Korçë, burri rreh gruan dhe e hedh në koshin e plehrave
Një 25-vjeçare po lufton me vdekjen, pasi është rrahur dhe prerë me mjete të mprehta nga bashkëshorti, i cili më pas e ka hedhur në koshin e plehrave. N
gjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, kur Eriselda Elmazi, 25 vjeç, është gjetur mes një pellgu gjaku dhe pa ndjenja, nga punëtorët e pastrimit rreth orës 05:00 të mëngjesit në lagjen 8 të Korçës. Pasi u njoftua policia u zbardh dhe identiteti i saj: Eriselda Elmazi, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve të mitur. 25-vjeçarja ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Korçës dhe më pas është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin ushtarak në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të plagëve të rënda që ka pësuar në kokë dhe trup.
Policia ka arritur të rindërtoi dhe skenën e ngjarjes dhe të identifikojë autorin e dyshuar të ngjarjes. Ai është bashkëshorti i saj Romeo Babani, 28 vjeç, i cili është shpallur në kërkim policor. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se çifti grindej shpesh dhe Eriselda ka vendosur të largohej nga shtëpia së bashku me fëmijët për tu vendosur tek nëna e saj, Dallëndyshe Rizvani. Pasi ka pritur largimin e së vjehrrës, punëtore pastrimi në Korçë, Romeo Babani ka arritur të nxjerrë jashtë 25-vjeçaren dhe në një rrugicë e ka goditur me sende të forta dhe të mprehta në fytyrë e kokë. Teksa e ka parë të mbuluar nga gjaku, ka menduar se e ka vrarë dhe e ka hedhur pranë kazanit të plehrave. Gruaja është gjetur 3 orë më vonë pa ndjenjë dhe e shpërfytyruar.
16 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Korçë, burri rreh gruan dhe e hedh në koshin e plehrave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip