Beteja për sekretarët në selinë blu
Emërimi i Nokës në qeveri përshpejton procesin. Emrat që pritet të garojnë
Fatjona Mejdini
Ndryshimet e fundit të bëra në qeveri duket se kompletuan deri në zgjedhjet e ardhshme ekzekutivin shqiptar, por lanë zbuluar Partinë Demokratike si forca më e madhe e koalicionit të djathtë qeverisës. Vakum që pritet të kthehet me ardhjen e vjeshtës me betejën e brendshme për të zënë postet partiake, ku kanë nisur të dalin edhe konkurrentët e mundshëm. Plotësimi i fundit në kabinetin Berisha, me vendosjen e sekretarit organizativ të PD-së si ministër i Brendshëm, varfëroi edhe më shumë jetën në selinë blu, duke i lënë të boshatisura zyrat e partisë, e cila në 2005-n arriti të fitonte zgjedhjet. Por vëmendja e paktë në drejtim të sekretariatit qendror të PD-së duket dhe në kuadër të mosrifreskimit të emrave të këtyre zyrtarëve, të cilët kanë dy vite e gjysmë me mandate të përfunduar. Kjo bën që aktualisht si sekretar i PD-së për marrëdhëniet me jashtë në faqen zyrtare të kësaj partie, të figurojë edhe emri i Besnik Mustafajt, i cili ka më shumë se një vit që është shkëputur nga veprimtaritë e kësaj force politike. Gjithsesi, burime pranë PD-së bëjnë të ditur se në muajin shtator, Kryeministri Berisha, drejtuesi i PD-së, të mbledhë Këshillin Kombëtar për të zgjedhur nënkryetarët e kësaj partie, po kështu edhe sekretariatin qendror. Këto zgjedhje marrin një rëndësi të veçantë në momentin kur vetëm një vit e ndan vendin nga gara elektorale, në të cilën puna organizative e çdo partie ka një peshë kryesore.
Sekretarët
PD-ja ka preferuar që zyrtarët e saj të lartë të partisë ti emërojë edhe në poste kyçe në kabinetin qeveritar. Aktualisht sekretari i përgjithshëm i PD-së, është ministri i Financave Ritvan Bode. Drejtimi i një ministrie tepër të rëndësishme dhe delikate siç është ajo e Financave, duket se i lë pak kohë Bodes për tu marrë me punët organizative të partisë, duke bërë që zyrën e tij në selinë blu ta frekuentojë vetëm në raste të rralla. Nga ana tjetër, sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, ka marrë postin e ministrit të Brendshëm, një post ky me rëndësi të veçantë dhe tepër impenjativ për sa i përket mbarëvajtjes. Burime në selinë blu, bëjnë të ditur se ndër emrat më të kuotuar për tu ngritur lart në karrierën politike të Partisë Demokratike janë: Sokol Olldashi, Jemin Gjana, Mesila Doda, Edi Paloka apo edhe Selami Xhepa. Njeriu i dytë më i votuar për Kryesinë e PD-së, Sokol Olldashi, shikohet si kandidati më potent për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm, i cili është realisht karrigia numër 2 e selisë blu. Mesila Doda, e cila është diskutuar edhe si opsion i mundshëm si ministre e Brendshme, mund të marrë një post në sekretariatin për marrëdhëniet ndërkombëtare apo edhe marrëdhëniet me publikun. Për vendin e Flamur Nokës, mund të rikthehet Jemin Gjana, i cili është marrë gjatë me organizimin në PD. Edi Paloka, nënkryetari i grupit parlamentar, si dhe një nga deputetët aktivë të mazhorancës, gjithashtu shikohet si një mundësi për sekretarin e marrëdhënieve me publikun, në kohën kur pritet një fushatë e fortë zgjedhore. Selami Xhepa, një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë në grupin parlamentar, mund të marrë sekretariatin për ekonominë. Ndërkohë, kreu i Komisionit për Ligjet mund të mbulohet sërish nga kreu aktual zoti Rusmali, ndërsa për sekretariatin e çështjeve zgjedhore mund të emërohet zoti Oert Bylykbashi, eksperti kryesor i mazhorancës në këtë fushë.
Mandatet
Nënkryetarët e Partisë Demokratike, Astrit Patozi, dhe Jozefina Topalli, si dhe tetë sekretarët e tjerë të kësaj partie, mes të cilëve dhe sekretari i përgjithshëm Ritvan Bode, nuk i gëzojnë de jure mandatet e tyre. Kjo, pasi prej dy vitesh e gjysmë mandati i tyre ka skaduar. Teksa pritej që Këshilli Kombëtar të votonte në dhjetor të vitit 2009 për përbërjen e re të sekretariatit qendror, procesi u ndërpre, duke mos dhënë deri tani asnjë arsye bindëse. Këshilli Kombëtar i zgjedhur në fundin e 2009-s i ripërtëriu përmes votimit të fshehtë mandatin katërvjeçar, vetëm kryetarit të kësaj partie, Sali Berishës, duke e lënë pjesën tjetër të zyrtarëve qendrorë të partisë pa një mandat të ri.
Emrat
Olldashi - Ministri i Punëve Publike është njeriu i dytë më i votuari në Kryesinë e PD-së. Shikohet si mundësi për sekretar të përgjithshëm
Doda – Deputetja e PD-së, që u fol si ministre e Brendshme, është emër i mundshëm për të marrë një sekretariat të rëndësishëm
Gjana – Kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese pritet që të rikthehet në selinë blu për tu rimarrë me organizimin e PD-së
Paloka – Nënkryetari i grupit parlamentar shikohet si mundësi për të përballuar sektorin me publikun gjatë fushatës zgjedhore të 2013-s
Beteja për sekretarët në selinë blu burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci
