E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron At Zef Valentinin (Pas vdekjes) me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

8 maj 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot paradite një prej figurave më të shquara në fushën e albanologjisë, personalitetin fetar me një kontribut të rëndësishëm si përkthyes, historian e filozof, At Zef Valentinin (Pas vdekjes), me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në një ceremoni zyrtare ku merrnin pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ambasadori i Selisë së Shenjtë Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të bashkësisë katolike, albanologë, historianë e studiues.

Pas ceremonisë zyrtare të rastit, ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, zoti Aleksandër Flloko, e mori fjalën Presidenti Topi, i cili, pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në këtë eveniment të veçantë të vlerësimit dhe dekorimit të një prej personaliteteve më të rëndësishme, që dha një ndihmesë të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, At Zef Valentinit, u shpreh:

“Jemi mbledhur sot në një ceremoni të veçantë për të nderuar një personalitet si At Zef Valentini. Vetë prania e personaliteteve të shquara të botës akademike dhe jetës publike, si dhe nisma e një grupi të respektuar intelektualësh për të nderuar këtë figurë të përmasave të mëdha, - janë një dëshmi e gjallë e respektit dhe nderimit të thellë elitar për gjithçka ai përfaqëson, sikurse e ka demonstruar gjatë gjithë jetës së tij, por sikurse e kanë demonstruar dhe mjaft referenca intelektuale pas vdekjes së tij. Ai jetoi në një kohë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përjetoi nga afër të gjitha ngjarjet historike që shoqëruan hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar, eksperimentimet me sistemet qeverisëse, përfshirë pushtimet e huaja dhe vendosjen e sistemit komunist.

Me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte njëherësh krijues dhe përkthyes, historian dhe filozof, një personalitet fetar dhe publik, albanolog dhe figurë e përmasave të larta akademike. Valentini është themelues e drejtues i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” në Universitetin e Palermos, dhe për vite të tëra një nga emrat më të spikatur të mbrojtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në botë.

Figura e tij nuk u zbeh nga përpjekja e sistemit totalitar për të shuar dhe denigruar atë dhe personalitete të tjera të shquara me veprimtari atdhetare dhe shkencore. Veprat e tij u lanë në hije, ashtu siç regjimi veproi me Fishtën, Koliqin dhe mendimtarë të tjerë të kalibrit të lartë të së njëjtës periudhë. Falë punës kurajoze dhe angazhimit qytetar të botuesit Kulla dhe emrave më të njohur të jetës së sotme publike kulturore, tashmë publiku ka në dispozicion një pjesë të madhe të krijimtarisë së Valentinit, dhe kështu, një shans të artë për të mësuar nga kritika dhe dëshmitë, analiza dhe vizioni i tij për etapa e ngjarje më rëndësi të veçantë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në trashëgiminë e tij akademike Zef Valentini ka lënë një numër të madh veprash shkencore, me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe politike. Kërkimet e tij shkencore mbi historinë e hershme shqiptare, historinë e të drejtës zakonore dhe ligjeve të traditës, aktet juridike të periudhës veneciane apo kohës së Skënderbeut, si dhe studime të tjera të avancuara ballkanologjike e bizantine, - janë një pasuri e madhe kombëtare, një kontribut me vlera të rralla, një thesar mendimi e kërkimi për brezat e sotëm, për njohjen më të mirë dhe më profesionale të periudhave të hershme historike të shqiptarëve dhe organizimeve të tyre politike, juridike dhe shoqërore.

Kjo krijimtari e bën At Valentinin të veçantë, e dallon atë nga figurat e tjera krijuese të së njëjtës tematikë dhe e bën veprën e tij të denjë për t’u nderuar sot edhe zyrtarisht, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Akti zyrtar i nderimit është individual për personalitetin e shquar të At Valentinit, për veprën e tij të pasur akademike, për kontributin e çmuar në studimin dhe përjetësimin e akteve, ngjarjeve dhe dëshmive historike mbi shtetin shqiptar që nga periudha ilire dhe deri në shekullin XX.

Të nderuar miq!

Ceremonia e sotme lidhet edhe me nisma të tjera të ngjashme të ndërmarra për të nderuar figura të shquara me kontribute kombëtare me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Si President, kam mirëpritur, nxitur dhe mbështetur çdo nismë të tillë cilësore, që i bën nder përvjetorit të shtetit, institucioneve dhe kujtesës sonë shtetërore e historike. Shteti e shoqëria jonë u ka borxh moral brezave të mëparshëm, sidomos kolosëve të mendimit politik e kulturor, për gjithçka që ata bënë për Shqipërinë, për veprat e tyre të çmuara, për modelin e qytetarit elitar që krijuan, për sakrificat mbinjerëzore dhe punën e palodhur për promovimin e traditës, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Duke i nderuar këto personalitete ne bëjmë gjysmën e punës, gjysma tjetër kërkon një reflektim shoqëror për t’u dhënë mundësi brezave më të rinj të njohin nga afër trashëgiminë e tyre profesionale, veprat e tyre krijuese, dhe kështu, të njohin më mirë dhe jashtë çdo paragjykimi ideologjik, të vërtetat e mëdha të historisë së hershme dhe asaj moderne të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Njohja ka vlera për të sotmen, por edhe për të ardhmen, na ndihmon të jemi më të angazhuar dhe produktiv në angazhimet tona civile, nxit brezat më të rinj dhe gjithë qytetarët të marrin më shumë përgjegjësi profesionale e qytetare për të bërë vepra të mira për vendin dhe shoqërinë.”

Më pas, Presidenti Topi i dorëzoi përfaqësuesit italian të urdhrit fetar të jezuitëve Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në nderim të At Zef Valentinit (Pas vdekjes), me motivacionin: “Albanologut të shquar që ia kushtoi jetën studimeve mbi Shqipërinë, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e problemeve të etnicitetit, të kulturës dhe historisë së saj, çka ndihmoi në njohjen e shqiptarëve në qarqet intelektuale dhe politike në Evropë, e më gjerë”, i cili, pas marrjes së dekoratës, ndër të tjera tha: “Falenderoj Presidentin Topi dhe të gjithë të pranishmit, si dhe grupin e intelektualëve që bënë të mundur marrjen e këtij çmimi! Nuk mund të përcaktoj nëse At Valentini ishte më shumë shqiptar se sa italian, por ai ishte mbi të gjitha ndërtues i urave mes dy kulturave, atyre shqiptare dhe italiane, dhe me një detyrë shumë të vështirë, sepse ishte i armatosur vetëm me besimin dhe kulturën e tij. Ju falënderoj dhe njëherë për vlerësimin që iu bë At Valentinit, i cili i përkiste dy popujve dhe që besoj ka ndihmuar kulturat e vendeve tona për t’u takuar e përforcuar më tej”.

Ndërsa zoti Vili Kamsi, ambasadori i parë shqiptar pranë Selisë së Shenjtë, në vitin 1992, vuri në dukje mes të tjerash për At Valentinin se: “ishte i ndërgjegjshëm për misionin e vet, ku, bashkë me zotimin e tij primar për fenë, vuri dhe atë për atdheun e tij të dytë, Shqipërinë, duke u marrë qysh në fillim me studimin e gjuhës shqipe, e pastaj, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën shkencore të Shqipërisë, me një trashëgimi të pasur e tradita historike. At Zef Valentini u përket atyre misionarëve që vinin në Shqipëri për të kryer veprën e tyre, për të vënë bazat e një kulture të re perëndimore, duke pasur si qëllim ngritjen e një klase intelektuale shqiptare në një koncept më të lartë të jetës shoqërore. Me studimet e tij albanologjike, At Valentini studioi historinë e lashtë, Kanunin, dhe në veçanti ndërtoi atë monument të jetës shqiptare, siç ishin veprat e tij. Dekorata që merr sot At Valentini, është një vlerësim tejet i madh i popullit shqiptar për këtë figurë që i ka dhënë një kontribut të madh historiografisë shqiptare. Për këtë, falënderojmë edhe zotin President, që çmoi lart këtë figurë. Faleminderit!”

Në fund të ceremonisë së dekorimit, e mori fjalën botuesi i Shtëpisë Botuese “Plejad”, zoti Ndriçim Kulla, dhe njëkohësisht botues i disa prej veprave të At Valentinit, i cili, duke falënderuar Kreun e Shtetit për nderimin me urdhrin e lartë, kushtuar akademikut të shquar, studiuesit, teologut dhe historianit Valentini, theksoi: “Duke njohur vështirësitë dhe përmasat e mëdha të veprës së Valentinit, por duke pasur parasysh edhe mosnjohjen dhe censurën që i rezervoi regjimi komunist, e shikoj këtë ceremoni, jo vetëm si një vlerësim, por dhe si një rizgjim i kulturës valentiane, e shikoj si një rizgjim në kohën e duhur dhe si një rizgjim të mençur të një personaliteti me të vërtet me famë qartësisht ndërkombëtare. Nuk e kisha imagjinuar se koha e botimit të veprës së Valentinit do të përshkonte një shpejtësi kaq të madhe dhe do të sillte një moment që Presidenti i Republikës të fitonte ndjeshmërinë ndaj tij dhe ta dekoronte me një nga dekoratat më të larta. Mendoj se urat që lidhin popujt janë njerëzit e mëdhenj. Dhe Valentini ka qenë vërtet një urë e madhe, e fortë që ka lidhur një urë përkushtimi dhe shërbimi, jo vetëm me Italinë, por edhe me të gjithë qytetërimin perëndimor. Falënderoj dhe Urdhrin Jezuit, i cili ka nxjerrë personalitete të mëdhenj, si Valentini, Mjeda, Arshi Pipa, dhe si Faik Konica. Edhe njëherë falënderoj Presidentin e Republikës për këtë vlerësim, duke e konsideruar si një kontribut për të promovuar të gjithë kulturën valentiniane, por edhe të gjithë mendimin shqiptar që u ndëshkua e u dënua për 50 vjet me radhë!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›