E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE: Politika ta shndërrojë integrimin në qellim kombëtar

TIRANË- Presidenca e Bashkimit Europian i bën thirrje klasës politike shqiptare që të bashkojë votat për miratimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota. Ambasadorja e Polonisë në Tiranë Irena Tatarzinska, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, në një intervistë për AS, i ka bërë dje apel politikës shqiptare që ta shndërrojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në një qellim kombëtar.

“Unë mendoj se ka ardhur koha që politikanët shqiptarë ta shndërrojnë integrimin europian në prioritetin e prioriteteve ata duhet ta konsiderojnë atë si një qëllim kombëtar. Unë e di se të gjitha forcat politike në Shqipëri e deklarojnë integrimin europian si një përparësi, dhe kjo është vërtetuar në sondazhe edhe nga shoqëria shqiptare përmes një përqindjeje shumë të lartë. Kjo është diçka shumë e pazakontë. Pra, ky proces mbështetet fort nga njerëzit e zakonshëm. Ne, si Bashkimi Europian, i inkurajojmë politikanët shqiptarë dhe shoqërinë civile të jenë aktivë në këtë drejtim, dhe të konsiderojnë 12 rekomandimet e Komisionit Europian dhe rekomandimet e ODIHR-it dhe t’i bëjnë zgjedhjet e ardhshme të pranueshme nga të gjitha palët, në mënyrë që të mos ketë asnjë ankesë. Por për këtë nevojitet reforma në Kodin Elektoral nevojitet dialogu konstruktiv, në´mënyrë që politikanët të përqëndrohen tek kjo nevojë urgjente.”, tha Tatarzinska.

Ajo përshëndet kthimin e opozitës në parlament dhe vlerëson se nëse kjo shoqërohet me veprime konkrete do të reflektohet në progres-raportin që komisioni europian do të publikoj për Shqipërinë më 12 tetor.

"Kthimi i opozitës në parlament është një sinjal shumë pozitiv. Ky është hapi i parë konkret, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dhe ne besojmë se pas këtij hapi të parë, do të ketë një hap tjetër me këtë nënkuptoj, se do të ketë veprime reale, ku përfshihet dialogu konstruktiv mes opozitës dhe qeverisë, si dhe adresimi i reformave, kaq shumë të nevojshme. Dua të theksoj diçka. Unë e vlerësoj progresin që populli´shqiptar dhe qeveria shqiptare kanë bërë deri tani, por gjithsesi, ka ende shumë për të bërë. Tani për tani, çështja më urgjente është adresimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Europian dhe rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të fundit dhe pas zgjedhjeve të fundit parlamentare ne i trajtojmë këto rekomandime së bashku. Nëse më pyesni se a do të reflektohet hyrja e opozitës në parlament në progres raportin e fundit, nëse ky kthim do të mbështetet nga veprime konkrete, nga dialogu konstruktiv, i cili duhet të çojë në reforminin e mëtejshëm të vendit", theksoi ambasadoja e Polonisë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›