Hapet Java e Kulturës dhe Historisë çame

Shpëtim Idrizi
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ftoi dje të gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të organizohen me rastin e Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë, që nis në datën 25 deri në 30 qershor. Idrizi deklaroi se çështja çame, kultura dhe tradita e kësaj treve u përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht prejardhjes krahinore apo bindjeve politike. Kreu i PDIU-së, në bashkëpunim me shoqatat Çamëria, Klubin e Patriotëve të Rinj, do të do të shpalosin në 5 ditë festime kulturën, traditën dhe historinë e një treve, që sipas Idrizit simbolizon identitetin e kombit shqiptar. Kryetari i PDIU-së deklaroi se çështja çame do të prezantohet dhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku të gjithë deputetët do të njihen me historinë dhe tragjedinë e kësaj pjese të popullit shqiptar. Lajtmotivi i kësaj jave do të jetë ditën e shtunë, aty ku ne shlyejmë një borxh ndaj martirëve të kombit tonë, që humbën jetën nga gjenocidi grek. Në Kllogjer të Sarandës, ku më shumë se 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr, do të kenë një varrezë monumentale për ti nderuar, për të kujtuar atë çka ndodhi e për të marrë forcë për betejën tonë legjitime. Nevoja për të mos harruar është sot qëllimi i çdo shqiptari patriot. Në Kllogjer, do të nisim një epokë të re, ku e shkuara do të gdhendet e pashueshme dhe e ardhmja do të marrë një hov të ri, deklaroi Idrizi.
Axhenda e javes Çame
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet paraqiti dje dhe një projekt që do të zbatohet në Ninat të Sarandës, ku sipas Shpëtim Idrizit do të nderohen figura të shquara të Kombit, si Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferi, me një kompleks mural për shqiptarët e Çamërisë. Po ashtu, PDIU do të organizojë dhe marshimin e heshtur në Qafë-Botë, me qëllim dhënien e mesazhit se çamët do të kthehen në trojet e tyre.