E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani vizitë në Bruksel, takime me personalitete të BE

16-09-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, do të niset nesër për në Bruksel, ku në datat 17-18 shtator do të zhvillojë takime zyrtare me personalitetet më të larta të Bashkimit Evropian. Zyra e shtypit e Presidencës, përmes një njoftimi bëri me dije se në  delegacionin zyrtar, të cilin e kryeson Presidenti Nishani do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Axhenda e vizitës parashikon ditën e hënë, më 17 shtator, në orën 14.30, takim të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me Presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, pas të cilit do të ketë deklarata për shtyp dhe në orën 17.30 me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët shtypi.
 Ditën e martë, Presidenti Nishani do të takohet gjithashtu edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, ndërsa në orën 16.30 me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin do të japë edhe një konferencë për shtyp. Po të martën, Presidenti Nishani do të pritet nga Kryebashkiaku i Sharbeekut, Bernard Clerfayt dhe më pas do të zhvilloje në Universitetin e Lirë të Brukselit, në orën 18.00 një takim me përfaqësues të bashkësisë shqiptare.
Dita e tretë e vizitës së Kryetarit të Shtetit shqiptar pritet të përmbyllet me një takim me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian / Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
Vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit në Bruksel zhvillohet në prag të publikimit nga Komisioni Evropian të Raportit të Përparimit të Shqipërisë për vitin 2012.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›