E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca mirëpret konsultimet edhe për standardet e procesit të përzgjedhjes

Gjatë mbledhjes së grupit të ekspertëve, Presidenti i Republikës Bamir Topi, ka kërkuar përshpejtim të punës për zgjidhjen e cështjes së dekreteve Presidenciale për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ai e cilësoi emergjente situatën e krijuar në këtë gjykatë dhe nuk hezitoi të shprehte keqardhjen për votimin në bllok që rrëzoi 5 dekretet e tij. “Në rastin më të keq u rrëzuan të 5 dekretet, kurse në rastin më të mirë njëri shpëtoi”. Duke u ndaluar tek kriteret e përdorura për përzgjedhjen e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë tashmë të rrëzuar nga Kuvendi, Topi u shpreh se “përzgjedhjet ishin shumë të kujdesshme” dhe shtoi “se ishin kandidatë të cilët gjatë viteve të punës së tyre kanë punuar në institucione ndërkombërtare dhe kanë pasur një karrierë të suksesshme”. Presidenti Topi tha se “Komiteti juridik vlerësoi kandidatët përtej politikës”. Sipas tij votimi i 16 qershorit në Parlament ishte një votim politik. Duke theksuar se Presidenti ka të drejtë ekskluzive të dekretojë emrat për anëtar të Gjykatës së Lartë dhe Parlamenti ka të drejtë të votojë, Topi kërkoi respektimin e kritereve ligjore. “Ajo që nuk mund të ndryshojë, vetëm nëse ndryshon Kushtetuta, është që Presidenti ka të drejtën ekskluzive të propozimit të anëtarëve”, theksoi Topi. Kreu i shtetit ftoi që brenda ditës së martë të gjithë ata që duan të konkurrojnë për anëtar të Gjykatës së Lartë të sjellin CV-të e tyre në mënyrë që sa më shpejt të plotësohen vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Kreu i Shtetit komentoi rrëzimin në Kuvend të pesë dekreteve, që sipas tij nuk kanë qenë në sinkron me pritshmërinë, që kam pasur në ushtrimin e kompetencave të përcaktuara nga ligji themeltar i shtetit. “Pavarësisht nga ky fakt, në vazhdën e një tradite dhe kulture kushtetutese kam realizuar dhe vazhdoj të ruaj një kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe nuk kam lejuar asnjë lloj shmangie nga përgjegjësitë kushtetuese, të cilat kërkojnë një komunikim ndërinstitucional”, nënvizoi Topi. Duke u ndalur tek emrat e propozuar për organin e lartë të gjyqësorit, Presidenti tha se “përzgjedhja e tyre ka qenë e kujdesshme dhe e konsultuar. Ata janë njerëz që kanë punuar në institucione ndërkombëtare, kanë qënë pjesë e qeverive demokratike dhe për ta janë bërë vlerësime mjaft komplekse nga komuniteti i juristëve”. “Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë është instanca gjyqësore finale, vendimet e së cilës janë përcaktuese në perceptimin e dhënies së drejtësisë në opinionin publik dhe vendimtare në krjimin e jurisprudencës. Për këto arësye madhore kompromiset në përzgjedhjen e gjyqtarëve të kësaj Gjykate ecin vetëm në një drejtim, në atë garantimit të kapaciteteve të larta profesionale", nënvizoi Presidenti. Sipas tij, ky është një rast kur të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm për dy elementë që janë, integriteti moral dhe kapacitetet profesionale. “Ato duhet të jenë predominuese në përzgjedhjen e këtyre njerëzve, për të shkuar në një proçes legjitim në marrjen e pëlqimit nga Kuvendi. Llogjika kushtetuese thotë se Gjykata e Lartë zgjidhet me pëlqimin nga Kuvendi, jo për të marrë orientimet partiake, por si garanci për të promovuar më të mirët”, u shpreh Presidenti Topi. Presidenti i Republikës Bamir Topi, që është propozuesi për ngritjen e këtij grupi pune, vuri në dukje se Brenda 10 ditëve duhet të jenë gati emrat për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nisma e Presidentit, i përkon situatës së rrëzimit të pesë dekreteve të emërimit të gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe vendosi të ngrejë një grup pune me qëllim asistencën në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të kësaj gjykate. Ky grup ekspertësh dhe përfaqësuesish të jurisprudencës shqiptare ka objektiv asistencën ligjore në proçesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe do të funksionojë për një periudhë 10-ditore.
Dyert e komunikimit institucional janë të hapura/ Presidenti i Republikës Bamir Topi konfirmoi dje se dyert e komunikimit institucional janë të hapura dhe çdokush është i ftuar të sugjerojë mbi përmirësimin e standardeve për një shtet juridik më të fortë dhe për forcimin e institucioneve kushtetuese, sigurisht duke mos lejuar në asnjë rast interferenca apo remineshenca antiligjore. Këtë deklaratë Presidenti Topi e bëri gjatë mbledhjes së parë të grupit të punës për asistencë ligjore në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, e cila u zhvillua dje në Presidencë. Duke respektuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për rrëzimin e 5 dekreteve për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Presidenti Topi vuri në dukje se “ky proces po ecën paralelisht me gjetjen e mundësive për t’i hapur rrugë veprimtarisë normale të kësaj Gjykate”. Në këtë drejtim, Kreu i Shtetit shprehu predispozitën maksimale për të respektuar parimin e ndarjes së pushteteve si dhe dëshmoi tolerancën presidenciale për ecurinë e shtetit të së drejtës. “Sot dua të lançoj veprimtarinë e grupit të punës për asistencë juridike i përbërë nga specialistë të shquar të ligjit dhe nga juristë të karrierës, qëllimi i të cilit është të përgatisë në presidencë terrenin informativ mbi kandidaturat e përshatshme për në Gjykatën e Lartë, si dhe të realizojë konsultimin ndërinstitucional”, tha Presidenti Topi. Kreu i Shtetit vuri në dukje se standardet janë përcaktuese në përzgjedhjet periodike të këtij niveli, madje më të rëndësishme se vetë emrat e kandidatëve në Gjykatën e Lartë, të cilat sipas Kushtetutës kanë qenë dhe janë ekskluzivitet i institucionit të Presidentit. Duke shprehur gatishmërinë për respektimin e gjithë kornizës ligjore kushtetuese, Presidenti Topi vuri në dukje se “procesi i konsultimit që po lancohet sot i krijon mundësinë çdo deputeti apo grupi parlamentar që të japë objeksionet e veta lidhur me kandidaturat”. Por sipas tij “në përfundim të këtij proçesi skanimi të gjithë kandidaturave ku do të vlerësohet kriteri ligjor, integriteti dhe profesionalizmi i tyre, Presidenti ka të drejtë të përzgjedhë emra në ekskluzivitetin e tij, për t’ia dërguar parlamentit, i cili mund të japë ose jo pëlqimin e tij”. Në përfundim, Presidenti Topi theksoi se “ky proçes do të realizohet në një kohë relativisht të shkurtër, brenda 10 ditëve, ndërkohë që brenda datës 24 qershor do të pranohen edhe kandidatura të reja”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›