Emrat e Gjykatës së Lartë, pas të martës - konsultime edhe për standardet
Votimi i 16 qershorit për dekretet e Presidentit, që shënoi edhe rrëzimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ka shkaktuar një debat të zjarrtë politik. Megjithatë, përplasja institucionale ndërmjet Presidentit të Republikës dhe Kuvendit duket se po e orienton politikën drejt gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare dhe për dhënien fund të këtij ngërci. Mazhoranca është shprehur dje për ndryshime të mundshme në rregullore, duke vënë në dukje se parasëgjithash ndryshime të tilla duhet të jenë më të ngutshme në ligjin për Gjykatën e Lartë. Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, u shpreh dje se emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë kërkon bashkëpunim ndërmjet institucionit të Presidentit dhe parlamentit. Beja tha se mbyllja e procesit të kandidaturave të ardhura në Kuvend për gjyqtarë në këtë Gjykatë, nuk ishte thjesht çështje emrash të personave të veçantë, por një çështje shumë e rëndësishme, që bazuar në Kushtetutë kërkon një proces bashkëpunimi midis institucionit të Presidentit dhe parlamentit. “Bashkëpunimi ndërinstitucional është në të mirë të përzgjedhjes më cilësore të kandidaturave dhe zhvillimet e djeshme e të sotme po provojnë atë që kërkohet, një transparencë më të plotë për anëtarë e organit më të lartë gjyqësor në vend”, theksoi Beja. Në deklarimin e tij, z. Beja, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, u shpreh i hapur dhe për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, të propozuar nga grupi parlamentar i PS-së. Sipas këtij propozimi, synohet amendimi i nenit 111 të rregullores parlamentare, që lidhet me procedurat e dekreteve të Presidentit. Më 16 qershor Kuvendi rrëzoi me shumicë votash pesë dekretet e Presidentit të Republikës për emërimet e propozuara prej tij për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë. Pas kësaj situate, Kreu i shtetit propozoi ngritjen e një grupi pune, të përbërë nga ekspertë të fushës së jurisprudencës, të cilët do të ofrojnë asistencën e tyre për emrat e rinj që Kreu i shtetit do të sjellë në parlament, për plotësimin e vendeve vakant në këtë Gjykatë. Por sipas Bejës më shume se sa rregullorja është ligji për Gjykatën e Lartë ai që ka nevojë për ndryshime të menjëhershme. Gjithashtu, Beja vlerësoi shqetësimin e ambasadorit amerikan Withers për votimin e së hënës ndërsa bëri të ditur fillimin e konsultimeve nga mazhoranca.
Edhe PS propozon ndryshime në rregulloren e Kuvendit/Edhe deputetë të grupit parlamentar të PS-së publikuan dje nismën ligjore për një ndryshim në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, që lidhet me shqyrtimin e kandidaturave për institucionet kushtetuese. Gjatë një konference për shtyp, deputeti i PS-së, Besnik Dervishi tha se ndryshimet e propozuara lidhen me amendimin e nenit 111, pika 3 dhe 6 të tij, të rregullores parlamentare. Neni në fjalë parashikon procedurat që ndiqen për dekretet e Presidentit. Sipas tij, në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i tij ia kalon kërkesën komisionit të Ligjeve, i cili brenda 7 ditësh shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore. Deputeti Dervishi nënvizoi se “nisma e propozuar nga PS synon shmangien e konflikteve që mund të krijohen mes organeve kushtetuese”. Amendimi i rregullores i iniciuar nga PS merr shkas nga situata e krijuar në seancën e së hënës në Kuvend (16 qershor) ku me shumicë votash deputetët rrëzuan dekretet e Presidentit për emërimin e pesë emrave të rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë