Prerja e pemëve te Parku i Liqenit, përplasje Bashki-PS
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por edhe qeverinë se me alibinë për zgjerimin e rrugës së Elbasanit është duke prerë pemët në parkun kombëtar për ti hapur rrugë, interesave klienteliste të lidhura me kryeministrin e vendit për të ndërtuar në këtë park.
Për vite me radhë i është bërë rezistencë nga Bashkia e Tiranës çdo lloj përpjekjeje prej interesash private për të ndërtuar në zonën e Parkut. Sot, me alibinë e zgjerimit të Rrugës së Elbasanit, po ndodh hapja e territorit të Parkut për interesat e një klientele me dominancë të fortë edhe në vetë ekonominë e vendit. Duhet vënë alarmi sepse ky zgjerim po përdoret si alibi për ti hapur rrugë interesave të klientelës më të afërt të pushtetit, të kryeministrit dhe të gjithë oborrit të tij, u shpreh Rama në një dalje për mediat.
Kreu i selisë rozë tha se, klientë të qeverisë dhe oborrit të kryeministrit po blejnë ndërtesa të vjetra në qendër të kryeqytetit dhe që plani francez i ka konsideruar te paprekshme duke paralajmëruar se dhënia e lejeve të ndërtimit në këtë zonë do të sjellë shkatërrim të plotë.
Klientët e pushtetit janë turrur dhe po blejnë njëra pas tjetrës godinat e vjetra të zonë së qendrës që janë vënë në mbrojtje dhe si të tilla janë përfshirë pjesë e paprekshme brenda kufijve të planit francez të qendrës. Zhbërja e planit francez ka qëllim ti hapë rrugë zhbërjes se kësaj trashëgimie kulturore me qëllim të hapur fitimi përmes shkatërrimit që do të sillte dhënia e lejes së ndërtimit në gjithë këtë zonë është një vizion barbarizues, tha Edi Rama.
Por, kreu socialist denoncoi edhe prerjen e pemës 240-vjeçare të Ethem Beut, buzë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Rama argumentoi se shumë mund të shtrembërojnë buzët duke e konsideruar si diçka të vogël për denoncimin e një lideri të opozitës por theksoi se ajo është shprehja më shembullore e një vizioni barbar që kërcënon kryeqytetin.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës reagoi menjëherë pas deklaratave të ish-kryetarit Edi Rama në lidhje me prerjen e pemëve në rrugën e Elbasanit. Në deklaratë thuhet se Bashkia shpreh keqardhjen e thellë që z. Rama zgjodhi sërish konfliktin politik mbi interesat e qytetarëve të Tiranës.
“Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, – thuhet në deklaratë, – do të lehtësojë trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës se banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në deklaratë thuhet se, “projekti i zgjerimit me 6 korsi i rrugës së Elbasanit parashikon mbjelljen e 480 pemëve dekorative, ndërsa vetëm këto 9 muaj në park janë mbjellë 500 pemë të reja dhe do të mbillen edhe 3 mijë të tjera brenda vitit”.
24 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Prerja e pemëve te Parku i Liqenit, përplasje Bashki-PS burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci