E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Kampionin e Evropës në peshëngritje, Erkand Qerimaj, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

23 prill 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi sot paradite njërën prej figurave më të njohura të sportit të peshëngritjes me një kontribut të çmuar në këtë fushë, duke evidentuar vlerat e rëndësishme njerëzore të dëshirës, vullnetit, pasionit, talentit, por dhe të atdhedashurisë pasi ngriti lart flamurin shqiptar, - kampionin e Evropës në peshëngritje, zotin Erkand Qerimaj, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Në këtë ceremoni dekorimi merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës së sportit, artit e shkencës, trajnerë, peshëngritës, miq e familjarë.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kreu i Shtetit i dorëzoi Erkand Qerimajt, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në sportin e peshëngritjes, si fitues i dhjetëra medaljeve ndërkombëtare e shpalljes kampion i Evropës për vitin 2012, duke lartësuar krenarinë kombëtare tek shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit”.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për vlerësimin e lartë nga Presidenti i Republikës, si dhe duke vënë në dukje se ky është dhe një nderim e motivim edhe për të gjithë ata që me përkushtim të veçantë punojnë për të arritur suksese në fushën e bukur, por dhe të vështirë të sportit të peshëngritjes, kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj theksoi: “Në radhë të parë, falënderoj Presidentin e Republikës, për titullin! Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës sot! Jam shumë i nderuar, shumë i emocionuar për vlerësimin dhe për të gjitha sakrificat, për të gjitha mundimet që kam bërë, që po vlerësohen siç duhet. Ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që, do të mundohem në maksimum që të çoj flamurin shqiptar sa më lart përsëri!”

Presidenti Topi nga ana e tij, duke marrë fjalën me këtë rast, u shpreh:

“I dashur Erkand,
Të nderuar të pranishëm!

Padyshim, ky është një moment shumë emocionues, besoj, jo vetëm për ju, por edhe për mua personalisht, por dhe për të gjithë ata që janë të pranishëm. Unë jam i bindur që jeni kthyer tashmë pjesë e krenarisë kombëtarë të shqiptarëve!

Këtu, midis të ftuarve, janë figura shumë të shquara, jo vetëm të sportit, por edhe të jetës publike. Këtu shquaj dhe zotin Berberi, një nga profesorët e mi të kohës së gjimnazit. Jam i bindur që ai si pedagog, si trajner, por edhe të gjithë të tjerët që të kanë rrethuar, zotin Kovaçi, kanë parë tek ju jo vetëm vlerat e një sportisti nga pikëpamja e ndërtimit të konstruksionit fizik, por kanë parë që bashkë me sportistin, është edukuar dhe një njeri, një njeri me vlera të spikatura, që na bën që të ndihemi krenarë të gjithë. Unë e kam ndierë nga afër atë lloj emocioni që keni pasur dhe padyshim kur thashë që jeni bërë pjesë e krenarisë kombëtare, me ty sot janë të gjithë shqiptarët, kudo. Janë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në diasporë, sepse të jesh ‘Kampion i Evropës’ në këtë moshë, patjetër që është pjesë e kësaj krenarie. Dhe këtë dhuratë, ju ia bëni Shqipërisë, ia bëni shqiptarëve, pikërisht në vitin e 100-të të krijimit të shtetit shqiptar!

Dhe ky është një model, është një model për të gjithë të tjerët, për të gjithë brezin tënd, për të kuptuar se sa bukur rrinë bashkë karakteri, struktura e fortë fizike, por edhe edukimi i një njeriu që jep një leksion shumë të mirë për të gjithë të tjerët.
Edhe njëherë unë të falënderoj nga zemra, për të gjithë kontributin!

Dhe jam i bindur që kjo është vetëm një pjesë e vlerësimit, sepse në këtë moshë, me këtë motivim që keni ju, patjetër që do të vini në këtë mjedis për të marrë një titull tjetër më të lartë. Jam i bindur për këtë punë!

Urimet më të mira! Dëshiroj që të vlerësoj punën tuaj, të familjes tuaj, të edukatorëve tuaj, të gjithë atyre që të kanë mbështetur gjatë këtyre viteve, sepse kanë parë tek ju një njeri që premton për të ardhmen! Dhe juve këtë ua shpërblyet! Ua shpërblyet të gjithë edukatorëve, familjes, të gjithë atyre që ju kanë mbështetur! Ia shpërblyet Shqipërisë! Urimet më të mira dhe suksese të mëtejshme!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›