se për këtë grumbullim janë ftuar edhe portieri Aldi Haxhia (Chelsea), Besian Idrizaj (Swansea City), Adrin Nikçi (Zurich), Shkëlzen Gashi (Xamax), Taulant Xhaka (Basel U21), Visar Berisha (Schaffhausen), Etrit Berisha (Kalmar), Anel Raskaj (Halmstad) etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›