E Diel, 1 Nëntor 2026

Një gol dhe shumë sherr i japin Kastriotit Superioren

Lushnja nuk ka fat në play-out dhe zhgënjimin e kthen në dhunë

Pas Skënderbeut është Kastrioti që rikonfirmohet në Kategorinë Superiore. Por mënyra e krutanëve për të ardhur deri në këtë pikë ka lënë shumë për të dëshiruar, jo për faj të tyre, por në bashkëpunim edhe me kundërshtarët e irrituar nga një humbje zhgënjyese e degjeneruan takimin në tension dhe grushte. Gjithsesi kjo tregon se për sezonin e ardhshëm nuk ka vend në elitën e futbollit për ekipet e renditura në vendin e tretë dhe të katërt në Kategorinë e Parë. Krutanët në “Qemal Stafa” në prani të shumë tifozëve, nga të dyja qytetet (por më së shumti nga Lushnja), skuadrat kanë sfiduar njëra-tjetrën, duke dhuruar një lojë të fortë, shpeshherë edhe të tensionuar. Kastrioti ka qenë me fat, sepse ka kaluar në epërsi shumë herët, që në minutën e 3, me anë të sulmuesit Abazaj. Ishte një goditje këndi e ekzekutuar nga e djathta e sulmit krutan prej Turdiut, e cila është harkuar në zonën lushnjare, ku ka goditur bukur me kokë Abazaj dhe avantazh 1-0 për krutanët. Skuadra e Ndreut bëhet me krahë, ndërsa Lushnja shokohet nga pësimi i këtij goli të shpejtë, njëlloj si Kamza 24 orë më parë ndaj Skënderbeut. Por me kalimin e minutave lushnjarët e marrin veten dhe fillojnë të rrezikojnë shumë herë portën e Ilion Likës. Bubeqi dhe Klodian Arbri janë kërcënimi i Lushnjës, por e kanë të vështirë të rrezikojnë seriozisht portën e krutanëve. Lushnja shkarkon të gjitha bateritë e saj në manovrën sulmuese dhe mesfushori organizator i lushnjarëve, Gentian çela, ka vënë disa herë në vështirësi portierin Lika: ai ka dribluar tre mbrojtës krutanë dhe pas një ndërhyrje të dyshimtë ka pretenduar për një penallti, por gjyqtari Janku nuk e ka miratuar. Minutat në vazhdim janë të tensionuara dhe si zakonisht në futbollin tonë ekipi në humbje është protagonisti kryesor. Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, dhe zv.trajneri Agim çuko, detyrohen të lënë pankinën pas dy kartonëve të kuq për protesta të ashpra ndaj gjyqtarit Janku. Skuadra drejtohet në minutat e mbetura nga Llazar Dushi. Goli i barazimit mungon deri në fund, pasi krutanët janë të kujdesshëm në repartin difensiv, ku Bubeqi dhe Arbri mbeten në hije. Që Kastrioti nuk ka pësuar gola, nuk i duhet mohuar merita portierit të Kastriotit, Lika, që e ka shpëtuar portën disa herë. Por fundi i ndeshjes është një shfaqje e shëmtuar, mes lojtarëve dy skuadrave shpërthen një sherr masiv në fushë, ku përfshihen thuajse pjesa më e madhe e futbollistëve. Nuk kanë munguar grushtet e shkelmat mes protagonistëve të shumtë, por në fund është policia ajo që ka vënë nën kontroll situatën. Lushnjarët, të cilët nuk e përtypin dot humbjen, shfryhen ndaj gjyqtarit dhe kundërshtarëve. Por edhe pse krutanët kishin në favor të tyre rezultatin, nuk mundeshin të mos kundërpërgjigjeshin, duke e kthyer fushën në një ring të vërtetë, që vetëm me futbollin nuk ka lidhje. Gjithsesi kjo nuk e ndryshonte dot verdiktin, që me vërshëllimën e gjyqtarit Janku kishte marrë formë. Falë fitores 1-0 Kastrioti qëndron mes 10 më të mirëve të Superiores, ndërsa Lushnja do të duhet të presë vitin e ardhshëm për të shpresuar ngjitjen një Kategori më lart.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›