E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekreton shkarkimin e prokurorit të Gërdecit

Tiranë, 8 Janar NOA Presidenti i Republikës, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm ka dekretuar shkarkimin e një prokurori që udhëhoqi hetimet për tragjedinë e Gërdecit më 15 mars 2008 ku gjetën vdekjen 23 vetë, rreth 300 të tjerë u plagosën dhe u shënuan dëme mbi 15 milionë euro.

Zamir Shtylla, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, të largohet nga kjo detyrë, meqenëse ka paraqitur dorëheqjen, thuhet në dekretin e Presidentit Topi, dekret që hyn në fuqi menjëherë. Dy dekrete për Shtyllën Ky është dekreti i dytë brenda një viti që Presidenti shpall për Zamir Shtyllën. Më herët, më 29 janar 2009, Topi dekretoi transferimin e Zamir Shtyllës nga prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, duke e emëruar atë, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Presidenti Topi e dekretoi dhe atëherë transferimin, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm. Zamir Shtylla ka qenë drejtor i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe njihej si krahu i djathtë i Ina Ramës. Megjithatë Shtylla ka qenë në poste të larta drejtuese në Prokurorinë e Përgjithshme që në fillim të viteve 90 kur presidenti i atëhershëm Sali Berisha e dekretoi si kreun e hetimit në institucionin qendror të akuzës. Shtylla u detyrua të largohet nga funksionet e larta për shkak se prekej nga ligji për pastërtinë e figurës që në të vërtetë asnjëherë nuk nisi zbatim zyrtarisht pasi u bllokua nga Gjykata Kushtetuese. Pas akuzave se ishte implikuar në krime të komunizmit që lidheshin me dënimin e njerëzve të pafajshëm, Shtylla i njohur ndryshe si prokurori i Gerdecit, kishte deklaruar se përpjekjet e bëra së fundmi, duke më atribuuar veprime që nuk janë kryer prej meje, i konsideroj abuzive, për të denigruar figurën time dhe presionin për shkak të detyrës zyrtare që aktualisht kryej, - duke iu referuar sulmeve të Berishës. e.r/NOA  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›