Çefa: Nëse procedurat janë në shkelje me ligjin, do të merren masa
KLD kontroll në Gjykatën e Durrësit për pafajësinë e Ilir Xhakjes vitin e kaluar. Prokuroria kërkoi 24 vjet heqje lirie ndërsa Gjykata e shpalli të pafajshëm
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur një inspektim në Gjykatën e Durrësit rreth procedurave të vendimmarrjes së lirimit një vit më parë, të të akuzuarit për disa vepra penale të vrasjes, Ilir Xhakja. Vetëm një vit më pas, pikërisht javën e kaluar më 13 shtator Ilir Xhakja kreu një tjetër krim të rëndë kur qëlloi për vdekje me breshëri automatike kryekomisarin e Shijakut, Adem Tahiraj. Ngjarja e rëndë vuri në lëvizje të gjitha strukturat e shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese të cilat bënë të mundur skedimin e Ilir Xhakjes në Policinë e Shtetit si autor i disa veprave penale, me pasojë vrasjen, por i padënuar nga Gjykata. Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa tha se, nëse nga kontrolli do konstatohen shkelje ligjore, atëherë do merren masat që parashikon ligji. “KLD do inspektojë vetëm procedurën formale të ndjekur nga Gjykata e Durrësit. Duam të konstatojmë nëse jemi në fazën e një vonese të shpalljes së vendimit dhe nëse ndonjë nga gjyqtarët ka cenuar procesin. Kemi filluar procedurat e kontrollit. Nëse do konstatohen shkelje të ligjit të cilat kanë cenuar dhënien e drejtësisë, KLD do marrë të gjitha masat që i ngarkon ligji. Veprimi do jetë konkret dhe i shpejtë”- u shpreh nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa. I kërkuari i drejtësisë Ilir Xhakja qëlloi për vdekje me breshëri automatiku javën e kaluar shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.
Ilir Xhakja, njihet si person me precedentë të shumta penale si vrasje, plagosje, peng-marrje të personave, vendosjes së eksplozivit i cili arriti tu shpëtonte operacioneve më të detajuara të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të specializuara për plot nëntë orë, kohë në të cilën është finalizuar dhe operacioni i suksesshëm i forcave policore në drejtim të arrestimit të tij.