Presidenti: Pa komunikim civil nuk ka të ardhme
TIRANE - Presidenti Bamir Topi në ditën e Kurban Bajramit ka bërë thirrje për komunikim civil. Një deklaratë e dhënë në gjuhë diplomatike por marrë në kontekstin e situatën politike tejet të acaruar në vend, përkthehet si krizë e komunikimit.
"Pa komunikim civil nuk mund të ndërtohet e ardhmja", tha Topi, në një prononcim për mediat pas urimit të krereve te komunitetit mysliman, me rastin e ditës së Kurban Bajramit.
Mesazhi i Presidentit
Besoj se është një ditë ku të gjithë duhet të inspirohen për rritjen e begatisë së shpirtit kundrejt varfërisë shpirtërore që doemos, dita-ditës duhet ta lemë pas. Unë dëshiroj që këtë mesazh ta japim jo vetëm për myslimanët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe për ata që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo ku ata e kanë ndërtuar jetën mbi bazën e filozofisë islame, e cila në fakt është një filozofi e paqes, e komunikimit njerëzor dhe kjo do të ndihmonte shumë edhe për rregullimin e shumë aspekteve shoqërore që janë të domosdoshme për të ngritur një të ardhme shumë më të mirë se ç'kemi sot.