E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani vizite tek Lidhja e Prizrenit

Në vijim të vizitës së tij në Kosovë, Kryetari i Shtetit Bujar Nishani dhe Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani së bashku me delegacionin shtetëror u ndalën në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Presidenti Nishani vlerësoi rëndësinë e jashtëzakonshme historike të kësaj Lidhjeje, e cila shënoi fillesën e përpjekjeve të shqiptarëve në rrugëtimin e tyre drejt pavarësisë së kurorëzuar në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Kryetari i Shtetit theksoi se në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, që koinçidon me përmbylljen e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës përkulemi me respekt përpara veprës madhore të burrave të shquar të kombit që ndezën dritën e lirisë në Prizren. Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Nishani bëri një vizitë në xhaminë e Sinan Pashës në Prizren.  Kreu i Shtetit u shpreh se harmonia fetare është një pasuri, e cila buron nga shpirti tolerant i kombit shqiptar dhe se një meritë të veçantë ka komuniteti fetar. Gjithashtu kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani dhe delegacioni shtetëror vizituan në Gllogjan familjen Haradinaj. Presidenti Nishani çmoi lart kontributin e pamohueshëm dhe sakrificat e pashembullta të familjes martire të Haradinajve duke e cilësuar atë një vatër atdhetarësh dhe një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët liridashës. Në emër të Kreut të Shtetit shqiptar u vendos edhe një kurorë me lule në Kompleksin Përkujtimor, te varret e dëshmorëve të luftës për liri. Një ndalesë është bërë edhe në Manastirin e Deçanit. Pasi u takua me drejtuesit fetarë të Manastirit, me At Savajaniç dhe u njoh në detaje me historikun e këtij objekti kulti, Presidenti Nishani u shpreh se kishte pasur kënaqësinë që të vizitonte Manastirin, si një simbol i rëndësishëm i kulturës dhe besimit fetar. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›