E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji ka baktere, nuk duhet të konsumohet, ka rrezik

08/01/2010  Ministria e Shëndetësisë në terren
TIRANE- Për të qenë më afër banorëve të evakuar, në terren janë hedhur edhe specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qëndruar 24 orë në gatishmëri në komunat e përmbytura të qarkut Shkodër dhe Lezhë. Ata kanë kryer analizat e ujit të pijshëm, i cili ka rezultuar i ndotur dhe për pasojë, specialistët e shëndetësisë kanë dhënë alarmin për moskonsumimin e tij. Personeli shëndetësor në zonë vazhdon të shpërndajë mesazhe për përdorimin ujit të zier ose të blerë në treg. Mësohet se në komunën Obot, gjatë ditës së djeshme vazhdon shërbimi mjekësor 24 orësh dhe është bërë i mundur transportimi i një pacienti me probleme kardiake. Ndërkohë që në komunën Dajç, dje situata ka ardhur vazhdimisht duke u vështirësuar. Është ofruar shërbim mjekësor 24 orësh, një mjek dhe dy infermiere dhe, gjithashtu, gjatë gjithë kohës ka pasur në gatishmëri një autoambulancë, kështu që është bërë i mundur transporti për në spitalin rajonal të Shkodrës i dy pacientëve me probleme kardiake. Në fshatin Renc janë strehuar rreth 55 romë, banorë endacakë, të cilët kohët e fundit kanë jetuar në një lagje periferike të Shkodrës, buzë liqenit, banesat e të cilëve janë mbushur me ujë. Është inspektuar reparti ushtarak, dhe mjekja e kësaj zone ka bërë edhe kontrollin mjekësor për këta persona, nga ku rezultoi se, rreth gjysma e tyre ishin fëmijë dhe shumica prej tyre me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore, për të cilët u pa e domosdoshme fillimi i mjekimit me antibiotikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›