E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë vizitojnë qytetin e Kavajës në prag të Vitit të Ri

Kavajë
26 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi zhvilluan sot një vizitë në qytetin e Kavajës, ku u mirëpritën nga Kryetari i Bashkisë, Elvis Roshi, përfaqësues të Këshillit Bashkiak, drejtues të bashkësive fetare si dhe nga qytetarë të shumtë që kishin dalë për ta përshëndetur e për t’iu uruar mirëseardhjen.

Pasi u përshëndet përzemërsisht me të gjithë të pranishmit, Kreu i Shtetit e nisi vizitën në prag të Vitit të Ri me një takim në zyrën e Kreut të Bashkisë së Kavajës, ku e uroi Kryebashkiakun Roshi për detyrën duke theksuar se besimi i qytetarëve për drejtuesit e pushtetit vendor duhet të shndërrohet në punë dhe shërbime në interes të nevojave të qytetarëve kavajas dhe të këtij qyteti me vlera historike dhe tradita të çmuara.

Më pas, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta bënë një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve të Kavajës, ku u mikpritën nga Drejtori i kësaj qendre, zoti Mehmet Rrapi, i cili së bashku me Kryebashkiakun Elvis Roshi u shprehën mirënjohjen e thellë për interesimin e vazhdueshëm që tregohet edhe nga kjo vizitë e dytë e Presidentit Topi gjatë dy viteve të fundit në strehën e të moshuarve.

Presidenti Topi, pasi u takua ngrohtësisht me banorët e kësaj Shtëpie duke u interesuar edhe për shëndetin e tyre, vuri në dukje se:

“Vërtet ndihem i obliguar që kohë pas kohe të jem në kontakt me ju, që, për hir të së vërtetës, jeni në një moshë që njerëzit përgjithësisht preferojnë të arrijnë, sepse, mosha e tretë, është mosha që pavarësisht që krijon vështirësitë e veta të karakterit fizik, shëndetësor edhe psikologjik, ka njerëz që, për fatin e tyre të keq, nuk e arrijnë këtë moshë. Kështu që ne duhet ta pranojmë jetën ashtu si vjen. Rrethanat e kanë sjellë që ju të jeni të detyruar që të vini në shtëpinë e të moshuarve, por besoj që ju jeni këtu jo vetëm. Jeni këtu me njëri-tjetrin. i krijoni mundësinë njëri-tjetrit për të ndarë një bisedë, për të ndarë hallet që keni dhe jeni me një kujdes të kolektivit, të drejtuesve, të cilët, në informacionet e mia, bëjnë ç’është e mundur që t’ua lehtësojnë këtë gjendje. Unë kam ardhur edhe herë tjetër këtu. Kam shfrytëzuar momentin në prag të festave për t’ia uruar festën, për t’iu uruar ju që të kaloni pjesën tjetër të jetës jo në trishtim, por ta kaloni me njëri-tjetrin duke e zbutur dhimbjen. Jo çdo njeri ka dëshirë të vij këtu, por, nga ana tjetër, është mirë kur ka struktura të tilla, që janë në kujdesin e shtetit, në kujdesin e shoqërisë. Dhe, meqenëse jemi në prag të festës së Vitit të Ri, dëshiroj që t’ua uroj këtë festë, në emrin tim, në emrin e bashkëshortes! Të kaloni një vit pa probleme, një vit me shëndet! Ata që janë sëmurë, të kalojnë një vit më të qetë! Unë e di që kontributi juaj ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse mosha juaj korrespondon me një periudhë, kur njerëzit kanë punuar shumë dhe janë shpërblyer shumë pak. Por, njeriu nuk duhet të mërzitet për këtë, nuk duhet të mërzitet se sot, pavarësisht se ju jeni në këtë moshë, shoqëria ka një situatë tjetër. Jam i bindur që ju jeni më altruistë se sa disa egoistë, që janë mirë me shëndet, janë mirë me gjendje ekonomike dhe duhet të shohin më shumë se ju. Duhet të shohin më shumë tek ju, por të shohin në radhë të parë kujdesin për të thënë një fjalë të mirë. Ai që ka mundësinë pastaj, të kontribuojë për ju. Kjo shtëpi ka nevojë që të modernizohet. Kjo shtëpi ka nevojë që të ketë kushte të mira, sepse më shumë se ju, askush tjetër nuk e ndjen nevojën që të ndjehet rehat.

Gjithsesi, unë ju falënderoj për mikpritjen! Pavarësisht nga gjendje juaj shëndetësore, ju jeni të gjithë këtu sot për të ndarë me mua, për të ndarë të gjithë së bashku atmosferën e Vitit të Ri. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët edhe për ju! Gëzuar të gjithëve!”

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta më pas u shpërndanë të moshuarve dhurata të posaçme në prag të Vitit të Ri 2012 duke u uruar shëndet dhe pleqëri të mbarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›