Presidenti Medvedev kritikon Putinin

Presidenti rus Dimitri Medvedev ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Vladimir Putin rreth ndërhyrjes në Libi duke i ciëlsuar ato si “të papranueshme”. Kryeministri rus e cilësoi rezolutën e OKB-së për sulme ushtarake ndaj Libisë si të ngjashme me thirrjet për kryqëzata gjatë mesjetës.
“Në asnjë rrethanë nuk është e pranueshme të përdoren formulime që çojnë drejt përplasjes së civilizimeve”, tha Medvedev. Ai theksoi se rezoluta e OKB-së ishte korrekte, duke shtuar se nuk qe i bindur se autorizimi për të vepruar ishte mënyra më e përshtatshme për të trajtuar krizën libiane.
Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, dënoi rëndë ndërhyrjen e aleatëve perëndimorë në Libi, ndonëse vendi i tij nuk përdori të drejtën e vetos në OKB për të penguar fillimin e sulmit.
”Rezoluta është difektoze dhe ka probleme të tjera serioze. Ajo lejon praktikisht gjithçka dhe nga përmbajtja ngjan si një thirrje mesjetare për kryqëzatë”, deklaroi Putin, përpara punonjësve të një fabrike të ndërtimit të predhave balistike.
Këto komente tregojnë edhe një herë qartë rivalitetin që ekziston midis presidentit Medvedev dhe Putin, i cili besohet se do të kandidojë vitin e ardhshëm në zgjedhjet presidenciale.
Rusia ka të drejtën të rrëzojë e vetme rezolutat e OKB-së, por ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, nuk e bëri diçka të tillë në Këshillin e Sigurimit. Moska abstenoi, duke theksuar se është pjesë e politikës së saj të jashtme që të mos ndërhyjë në vende të treta.