E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoroi sot Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

3 nëntor 2008

Në ambientet e Pallatit të Brigadave u zhvillua sot ceremonia e dekorimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e Pavarësisë së Kosovës e ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan i respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, në krijimin e ekuilibrave politikë dhe institucionalë”.

Pas leximit të dekretit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, Presidenti Topi i vendosi medaljen e Urdhrit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Presidentit Sejdiu.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë vlerësim, Presidenti Sejdiu tha:

“Zoti President!
Zonja dhe Zotërinj!

Më lejoni që në këto momente kaq të rëndësishme dhe me emocione të shpreh falënderimet dhe konsideratën më të lartë për ju, për institucionet e Republikës së Shqipërisë, për popullin e Shqipërisë, për konsideratat e veçanta që ka bërë dhe bën për Kosovën. Këtë dekoratë që lidhet me emrin e heroit legjendar, nacional, Gergj Kastrioti Skënderbeu, e mbaj dhe e pranoj si nder të veçantë që i bëhet popullit të Kosovës, që i bëhet aspiratës sonë, të dekadave dhe për gjithë gjeneratat dhe brezat që kanë kapërcyer në sakrifikimin e tyre, për lirinë, për pavarësinë, për demokracinë, pra, që ne e quajmë ndjenjë të përbashkët ndërtimin e Kosovës si shtet demokratik të vlerave. Kontributi im është i vogël krahas asaj që kanë bërë breza të shumtë për Kosovën. Prandaj, zoti President, ju faleminderit shumë për vendimet që keni marrë, ju faleminderit shumë për modelin, për përvojat dhe për nxitjen dhe ndihmën që i keni dhënë Kosovës. Do të ecim dhe do të zhvillohemi me një bashkëpunim shumë të thellë, prandaj juve personalisht dhe popullit të Shqipërisë, ju falenderoj pamasë.

Ju faleminderit shumë!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›