E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Djala: Na penalizuan, por e merituam Superioren

Deklaratat

Tashmë e ka siguruar qëndrimin në Superiore dhe, ndoshta për herë të parë në pjesën e dytë të këtij sezoni, shikojmë presidentin e Kastriotit, Artan Djala, të kënaqur që nuk u dedikon gjyqtarëve fatin e keq të skuadrës në ndeshjet e barazuara apo të humbura gjatë këtij sezoni. Madje, në këtë mesjavë ai ka rezervuar fjalët më të mira për atë gjykim, të cilin e kishte kontestuar për më shumë se gjysmë sezoni. I pyetur se “në sezonin e parë me krutanët, ai mundi të sigurojë qëndrimin në elitë”, ai përgjigjet: “Rëndësi ka që fituam. Treguam se nuk e merituam të ishim në ‘play-out’ dhe pse gjatë kampionatit kanë ndodhur ngjarje, ku na janë hequr padrejtësisht pikë, ose kundërshtarët tanë direkt janë favorizuar në mënyrë të hapur. Nuk dyshoja te fitorja, edhe pse ndeshja ishte shumë e vështirë. Megjithatë, skuadra tregoi impenjim, zemër dhe sakrifikoi për të qëndruar mes më të mirave. Arritëm të kënaqnim tifozët tanë që e meritonin. Gjykimi? Ka qenë mjaft i mirë”, përfundon presidenti. Protagonist i kësaj arritjeje është padyshim edhe portieri Ilion Lika. “Ishte një sezon i vështirë, shprehet ish-portieri i Dinamos e Kombëtares. Nuk e meritonim të ishim në këtë pozicion. Edhe pse të tjerët kanë bërë padrejtësi, Zoti ka vendosur gjithçka në balancë. Gjykimi? M’u duk më se normal. Veprimet e Lushnjës ishin të pritshme, por edhe ata janë prej mishi dhe prej gjaku dhe adrenalina ishte e lartë”. Ndërsa goleadori i krutanëve, Abazaj, thekson se “e meritojmë të jemi në Superiore, pasi kurorëzohet puna e gjithë vitit”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›