Presidenti Topi firmos largimin e prokurorit të “Gërdecit”
08/01/2010 Zamir Shtylla largohet nga radhët e trupës së prokurorëve
Në fillim të 2009-s la postin e kryehetuesit të tragjedisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dje shkarkimin e prokurorit Zamir Shtylla, me detyrë prokuror në prokurorinë e rrethit gjyqësor Elbasan. Shtylla, i cilësuar si “prokuror i Gërdecit”, largohet nga kjo detyrë, meqenëse ka paraqitur dorëheqjen. Fillimisht kërkesën për dorëheqje ai ia ka paraqitur kryeprokurores Inan Rama, e cila ia ka përcjellë më pas për dekretim kreut të shtetit shqiptar. “Në mbështetje të neneve 149, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe neneve 8, pika 2, germa ‘c’ dhe 27, pika 1, germa ‘a’, të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, me propozim të prokurorit të përgjithshëm dekretoj: Zozi Zamir Shtylla, me detyrë prokuror në prokurorinë e rrethit gjyqësor Elbasan, të largohet nga kjo detyrë, meqenëse ka paraqitur dorëheqjen”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Në fillim të këtij viti Shtylla i dorëzoi kryeprokurores Rama kërkesën për dorëheqje. Si motivacion i kësaj dorëheqje ka shërbyer rikthimi në punën private të Zamir Shtyllës. Në fillim të vitit 2009, për shkak të sulmeve politike ndaj tij, Shtylla u dorëhoq nga posti i drejtuesit të ndjekjeve penale në Prokurorinë e Përgjithshme, njëkohësisht drejtues i grupit hetimor të çështjes “Gërdeci”. Shtylla e nisi karrierën e tij si hetues në prokurorinë e Librazhdit, më pas u transferua në Sarandë. Pas prishjes së sistemit komunist ai u emërua në krye të Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Këtë post Zamir Shtylla e mbajti deri në fillim të vitit 2009, periudhë kur ai u sulmua shumë ashpër nga kryeministri i vendit Sali Berisha. Kreu i qeverisë e akuzoi atë si një nga hetuesit më mizorë të regjimit komunist.
Dekretet
Kreu i shtetit shqiptar ka dekretuar shpalljen edhe të tri ligjve të tjera të miratuara nga Kuvendi në fund të sesionit. Përveç një protokolli shtesë me Turqinë në kuadër të marrëveshjes së tregtisë së lirë, Presidenti Topi ka firmosur shpalljen edhe të ligjit nr. 10200, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 033, ‘Për lojërat e fatit’, i ndryshuar”, dhe dy ligjeve për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore dhe jobujqësore.