Presidenti Begaj në Vatikan për ceremoninë e inaugurimit të Papa Leonit XIV, takohet me Atin e Shenjtë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Vatikan në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV, ku merrnin pjesë personalitete të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës.
Kreu i Shtetit pati edhe një takim me Papa Leoni XIV, të cilit i shprehu urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes At i Shenjtë dhe Peshkop i Kishës Katolike Romake.
“I lumtur që isha pjesë e ceremonisë së inaugurimit të Papa Leoni XIV në Selinë e Shenjtë, Vatikan. Le të frymëzohemi nga misioni i Papa Leoni XIV për paqen dhe ndërtimin e urave të dialogut për të përballuar bashkë sfidat dhe pasiguritë. Besoj se Papa Leoni XIV do të sjellë paqe, harmoni dhe unitet në botë.”-shkruan Presidenti Begaj teksa ka bërë publike fotot nga ceremonoia e inaugurimit të Papa Leoni XIV.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës përgëzoi Atin e Shenjtë për misionin e tij në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut në një botë të mbushur me sfida dhe pasiguri.
Presidenti Begaj theksoi se udhëheqja e tij shpirtërore përfaqëson një zë që jep shpresë, dhembshuri dhe unitet ndërmjet njerëzve.
Shqipëria është model i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti dhe harmonia midis feve të ndryshme janë vlera të rrënjosura thellë dhe trashëgimi e çmuar ndër breza.
Shqipëria pret me padurim të vazhdojë marrëdhënien e ngrohtë e të sinqertë me Vatikanin.
Në këtë ceremoni Presidenti u shoqërua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.
/rtsh.al/