MD, masa ndëshkimore përmbaruesve privatë e noterëve

Ministria e Drejtësisë heq licencat për disa noterë dhe përmbarues private, ndërsa ka marrë masa të tjera ndëshkimore për kancelarë gjykatash dhe zyrtarë të tjerë në institucione të ndryshme të drejtësisë.
Në një deklaratë të publikuar për media MD bën me dije se masa të tilla u morën në sajë të insektimeve në sistemin e drejtësisë, ndërsa shtoi se mbetet në pritje të shqyrtimit të kërkesave për procedimin disiplinor të depozituara pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më poshtë vijon raporti i plotë :
Përmbaruesit gjyqësorë privatë
Pas fillimit të procedimit disiplinor për 7 përmbarues gjyqësorë privatë bazuar në rezultatet e inspektimit tematik për verifikimin e ankesave mbi procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, Ministria e Drejtësisë përpunoi aktet e verifikuara nga Komisioni Disiplinor për Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë.
Në përfundim të kësaj procedure administrative, Ministri i Drejtësisë vendosi dhënien e 7 masave disiplinore “gjobë” ndaj 7 përmbaruesve gjyqësorë privatë, që ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
1. Julian Ahmeti (Shoqëria përmbarimore “E.P.S.A” )
2. Gelas Yzo (Shoqëria përmbarimore “E.P.S.A”)
3. Arben Meskuti (Shoqëria përmbarimore “Z.I.G”)
4. Arben Matani
5. Gentian Strati
6. Luan Hoti (Shoqëria përmbarimore “Hoti Bailiff Service”)
7. Halit Cani
Masa e gjobës varion nga shuma 30 mijë lekë gjer në 50 mijë lekë dhe është caktuar në raport me shkeljet e evidentuara. Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se lloji i masave të caktuara do të të japë efekte edhe në rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të të gjithë sistemit të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe përmirësimin e respektimit të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të palëve në proces ekzekutimi.
Gjithashtu, në caktimin e masës konkrete është mbajtur në konsideratë fakti që sistemi i përmbarimit gjyqësor privat është në fillimet e veta dhe rrjedhimisht dhënia e masave ekstreme ndaj përmbaruesve mund të dobësojë këtë sistem.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka inspektuar 45 zyra të përmbarimit gjyqësor privat për mënyrën se si përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve. Pas përgatitjes së raportit të inspektimit, i ka kërkuar Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë shqyrtimin e shkeljeve disiplinore për 14 përmbarues gjyqësorë privatë.
Noterët
Në mbështetje të rezultateve të inspektimit të 7 zyrave noteriale me anë të katër inspektimeve në dhomat e noterisë Tiranë, Korçë, Shkodër, Laç dhe Durrës u zhvilluan procedurat administrative të njoftimit të subjekteve të interesuara dhe të Dhomave Noteriale. Në përfundim, Ministri i Drejtësisë ka vendosur heqjen e liçencave për 2 noterë të njësive vendore Lezhë dhe Devoll,
1- Notere Zana Dema
2- Notere Alketa Mullai
Ministri i Drejtesise ka dhënë vërejtje me paralajmërim për 3 noterë të njësive vendore Tiranë dhe Durrës dhe konkretisht:
1- Noter Robert Koli
2- Notere Shpresa Gjoci
3- Noter Islam Hysolli
Janë ende në proces rezultatet e 4 inspektimeve të tjera, midis të cilave inspektimi i fundit ka patur si objekt verifikimin e kushteve të zyrave të noterëve për zbatimin e reformës One Stop Shop në tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.
Administrata Gjyqësore
Në kuadër të kryerjes së kontrolleve pranë administratës gjyqësore, Ministria e Drejtësisë ka kryer inspektimin e veprimtarisë së kancelarit të në Gjykatën e Apelit Vlorë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës. Në bazë të këtyre inspektimeve, janë konstatuar se mospërmbushje të detyrës së kryer nga ana e kancelarëve të parashikuar sipas ligjit nr. 9877/2008 , “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë ”, sa i përket mbikëqyrjes së sekretarive gjyqësore në administrimin, ndjekjen dhe rregullshmërinë e veprimeve procedural mbi ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore, në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligj. Në përfundim të këtyre kontrolleve, pas vlerësimit të raporteve përkatëse, Ministri i Drejtësisë ka disponuar dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për të tre kancelarët e gjykatave të inspektuara.
Gjyqtarët
Ministria e Drejtësisë mbetet në pritje të shqyrtimit të kërkesave për procedimin disiplinor të depozituara pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.