E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi urojnë të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve

25 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, zhvilluan sot paradite vizita në Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës dhe në Bashkësinë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” në Tiranë, për të shprehur urimet më të ngrohta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë, me rastin e Festës së Krishtlindjeve.

Gjatë takimit me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vlerësuan simbolet e bukura të kësaj dite të shenjtë, të lindjes e të jetës, duke shprehur njëkohësisht urimet më të mira për mbarë besimtarët ortodoksë shqiptarë.

Vlerësimin për këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë, Kryetari i Shtetit e shprehu edhe para mediave të pranishme:

“Së pari dëshiroj t’ua uroj këtë ditë të madhe të Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve të krishterë dhe meqenëse jemi këtu, në Selinë e Kishës Ortodokse, besimtarëve ortodoksë! Patjetër që kjo ditë ka një simbolikë të madhe. Është simbolika e lindjes së shpresës, e lindjes së paqes për t’i hapur rrugë komunikimit dhe në këtë ditë ka nevojë për refleksion. Të gjithë duhet të reflektojnë në këtë ditë të madhe dhe besoj se refleksioni s’duhet të jetë vetëm për një ditë. Unë besoj që viti që vjen do të jetë një vit i mbushur me më shumë dialog, me më shumë komunikim, më shumë arrtije për Shqipërinë dhe kjo duhet të shkojë si një jehonë në zemrën e çdo shqiptari. Unë, në këtë ditë dëshiroj të uroj jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe ata që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë, kudo që janë, sepse kudo që të jenë, zemrën e kanë te Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj. Urime edhe njëherë!”

Edhe gjatë takimit me Ipeshkvin të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, dhe njëkohësisht Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, vunë në pah rëndësinë e kremtimit të Festës së lindjes së Jezu Krishtit, figurës qendrore të besimit të krishterë, si ditë e vlerësimit të paqes e harmonisë me njëri-tjetrin, duke u përcjellë me këtë rast urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë. Pas kësaj vizite, Kreu i Shtetit u prononcua për mediat: “Edhe njëherë mirë se takohemi me përfaqësues të medias! Dëshiroj të jap urimin tim edhe nga Selia e Kishës Katolike për këtë ditë të madhe, këtë ditë bardhë! Duke biseduar pak më parë me Imzot Rrok Mirditën, i thashë që çdo vit unë marr mesazhe nga qytetarët, por sot më shumë se herët e tjera, kam marrë mesazhe edhe nga besimtarët myslimanë. Kjo do të thotë një respekt të jashtëzakonshëm për fenë e njëri-tjetrit, për besimin e njëri-tjetrit që përmbledh atë dashuri që kanë shqiptarët për njëri-tjetrin. Simbolikë më të bukur se kjo unë nuk besoj se mund të gjej dot në këtë ditë ku të gjithë i urojnë festën njëri-tjetrit dhe të gjithë urojnë për një Shqipëri më të mirë. Jo vetëm për të gëzuar Krishtlindjen, por për të pasur edhe një vit të ri me plot suksese për gjithsecilin dhe të gjithë së bashku për Shqipërinë. Urime edhe ju përfaqësues të medias!”

Të njëjtin urim Presidenti Topi dhe Zonja e Parë e shprehën edhe gjatë vizitës në Bashkësinë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” ku u mikpritën nga Presidenti i VUSH-së, Pastor Fitim Muça.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›