E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti kroat Mesiç rikonfirmojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në kuadër të partneritetit në NATO dhe integrimit në BE.

20 maj 2009
Zagreb, Kroaci

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, nisi sot vizitën e tij të parë zyrtare në Kroaci. Fillimisht, Kryetarit të Shtetit, Zonjës së Parë dhe delegacionit, që Presidenti Topi kryeson, i është uruar mirëseardhja në një ceremoni të posaçme solemne nga Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç.

Në vijim, mes dy Presidentëve pati një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi me delegacionet respektive. Edhe një herë gjatë këtij takimi, dy Presidentët kanë shkëmbyer urimet më të mira dhe të përzemërta për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ata ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi dypalësh, veçanërisht dhe në kuadër të NATO-s, do të jetë i suksesshëm e në dobi të dy vendeve tona, qytetarëve shqiptarë e kroatë, të së ardhmes sonë, në përballjen e përbashkët me të tjera sfida të rëndësishme euroatlantike.

Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve në vend duke u ndalur në ecurinë e disa prej reformave më të rëndësishme të ndërmarra në fushën e drejtësisë, të ushtrisë, ekonomisë, etj., me objektiv përmbushjen e standardeve integruese në Bashkimin Evropian. Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit vuri në dukje dhe përgatitjet që vendi ynë po bën për të përballuar me sukses zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, duke e cilësuar këtë “si një moment tepër të rëndësishëm, kur klasa politike dhe qytetarët shqiptarë kanë rastin dhe duhet të dëshmojnë, përmes mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve, stabilitetin e konsoliduar politik në vend, por edhe të plotësojnë një kriter thelbësor për kandidaturën e Shqipërisë për anëtarësim në BE”.

Gjithashtu, Presidenti Topi u ndal dhe në disa prej aspekteve për zhvillimin e biznesit, si dhe mundësive konkrete që vendi ynë ofron për investitorët e huaj që të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Pasi nënvizoi nevojën e zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike-tregtare mes Shqipërisë dhe Kroacisë, Presidenti shprehu dhe interesimin e palës shqiptare për më tepër investime kroate në sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, përfshi këtu dhe fushën e energjetikës. “Një kontribut real në këtë drejtim”, - vuri në dukje Presidenti Topi, - do të ishte liberalizimi i vizave, që do krijonte afërsi dhe mundësi të reja për bashkëpunimin mes dy vendeve e popujve tanë, duke krijuar lehtësi ndaj barrierave të ndryshme administrative, ekonomike, etj.” Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit rikonfirmoi dhe një herë idenë dhe vullnetin e mirë për krijimin e një shengeni ballkanik.

Nga ana e tij, Presidenti kroat Mesiç shprehu kënaqësinë e këtij takimi me Presidentin Topi, të parin pas momentit historik të anëtarësimit të dy vendeve tona me të drejta të plota në NATO. Z. Mesiç shprehu bindjen në thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në kuadër rajonal e më gjerë. Presidenti i Kroacisë vlerësoi zhvillimet pozitive dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar, duke i cilësuar ato si një tregues i mobilizimit qytetar dhe shtetëror për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për integrim në familjen e madhe evropiane, duke siguruar dhe për mbështetjen e shtetit kroat në këtë drejtim.

Në përfundim të takimit, Presidenti Topi dhe Presidenti kroat Mesiç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Mesiç: Zhvilluam bisedimet me Presidentin Topi dhe anëtarët e delegacionit të Republikës së Shqipërisë, dhe mund të them që kemi biseduar hapur, si miq dhe si udhëheqës të vendeve mes të cilëve nuk ka asnjë një çështje të pazgjidhur. Besoj që atmosfera gjatë gjithë vizitës së Presidentit të Shqipërisë ishte shumë e mirë, gjë që flet për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve tona dypalëshe. Nën këtë atmosferë po zhvillohet edhe vizita e Presidentit të Shqipërisë.

Prej disa kohësh në marrëdhëniet tona është vënë re edhe një element i ri, i cili na i pasuron ato vetvetiu duke i hapur edhe perspektiva të tjera bashkëpunimit tonë të gjerë. Njëkohësisht ai na shtron edhe detyra të tjera të përbashkëta. Kjo natyrisht që nuk është vetëm një shtysë për rritjen e bashkëpunimit tonë ushtarak, por edhe për ndërtimin e demokracisë dhe promovimin e vlerave demokratike. Mendoj që ne në Kroaci dhe miqtë tanë në Shqipëri duhet të jemi të kënaqur me hyrjen në NATO, sepse me këtë gjë ne kemi realizuar një nga qëllimet tona të përbashkëta. Natyrisht që bashkëpunimi ynë në të ardhmen do të jetë edhe më i madh, edhe më i frytshëm, e sidomos në fushën e marrëdhënieve ekonomike.

Sot kemi biseduar edhe mbi disa vështirësi që kemi, mbi disa pengesa që hasim në marrëdhëniet tona. Këtu kemi parasysh regjimin e vizave, dhe para së gjithash Kroacia duhet ta liberalizojë regjimin e vizave përkundrejt Shqipërisë. Përsa i përket vendit tonë mik, Shqipërisë, ajo regjimin e vet të vizave për qytetarët e Kroacisë e ka liberalizuar deri në fund.

Dy vendeve tona u mbetet edhe një qëllim i përbashkët strategjik: hyrja në bashkësinë evropiane. Shqipëria e ka paraqitur aplikimin e saj për t’u bërë vend kandidat i Bashkimit Evropian, ndërsa Kroacia është duke zhvilluar bisedime për futjen e saj. Përsa u përket bisedimeve tona, unë e kam informuar Presidentin dhe delegacionin e Shqipërisë që ekziston një bllokadë nga ana e Sllovenisë ndaj nesh.

Si në delegacionin e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Kroacisë bëjnë pjesë kryetarët e Gjykatave të Larta dhe ata të Gjykatave Kushtetuese. Kemi biseduar edhe për funksionimin e shtetit ligjor, për zbatimin e ligjeve si dhe për respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve. Dhe kur bisedojmë për këto tema, nënkuptojmë që për të gjithë qytetarët të ketë të drejta të njëjta juridike, të ketë një zbatim të tillë edhe në nivelin ndërkombëtar që për të gjitha vendet të vlejnë po ashtu, ligjet ndërkombëtare. Kështu që përsa i përket kësaj pengese që na ka nxjerrë Sllovenia, Kroacia po lufton që e njëjta e drejtë ndërkombëtare të zbatohet edhe në këtë rast, pasi Sllovenia është anëtare si e Bashkimit Evropian ashtu edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

E kam përshëndetur Presidentin e Shqipërisë dhe delegacionin e tij dhe kam mendimin që kjo vizitë do t’i japë edhe një shtysë tjetër zhvillimit e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Presidenti Topi: Përshëndetje! Falenderova mikun time dhe mikun e të gjithë shqiptarëve, Presidentin Mesiç për ftesën dhe për mikpritjen! Ndaj të njëjtin mendim me Presidentin Mesiç që mes dy vendeve tona nuk ka absolutisht asnjë lloj problemi, përkundrazi, marrëdhëniet konsiderohen si mjaft të mira. Niveli i dialogut politik është në nivelin më të lartë.

Gjatë bisedimeve u përqendruam kryesisht mbi nevojën e rritjes së shkëmbimeve dhe zhvillimit ekonomik mes dy vendeve tona dhe të rajonit në përgjithësi. Unë shoqërohem, përveç autoriteteve mjaft të rëndësishme të gjyqësorit, edhe nga një grup mjaft i rëndësishëm i biznesit çka i jep kësaj vizite një simbolikë tepër të veçantë: me shkëmbimin e eksperiencës për ndërtimin e shtetit të së drejtës me të gjitha parametrat më modernë edhe me nevojën jetike të nxitjes së biznesit që do t’i jepte një frymëmarrje të gjerë ekonomive të vendeve tona respektive. Ne do të marrim pjesë edhe në Forumin e përbashkët Ekonomik të Dhomave respektive të Tregtisë dhe padyshim që gjërat specifike do t’i trajtojmë atje.

Dëshiroj të ndalem në dy momente mjaft të rëndësishme të bisedimeve tona. Mbi situatën e re gjeopolitike në rajon pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës dhe mbi nevojën që ky rajon të jetë i qetë, në paqe dhe të zhvillohet ekonomikisht. Kam rastin të shpreh edhe njëherë konsideratat e mia më të larta dhe falenderimet e sinqerta për rolin e Presidentit Mesiç për çështjen e Kosovës si dhe për rolin e tij të veçantë në ndërtimin e urave të komunikimit mes lidershipit politik të Ballkanit!

Nga ana tjetër diskutuam edhe njëherë për çështjen e liberalizimit të vizave mes dy vendeve tona. Padyshim që ka qenë një predispozicion konstant i Presidentit Mesiç për nevojën e liberalizimit të vizave. Të dy ramë dakord që ka ardhur koha për ta realizuar këtë gjë konkretisht. Shqipëria i ka liberalizuar vizat për qytetarët kroatë në qershor të vitit 2002. Presim me padurim dhe këtë e them në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që këtë hap ta bëjë edhe Kroacia sa më shpejt.

Ka qenë një event madhështor anëtarësimi në NATO i dy vendeve tona në të njëjtën ditë. Shqipëria është në të njëjtën rrugë që po ndjek Kroacia për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E informova Presidentin Mesiç që Shqipëria në fund të prillit aplikoi për t’u bërë vend kandidat. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, jemi të sigurtë që orientimi euroatlantik i vendeve tona do të përkrahet dhe në të njëjtën rrugë do të ecin edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e këtij komunitetit.

Ridiskutuam për çështjen e Korridorit Adriatiko-Jonian. Sikurse Kroacia, edhe Shqipëria i kushton një rëndësi të veç ndërtimit të kësaj infrastrukture qendrore. Kemi mundësi të jashtëzakonshme të komunikimit qoftë në linjën tokësore, ajrore apo detare, por besoj edhe për çështje të tjera të karakterit ekonomik ku besoj më të rëndësishmet janë çështjet e infrastrukturës energjitike.

I japim një rëndësi shumë të veçantë komunikimit mes institucioneve të drejtësisë. Tashmë këto kontakte janë vendosur dhe ne dëshirojmë t’i intensifikojmë. Sot bëhet fjalë për arritjen e sinkronizuar të standardeve evropiane. Më vjen mirë që ka predispozicion të dyanshëm për të arritur një sistem gjyqësor shumë të pavarur dhe shumë profesional. Ju falemnderit!

Agjencia INA. Pyetje: Presidenti Topi, pasi Shqipëria ka paraqitur aplikimin si vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe pasi keni marrë raportin nga Komisioni Evropian, ku i shihni vështirësitë kryesore dhe pengesat që mund të hasni në të ardhmen për plotësimin e standardeve?

Presidenti Topi: Falemnderit për pyetjen! E rëndësishme është që Shqipëria, institucionet e saj dhe opinioni publik janë të orientuara qartë drejt familjes euro-atlantike. Përtej këtij orientimi, gjatë gjithë këtyre viteve ka patur një angazhim prej politikës dhe institucioneve për t’i plotësuar standardet e domosdoshme për t’u anëtarësuar në bashkimin Evropian. Shqipëria ka bërë disa reforma të rëndësishme me konsensus të plotë politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Ne kemi realizuar një hap shumë të madh të integrimit me anëtarësimin tonë në NATO.

Marr në konsideratë disa standarde të domosdoshme për t’i realizuar, por edhe fakti që pjesa më e madhe e vendeve të NATO-s janë vende të Bashkimit Evropian. Sigurisht ne jemi të ndërgjegjshëm që rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një rrugë më e gjatë. Ka më shumë kërkesa për realizimin e standardeve qoftë të karakterit politik, qoftë të karakterit administrativ, qoftë të karakterit ligjor, pra e rëndësishme është që ne kemi arritur në atë stad që na jep të drejtën që të aplikojmë.

Unë e kuptoj që çështja është se sa i madh është predispozicioni dhe mundësitë reale të absorbimit të kësaj dëshire të Shqipërisë për t’u anëtarësuar. Pavarësisht nga disa situata të veçanta që ekzistojnë në familjen evropiane për çështjet e zgjerimit, unë besoj që ka një predispozicion pozitiv mes vendeve anëtare që ta shohin Shqipërinë në Bashkimin Evropian natyrisht duke marrë parasysh edhe plotësimin e kërkesave për realizimin e standardeve.

Së shpejti në Shqipëri ne kemi zgjedhjet e përgjithshme politike dhe kjo shikohet si pikë referimi shumë e rëndësishme edhe për të ndërmarrë hapat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Unë kam besimin që zgjedhjet në Shqipëri do të jenë korrekte dhe do të shënojnë një hap të rëndësishëm drejt demokratizimit të institucioneve ku besoj besoj se institucioni i zgjedhjeve është më i rëndësishmi.

Së fundmi do të thoja që e shikoj me shumë optimizëm rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›