E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Presidenti", Meta: Takimi Berisha-Rama do përshpejtonte procesin

31-05-2012 / Gazeta 55

Ndërsa Edi Rama pret me padurim një përgjigje për tu ulur "ballë për ballë" me kryeministrin Sali Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta rithekson edhe njëherë se një takim mes liderit të mazhorancës dhe kreut të opozitës, do përshpejtonte procesin e zgjedhjes së presidentit të republikës. Qëndrimi i Metës vjen pas djegies së raundit të parë zgjedhjes së Presidentit, ndërsa mundësitë janë të hapura për një angazhim konsensual mazhorancë - opozitë, gjatë raundit të dytë më 4 qershor. “Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim Berisha Rama do ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se çdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma”, shtoi Meta. Krue i LSI-së, ka kërkuar dhe një herë votimin e kandidaturës së mazhorancës për postin e kreut të shtetit, Xhezair Zaganjori. Meta tha se ka ardhur koha që politika shqiptare të mos refuzojë më kandidatët vetëm se janë propozimi i kundërshtarit “Është për të ardhur keq kur dëgjojmë paragjykime të pamenduara mirë që në vend t`i shërbejnë procesit të ndërtimit të një konsensusi ndihmojnë për të krijuar mure të panevojshme, është e rëndësishme të hiqet psikologjia e refuzimit apo bllokimit. Duhet të ecim drejt një figure që paraqet vlera të konsoliduara dhe i shërben funksionimit të institucionit të presidentit dhe besoj se duke u çliruar nga paragjykimet i kemi mundësitë të ecim në rrugën e duhur dhe ta kurorëzojmë me sukses raundin e dytë”- tha Meta. Deklaratat e kreut të LSI-së u bënë në mbledhjen e komitetit drejtues të LGI-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›