E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i dërgon një mesazh ngushëllimi familjes Pavaroti.

7 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së Luçano Pavarotit në të cilin thuhet:

“E nderuara zonja Mantovani,

Me shumë hidhërim mësova lajmin e shuarjes së Luçano Pavarotit.

Bota humbi një legjendë.

Familja humbi njeriun e dashur.

Ngushëllimet më të thella në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar!

Pavaroti ishte padyshim një nga tenorët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, një mjeshtër i “bel-cantos”.

Zëri hyjnor i këtij ambasadori të paqes e ktheu muzikën lirike në himn që rrëzoi muret e rënda të sallave të mëdha të operave për të çuar gëzim pranë masës, njerëzve, duke e bërë këtë muzikë më popullore, më të dëgjuar, më të prekshme dhe më të ndjeshme.

Zoti ju bekoftë Maestro! Këtë natë askush nuk fle. “Nessun Dorma” për të dëgjuar pavdekësinë e muzikës suaj.

U prehtë në paqe shpirti i tij!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›