E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Nishani dekreton dy ligje te rendesishme financiare

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar dy ligje të rëndësishme financiare. Sipas zyrës së shtypit të presidencës, dekreti i parë lidhet me shpalljen e ligjit “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj parashikon që duke nisur nga data 1 tetor, taksa e akcizës të administrohet vetëm nga doganat dhe jo më nga tatimorët sic ka funksionuar më parë. Ndryshimet ligjore të ligjit synojnë të përafrojë standardet e kërkuara nga BE, të unifikojnë procedurat dhe standardet dhe është hartuar me ndihmën e BE-së, në kuadër të programit IPA 2007. Ligji i ri garanton akcizën, e bën më fleksibël për bizneset e rregullta në treg, zgjeron gamën e garancive, ul koston e biznesit, jep më siguri, unifikon procedurat sipas rregullave të BE-së, përmirëson kohën e pagesës, parashikon firot ligjore për herë të parë, përcakton nomenklaturën e mallrave, lëvizjen e mallrave, rrit nivelin e akcizës për pijet alkoolike me përqindje të lartë alkooli. Gjithashtu sipas këtij ligji, operatorët në treg të pajisur me magazina fiskale do të kenë një modul elektronik, ku do të pasqyrojnë të gjitha lëvizjet për mallrat e akcizës, e mbi këtë bazë, do të llogariten detyrimet dhe pasqyrohet vjelja e detyrimeve. Ndërsa dekreti i dytë është ai i shpalljes së ligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ligji i ndryshuar parashikon ndërmarrjen e disa masave shtrënguese për minimizimin e ekonomisë informale, punës informale dhe rishikimin e disa dispozitave për adresimin e disa prej problemeve të evidentuara në praktikë gjatë zbatimit të ligjit ekzistues për procedurat tatimore. Ndryshimet vijnë edhe si domosdoshmëri e plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Europian në vitin 2010 përsa i përket ekonomisë informale dhe luftës ndaj evazionit fiskal. Ndryshimet dhe përmirësimet reflektojnë një realitet ekzistues, ndërkohë që mundësitë teknologjike të ofruara krijojnë lehtësi për biznesin qoftë në lidhje me regjistrimin, qoftë në lidhje me raportimin on-line.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›