E Martë, 3 Nëntor 2026

Presidenti Begaj takon në Shkup Kryeministrin Xhaferi dhe Kryetarin e Kuvendit e Maqedonisë së Veriut

Në një takim zyrtar, Presidenti Begaj i uroi Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashit përmbushjen me sukses të angazhimeve në detyrën e re të Kryeparlamentarit, ndërsa vlerësoi faktin e përfaqësimit shqiptar në krye të institucioneve drejtuese të Maqedonisë së Veriut.  

Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e mësimeve nga e kaluara dhe nevoja për të mos përsëritur gabimet.

“Ne, si persona me funksione publike, duhet të kemi kujdes të mos përsërisim gabimet e së shkuarës dhe të punojmë për një të tashme e të ardhme më të mirë”,- u shpreh Presidenti Begaj.

Ai shtoi, gjithashtu, se brezave të rinj duhet t’u lëmë një trashëgimi të përbashkët rajonale, të ndërtuar mbi urat e miqësisë, të cilat, në dallim nga e kaluara, ku urat më shumë shkatërroheshin, tani ndërtohen lart.

 Bashkëpunimi mes dy vendeve u përshkrua si i shkëlqyer, ndërsa u vunë në dukje edhe hapësirat e mbetura për përmirësim.

“Ne duhet të punojmë së bashku si shqiptarë, si maqedonas dhe si qytetarë të këtij rajoni”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar angazhimin për të vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit.

Presidenti Begaj shprehu bindjen për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe vazhdimin e projekteve të përbashkëta, me qëllim që rruga e bashkëpunimit, siç u shpreh ai, “nga dy korsi të përbashkëta, të zgjerohet në katër të tilla.”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Shkup zhvilloi një takim edhe me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj e përgëzoi Xhaferin për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe suksesin e arritur në realizimin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat përmbushën të gjithë parametrat demokratikë si të drejta dhe të pakontestueshme.

Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtetformimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë Presidenti Begaj i cilësoi si të shkëlqyera në nivelin politik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok, si në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e  energjisë dhe të turizmit.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha. Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në organizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë. 

Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, – theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj  shprehu besimin se do të vijohet  në këtë mënyrë drejt finalizimit të rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve,  me anëtarësimin në BE.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›