Presidenti Obama në prag të vizitës së tij në Moskë
Presidenti
amerikan Barak Obama planifikon të takohet me homologun e tij rus Dimitri
Medvedev në Moskë në fillim të muajit korrik. Në këtë kronikë nga Uashingtoni,
korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim
gjendjes së marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës para takimit të dy
presidentëve.
Shumë analistë janë dakort se gjatë tetë vjetëve të administratës së presidentit Bush, marrëdhëniet SHBA-Rusi u përkeqësuan gradualisht. Ekspertët bënin pyetjen nëse Barak Obama do ta ndryshonte këtë prirje.
Vetëm pak javë pas inaugurimit të presidentit Barak Obama, zëvendës presidenti Xho Bajden e trajtoi këtë çështje gjatë një konference për sigurinë ndërkombëtare në Mynih të Gjermanisë.
"Është koha,
siç ka thënë edhe zoti Obama, të fillojmë nga e para. Duhet të shqyrtojmë
fushat në të cilat mund dhe duhet të punojmë me Rusinë." - tha ai
Marshall Goldman nga Universiteti i Harvardit thotë se ky fjalim vendosi një ton të ri pozitiv për marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës:
"Kur thua se do të fillosh nga e para, kjo do të thotë se do t'i pastrosh të gjitha gjërat e mëparshme, dhe kjo hap shumë mundësi të reja, dhe se nuk je i detyruar t'u përmbahesh premtimeve të mëparshme që kanë qenë të debatueshme."
Deril Kimbal. Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, një organizatë private e pavarur, pajtohet se ka ndryshime të mëdha mes administratës Obama dhe Bush në lidhje me marrëdhëniet me Moskën.
"Administrata
e presidentit Obama ka vendosur të përqendrohet në fushat ku Shtetet e
Bashkuara dhe Rusia duan të bashkëpunojnë, fushat ku bien dakort, dhe të lënë
mënjanë disa fusha ku nuk pajtohen". - thotë ai
Gjatë takimit të tyre të parë ballë për ballë me 1 prill në Londër, presidentët Obama dhe Medvedev ranë dakort të fillojnë negociatat për një traktat pas START-it për reduktimin e armëve strategjike bërthamore me rreze të gjatë.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit ata thanë se dy palët do të përpiqen të arrijnë nivele më të ulëta sesa Traktati i Moskës në vitin 2002. Kjo marrëveshje i detyronte të dy palët të reduktonin arsenalet me 1,700 deri në 2,200 mbushje bërthamore deri në vitin 2012. Dy presidentët udhëzuan negociatorët e tyre të paraqesin raportet përmbledhëse gjatë takimit të korrikut në Moskë.
Ndërkohë që ekspertët besojnë se dy palët mund të bien dakort për një traktat pas START-it këtë vit, ata nuk shohin ndonjë lëvizje për sa i përket propozimit amerikan për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Europën Lindore.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sistemi nevojitet për ta mbrojtur Europën dhe Shtetet e Bashkuara nga kërcënimet e mundshme të shteteve si Irani dhe se nuk ka në shënjestër Moskën, siç pretendojnë zyrtarët rusë.
Robert Legvold i Universiteti Kolumbia thotë se Barak Obama nuk është aq i përkushtuar ndaj këtij sistemi mbrojtjeje sa ç'ishte presidenti Bush:
"Kur zoti Obama kandidonte për president, ai e bëri të qartë se nuk kishte ndonjë përkushtim të veçantë ndaj sistemit kombëtar për mbrojtjen nga raketat apo mbrojtjen nga raketat balistike. Ai tha se përkushtimi i ti do të varej nga natyra e kërcënimit dhe nga kushtet teknike".
Ekspertët thonë se sistemi i mbrojtjes nga raketat do të diskutohet në takimin e korrikut. Çështje të tjera që do të diskutohen përfshijnë situatën në Afganistan, kërcënimin bërthamor të Iranit dhe Koresë së Veriut dhe mospërhapjen e armëve bërthamore.
Dejvid Krejmër, një ish zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në administratën Bush, shpreson se presidenti Obama do të ngrejë të paktën dy çështje të tjera.
"Shpresoj që presidenti të diskutojë çështjen e shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në Rusi. Dhe së dyti, zoti Obama duhet t'ua bëjë të qartë rusëve se ne nuk e njohim sferën e ndikimit rus dhe se Gjeorgjia dhe Ukraina si dhe vende të tjera duhet të kenë të drejtën të integrohen në institucionet euro-atlantike".
Shumë ekspertë thonë se pas pesë muajsh në presidencë, administrata Obama
ka filluar të rivendosë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Analistët do
të presin të shohin nga takimi i Moskës shenja të qarta që marrëdhëniet do të
vazhdojnë të zhvillohen ndërkohë që të dy vendet përpiqen të zgjidhin çështje
që kalojnë përtej kufijve të tyre. //mm//