E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE: Shqipëria duhet të plotësojë masat kyçe të mbetura për t’i hapur rrugë statusit

06-12-2012 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, vizitë zyrtare në Qipro, takim me homologen Marcoullis

Ministrja Majlinda Bregu zhvilloi një takim zyrtar në Nikosia të Qipros, me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme të Qipros, znj. Erato Kozakou-Marcoullis në kuadër të Presidencës të Këshillit të BE. Gjatë takimit Ministrja Qipriote uroi Ministren Bregu për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ministrja Marcoullis theksoi se gjatë Presidencës, Qipro ka qenë një mbështetëse e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, dhe se çështjet e zgjerimit të Ballkanit Perëndimit, kanë qenë në qendër të axhendës të kësaj Presidence. Ministrja Marcoullis, vlerësoi ecurinë e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të plotësimit të 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian. Në këtë frymë, theksoi Marcoullis,në mbledhjen e radhës të Këshillit Europian, do të shqyrtohet ndër të tjera edhe rekomandimi i Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë. Për këtë arsye, sipas saj Shqipëria duhet të plotësojë masat kyce të mbetura për ti hapur rrugë votimit të vendeve anëtare për dhënien e statusit. Ministrja qipriote, vlerësoi gjithashtu rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria në rajon në drejtim të promovimit të fqinjësisë së mirë. Nga ana e saj Ministrja Bregu falënderoi Ministren Marcoullis për ftesën e saj dhe për mbështetjen e dhënë nga Qipro në procesin integrimit të Shqipërisë në BE gjatë presidencës, veçanërisht si një vend që ka kaluar të njëjtat sfida si Shqipëria. Ministrja Bregu, e njohu Ministren Marcoullis, mbi arritjet e Shqipërisë në kuadër të plotësimit të reformave në kuadër të Planit të Veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, si pjesë integrale e reformave te vazhdueshme që ka ndërmarrë Shqipëria prej disa vitesh. Ministria Bregu vlerësoi Raport Progresin e Komisionit Evropian 2012, në të cilat vlerësohen reformat e ndërmarra nga Shqipëria deri më tani. Shqipëria ka plotësuar të gjithë detyrimet e parashikuar si masa kritike në bashkëpunim me Komisionin Evropian, si heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë, reformën zgjedhore dhe një sërë ligjesh me shumicë të cilësuar. Ashtu sikurse është theksuar në Progres Raportin 2012, tashmë kanë mbetur pa plotësuar tre masa: rregullorja e parlamentit, ligji për Gjykatën e Lartë dhe ai për statusin e nëpunësit civil.
Ministrja e Integrimit në Samitin e organizuar nga “Friends of Europe” - Bregu: Opozita ka vendosur axhendën partiake mbi interesin kombëtar/Ministrja Majlinda Bregu mori pjesë në Samitin e organizuar nga “Friends of Europe” me temë: “Progresi i Ballkanit, përpjekjet për të kapërcyer impaktin e krizës”. Forcimi i Demokracisë dhe i shtetit të së drejtës ishte paneli i parë i diskutimit, ku veç ministres Bregu, morën pjesë dhe kryeministri serb Daçiç, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit, Stefano Sannino, eurodeputeja Tanja Fajon etj.
Në ndërhyrjen e saj, ministrja Bregu u përqendrua në prezantimin e reformave të Shqipërisë, në përballjen e efekteve të krizës ekonomike dhe përpjekjet e luftës kundër korrupsionit. Ministrja Bregu u ndal gjithashtu dhe tek ecuria dhe realizimi i të gjitha masave të përcaktuara për integrimin e Shqipërisë në BE; duke theksuar edhe një herë se axhenda e integrimit ka qenë gjithëherët prioriteti i qeverisë shqiptare.
Por nga ana tjetër, ministrja theksoi se tronditja nga kriza nuk duhet t’i lerë vend rritjes së dyshimit mbi aftësinë që vendet aplikante kanë për të përballuar sfidat e integrimit. “Politikat e zgjerimit janë iniciuar si frymëzuese dhe të tilla duhet të mbeten. Pavarësisht se në Shqipëri nuk ka forcë politike të artikuluar si anti-evropiane, eksperienca e viteve të fundit ka treguar se jo gjithmonë kushtet që BE vendos, për të vlerësuar konsensusin e forcave politike për çështjet e integrimit, funksionojnë. Fatkeqësisht axhenda partiake, prej opozitës në Shqipëri është vendosur mbi axhendën kombëtare dhe axhendën e integrimit evropian”- u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Me tej, ministrja Bregu theksoi se forcim i demokracisë do të thotë të plotësosh standardet demokratike evropiane brenda vendit. “Politikanët kërkojnë votë për këto standarde dhe ndëshkohen me humbje kur i shkelin ato”- theksoi Bregu.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Majlinda Bregu u shpreh se progresi i një vendi duhet të vlerësohet, dhe procesi i anëtarësimit, pavarësisht sa i gjatë e i vështirë, duhet të jetë frymëzues, si një proces ku fitojnë të gjitha palët.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›