Presidenti Topi jep një intervistë për emisionin “Top Story” në “Top Channel”.

25 dhjetor 2007
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dha sot një intervistë për emisionin “Top Story” nga Sokol Balla, në televizionin kombëtar “Top Channel”.
Gazetari: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues! Për të bërë bilancin e këtij viti, gjatë së cilit shqiptarët kanë kaluar edhe çaste të vështira politikisht, por jo vetëm, për më tepër për të parë dhe të ardhmen e vitit 2009, i cili është një vit elektoral, siç është një vit i rëndësishëm edhe për hyrjen në NATO, por edhe për shumë zhvillime të tjera, “Top Story” në programin e tij të fundit për këtë vit është postuar sërish këtu në Pallatin e Brigadave për një bisedë me Presidentin e Republikës, zotin Topi. Mirëmbrëma zoti Topi!
Presidenti Topi: Mirëmbrëma!
Gazetari: Faleminderit që jeni në “Top Story” sërish! 2008 është një vit i jashtëzakonshëm, apo jo, nuk do të dija realisht nga t’ia filloja, qoftë nga ngjarjet e mira, qoftë edhe ato të dhimbshme e të vështira: Pavarësia e Kosovës, Samiti i NATO-s, por edhe Gërdeci, fillimi i hetimeve për një seri dosjesh të prezumuara korrupsioni nga qeveria, viti i ndryshimeve kushtetuese që ju vunë ju për herë të parë hapur përballë dy partive të mëdha. Ka dhe shumë ngjarje të tjera, por gjithësesi një vit që nuk do të harrohet edhe për një kohë të gjatë, apo jo?
Presidenti Topi: Në të tilla raste vëmendja përqendrohet tek ngjarjet e mëdha për kombin shqiptar dhe padyshim dy janë ngjarjet më të mëdha që patën një diferencë kohore rreth një muaj e gjysëm, ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në datën 17 shkurt dhe pastaj marrja e ftesës në Bukuresht pikërisht në datën 3 prill, që Shqipëria të futet në procesin e ratifikimit për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në prillin e vitit 2009. Natyrisht, viti 2008 në rast se do të merrnim përsipër në mënyrë modeste të bërit të një bilanci, ka qenë një vit mjaft intensiv nga pikëpamja e evenimenteve politike, një vit mjaft dinamik, sigurisht është tipar substancial i demokracive të reja, që gjithmonë kanë ngjarje dinamike politike dhe padyshim duhen parë me një sy pozitiv. Sidoqoftë ka pjesën pozitive dhe pjesën negative, por predominon pjesa pozitive, sepse aty ku ka debat politik, presupozohet që ka frymë demokracie. Unë besoj që të gjithë aktorët politikë në Shqipëri, aktorët institucionalë, kanë qenë të motivuar për të bërë një lojë të fortë, jo lojë apatike dhe patjetër që kjo ka rritur ndjeshëm dhe protagonizmin politik, ka rritur ndjeshëm dhe debatin rreth vendimmarrjes dhe tek e fundit unë mendoj që Shqipëria pas një viti ka bërë progres. Shqipëria ecën përpara dhe padyshim ecën përpara me të mirat, natyrisht edhe me të metat e demokracisë, është e natyrshme, por besoj që ajo që është për t’u evidentuar; shoqëria shqiptare ka bërë progres.
Gazetari: Zoti Topi megjithatë do të kemi mundësi të flasim për këto vlerësime ndoshta në këtë intervistë mbyllëse të vitit, por siç e thatë aktualiteti vijon të jetë i fortë edhe në këto ditë të fundit, në këtë javë, ose të themi në këto ditë të fundit të vitit 2008-të. Le ta fillojmë nga aktualiteti. Raportet me drejtësinë duket se kanë mbizotëruar të themi zhvillimet politike të ndërlidhura gjatë këtij viti, ç’ka ka ndikuar jo vetëm në raportet politike midis institucioneve, por edhe vetë brenda kampeve politike. Jo më larg se dje ju paralajmëruat për probleme të drejtësisë si kreu i KLD-së dhe dhatë alarmin se klane të politikës po fusin duart tek drejtësia. Kur thoni këtë, çfarë keni parasysh zoti Topi, cilin klan të politikës?
Presidenti Topi: Në fakt duhet t’i referoheni më korrekt shprehjes sime. Jam përqendruar totalisht, në mënyrë inkluzive tek sistemi i drejtësisë. Aty kam përmendur termin klane në fushën e drejtësisë dhe patjetër që kam bërë thirrjen konstante që kam bërë gjatë gjithë periudhës kur unë jam në këtë pozicion, që gradualisht, hap pas hapi, sepse nuk është një proces që vjen në mënyrë bruske, akute, por hap pas hapi, drejtësia në përgjithësi duhet të çlirohet nga mentalitetet e vjetra arkaike, duhet t’i shkëputet hap pas hapi klientelizmit dhe një lloj dipendence, ose varësie nga politika. Është e natyrshme që politika është elementi më i rëndësishëm që përcakton kuadrin ligjor, do të përcaktojë rregullin se si do të funksionojë në bazë të ligjeve organike i tërë sistemi i drejtësisë dhe natyrisht që kjo është politikë parlamentare që shprehet mbi bazën e vullnetit të parlamentarëve, të cilët projektojnë në Kuvendin e Shqipërisë votën popullore, por kjo duhet të përkthehet në lidhje të cilat duhet të absorbohen në mënyrë shumë profesionale nga i tërë sistemi i drejtësisë. Brenda këtij sistemi natyrisht e thashë edhe dje, e përsëris edhe sot, është bërë progres edhe në fushën e drejtësisë, sepse brenda një viti janë rinovuar 80% e drejtuesve të gjykatave, ka një tendencë të shprehur që në krye të institucioneve të drejtësisë të ketë njerëz që nuk kanë një “background” të së kaluarës, janë përgjithësisht në një moshë që luhatet nga 30-të deri në 40-të vjeç, njerëz që janë konsideruar me integritet dhe profesionist, të ri natyrisht, me Shkollë Magjistrature, ajo thirrje ka qenë pikërisht dhe dje kur unë i kam bërë thirrje të rritet tempi i rigjenerimit të institucioneve të drejtësisë me njerëz që vinë nga Shkolla e Magjistraturës. Janë çështje që natyrisht prekin drejtëpërdrejtë fizionominë e sistemit të drejtësisë, i cili ka qenë vazhdimisht shumë i përfolur, vazhdon të jetë i përfolur, por jam i bindur që çdo vit ne do të bëjmë progres sa i përket pastrimit të sistemit të drejtësisë nga njerëz të korruptuar, është një fenomen jo i izoluar, ka qenë shumë sistemik, ka filluar të ulet, por natyrisht një problem që ende ekziston. Njerëzit e sistemit të drejtësisë kanë nevojë të fitojnë një lloj autonomie që u takon të kenë njerëzit e sistemit të drejtësisë, por natyrisht së bashku me autonominë, ato duhet të kenë përgjegjësi të drejtëpërdrejta që nuk janë thjesht morale, janë përgjegjësi ligjore për të vënë drejtësi në një vend ku gati në kor njerëzit kërkojnë drejtësi, sepse në mjaft raste kjo drejtësi ose mungon, ose deformohet, ose nuk zbatohet, sepse mund të marrësh drejtësi dhe ajo nuk zbatohet. Pra gjërat janë mjaft komplekse. Brenda këtij kompleksisteti unë mendoj që ka progres dhe padyshim unë e shikoj me optimizëm tërë trajektoren e reformimit të institucionit të drejtësisë.
Gazetari: Zoti Topi, kur thoni që keni vënë re shenja të varësisë së drejtësisë nga politika, keni parasysh diçka konkrete?
Presidenti Topi: Zoti Balla, padyshim që unë jam në një bisedë mjaft të rëndësishme me ju sot, përballë një publiku, besoj një audiencë të gjerë, siç e ka gjithmonë kanali juaj, do të na ndjekë, jam munduar të jem gjithmonë i drejtëpërdrejtë, të mos jem vetëm mbi bazën e perceptimeve individuale, por mbi bazën e informacioneve që marr dhe besoj që pika e referimit më e saktë, më e pagabueshme është referenca popullore. Mbi bazën e informacioneve të shumta, mbi bazën e shumë çështjeve që ekzistojnë sot, në gjykatat tona, mbi bazën e alarmeve që vinë edhe nëpërmjet emisioneve radiotelevizive, intervistave të drejtëpërdrejta, shprehet gjithmonë nevoja që institucionet e drejtësisë të jenë profesionale, të jenë të pavarura, të mos jenë në influencën e individëve të veçantë të veshur me pushtet, por edhe njerëzve që kur themi pushtet, kemi parasysh jo vetëm pushtetin politik, padyshim është edhe një pushtet tjetër që është shumë i rëndësishëm që mund të jetë shumë influent, sikurse na rezulton ato që futen nëpërmjet pushtetit ekonomik. Pra, kur thashë të jemi të drejtëpërdrejtë, vazhdojmë të jemi të sinqertë në këtë linjë. Problemet janë komplekse, por këto probleme meritojnë që të kenë një orientim të përbashkët të të gjitha institucioneve, qoftë të institucioneve të politikës, qoftë të institucioneve të drejtësisë dhe ajo që kam thënë dhe vazhdoj të them është që institucioni i drejtësisë duhet të ketë sensin e autopastrimit dhe kjo vjen nëpërmjet KLD-së në radhë të parë dhe tërë orientimeve dhe procedurave që ky Këshill i merr mbi bazën e asaj që konsiderohet qeverisje e pushtetit gjyqësor.
Gazetari: Zoti Topi besoj do të flasim sërish pak më poshtë për drejtësinë dhe raportin e saj të vështirë me politikën, apo me këto, të themi qarqe ekonomike që ndikojnë tek ajo. Por të vazhdojmë pak me aktualitetin politik të kësaj jave. Parlamenti miratoi Ligjin e Pastërtisë së figurës, apo ligjin e “Dosjeve” siç njihet të themi dhe në zhargonin mediatik këtë javë. Si e shikoni miratimin e këtij ligji ju si President i Republikës, por edhe si një person që vjen nga një familje të persekutuar dhe me një “background” antikomunist, tashmë gardian i Kushtetutës?
Presidenti Topi: Besoj që duke respektuar pozicionin e Presidentit të Republikës, duhet të jem mjaft i kujdesshëm për të mos paragjykuar asgjë nga pikëpamja e ndërtimit ligjor të termave që janë përdorur në këtë ligj, sepse më takon të flas me dekret. Mund t’ju them që deri në këto momente ligji i miratuar në Kuvend ende nuk ka ardhur në zyrën e Presidentit, por politikisht qysh në ditët e para mbas vendosjes së demokracisë dhe në mënyrë shumë frekuente, madje me një frekuencë të lartë, në të gjitha temat e kësaj natyre unë jam shprehur për hapjen dhe për domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve. Këtu nuk është problemi për të diferencuar kategori të ndryshme, por gjithmonë kam qenë gjithmonë i parimit që njerëzit të cilët aspirojnë të marrin poste publike, aq më shumë poste të rëndësishme, aq më shumë në pozicione që influencojnë në jetën e të tjerëve, influencojnë në vendimmarrje, në çështjet e bërjes së opinioneve publike, patjetër duhet të kenë një të kaluar të pastër nga kjo pikëpamje.
Gazetari: Në fakt mënyra si flisni e tejkalon në disa pika edhe ligjin e miratuar. Megjithatë qëndrojmë në një draft, që ju keni propozuar atëherë si nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar. Bëhet fjalë për draftin e vitit 2006. U bë pastaj nul për shkak të procedurave, pasi ngeli për një kohë të gjatë në Parlament, megjithatë PD-ja u përqendrua sërish tek ai draft, por janë bërë disa ndryshime të vogla, ndryshime që janë pranuar nga Kryeministri pak ditë më parë: e para është përfshirë dhe KLD-ja që më parë nuk ishte, dhe e dyta nga termi gjyqe “speciale” politike është hequr fjala “speciale”, çfarë në fakt zgjeron spektrin dhe numrin e atyre që përfshihen në procesin e pastrimit dhe të verifikimit dhe që kanë qenë hetuesë dhe prokurorë në të shkuarën. Ju si autor le të themi të atij drafti të mëparshëm, por tashmë si arbitër në distancë, si i shikoni këto ndryshime të bëra në ligj?
Presidenti Topi:Unë nuk mund të vendosem në një pozicion të dyfishtë. Unë sot pyetem këtu si President i Republikës. Ai dokument i nënshkruar nga unë në vitin 2006, ka qenë një dokument i ndërtuar mjaft mirë, natyrisht mbi bazën e një vullneti politik, pasi natyrisht nuk ishte një dokument i ndërtuar individualisht, por unë shprehja vullnetin e tërë grupit parlamentar të PD-së, sepse në atë kohë isha kryetar i tij dhe natyrisht i qëndroj atij varianti edhe për definicion, përderisa e kam nënshkruar, domethënë i qëndroj atij varianti. Ndërsa sot në këtë pozicion, më lejoni të marr kohën e duhur për të ushtruar kompetencat e mia kushtetuese, ju siguroj mbi bazën e një konsultimi të thellë dhe të plotë me ligjin dhe Kushtetutën, për të marrë pastaj vendimin që më takon të marr.
Gazetari: Atëherë do t’ju pyes edhe një herë si politikan, pasi ju thatë që jeni një ndjekës i rregullt i debatit politik dhe publik në vend. Si i shikoni, si i ndiqni akuzat që janë vënë nga ndërkombëtarët, nga faktorët politikë, faktorë të shoqërisë civile që ky ligj për dosjet shihet dhe si një përpjekje për të spostuar prokurorët, që sot po hetojnë dosje të korrupsionit që përfshijnë eksponentë të mazhorancës?
Presidenti Topi: Unë personalisht dëshiroj të mos interferoj në këtë debat. Natyrisht unë kam pozicionin tim dhe bindjet e mia rreth të gjitha çështjeve, por ndryshe nga periudha kur kam qenë marrë me politikë, me politikë aktive, mund t’ju siguroj që kam patur më shumë hapësirë për të diskutuar dhe ju e mbani mend kam qenë gjithmonë i drejtëpërdrejtë. Sot unë jam i kufizuar nga konturet e pozicionit konsitucionalist institucional për të mbajtur një qëndrim të matur dhe të mos shprehem para kohe.
Gazetari: Megjithatë, ata që janë shprehur zoti Topi, dhe besoj këtu nuk i jeni shmangur dot dhe nuk mund t’i shmangeni kësaj pyetjeje, ndërkombëtarët kanë qenë tepër të qartë dhe e kanë prekur ligjin, e kanë gjykuar atë në tre nivele: në nivel politik, në nivel ligjor dhe në nivel kushtetues dhe në të tre këto nivele ndërkombëtarët, SHBA, OSBE-ja, Britania e Madhe, Këshilli i Evropës, mos flasin për faktorin politik të brendshëm, kanë gjetur shkelje. Ju thoni që jeni gardian i Kushtetutës, atëherë çfarë do të bëjë Presidenti i Republikës në rast se sheh që ky ligj bie ndesh me Kushtetutën?
Presidenti Topi:Edhe një herë ta përsëris zoti Balla, ligji ende nuk ka ardhur në zyrën e Presidentit. Të mos paragjykojmë. Unë do të marr ligjin, do të bëj konsultimet dhe studimin e ligjit, por gjithmonë kam qenë vlerësues për të gjithë ndihmën që partnerët ndërkombëtarë i kanë dhënë procesit të demokracisë në Shqipëri, qoftë për Këshillin e Evropës, qoftë për partnerët e Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë gjithmonë aleatë dhe mbeten aleatët kryesorë në të gjitha betejat për demokraci. Unë mendoj që kjo është një çështje që do të diskutohet në sensin e duhur, për të mos marrë keqkuptimet, por për të arritur në standardet e nevojshme për demokracinë e re në Shqipëri. Por mendoj gjithmonë dhe e ritheksoj dhe dëshiroj ta përmbyll këtë pjesë që çështja e hapjes së dosjeve ndoshta është dhe e vonuar. Gjithmonë ka pasur tentativa për t’i hapur, për t’i mbyllur, ka pasur gjithmonë debate politike, mendoj sikurse edhe për shumë gjëra të tjera edhe këtu në këtë linjë jemi të vonuar.
Gazetari: Përse jemi të vonuar?
Presidenti Topi: Jemi të vonuar, sepse mbas 18-të vitesh të diskutohet prapë të hapen, apo jo. Duhet të ishin hapur. Kjo është një shoqëri e hapur dhe duhet të jetë një shoqëri e hapur detyrimisht dhe patjetër që njerëzit duhet ta kuptojnë. Ata që kanë pasur probleme të kësaj natyre, nuk kanë pse sot, përderisa jemi në një ekonomi të lirë, në një vend të lirë, ka mjaft hapësira për profesione të ndryshme, le ta bëjnë karrierën ata që mendojnë që nuk kanë probleme të tilla. Në qoftë se ka probleme për ndonjërin që është në karrierë, ai pastaj duhet të shikojë pozicionin e tij.
Gazetari: Kam një pyetje për atë që ju thatë, konsultimin që ju do të bëni si Kryetari i Shtetit. Ky konsultim mund të jetë dhe në formën që ju ndoqët përsa i përket dekreteve të emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë?
Presidenti Topi:Këto janë çështje të karakterit metodik që ndjek Presidenti, nuk është e thënë që të jetë e njëjta natyrë konsultimi. Unë e kam të detyrueshme për shumë gjëra që të marr konsultimin e nevojshëm me konstitucionalistë, me njerëz që kanë eksperienca në fusha të ndryshme dhe në pozicionin e Presidentit nuk mund të ketë emocion. Ky është një pozicion përtej politikës, duhet të jesh shumë i saktë, sepse përderisa e kam marrë dhe jam betuar për këtë pozicion, duhet të jem luajal qoftë në çdo frymë, qoftë në çdo gërmë të Kushtetutës dhe të ligjit. Kjo është arsyeja që kërkoj konsultimin, kjo është arsyeja që kërkohet një kohë e caktuar për vendimmarrjen.
Gazetari: Në fakt, kryetari i PD-së, lidhur përsa i përket saktësisë që ju thoni, i referohet dekorimit të një prokurori në pension, Skënder Brecës, si një dekorim për të zezën e tij. A keni ju një koment për këtë dekorim të bërë nga ju, por si një President antikomunist, e ritheksoj nga një familje e persekutuar të një prokurori që ka marrë pjesë në gjyqet politike?
Presidenti Topi: Padyshim që ndjej keqardhje. Ndjej keqardhje dhe bëhet fjalë për një person dhe personazh që nuk e kam njohur ndonjëherë. Padyshim, që e gjithë procedura e dekorimeve që realizon një institucion, Institucioni i Presidentit, ndjek një rrugë të caktuar institucionale. Për fat të keq, qoftë në momentin e propozimit, qoftë në momentin e filtrimit, këtu ka pasur një handikap dhe me bindje them që është një vendim, një procedurë për t’u rivendosur, për t’u rigjeneruar. Por gjithmonë kam pasur në të gjitha vrojtimet dhe hulumtimet që kam bërë rreth kësaj procedure, stafi që ka asistuar, është mjaftuar vetëm me referenca shumë sipërfaqësore. Ka marrë parasysh që ky person ka punuar në institucione të rëndësishme në vitet e demokracisë, në Gjykatën e Lartë, në Prokurori dhe për një periudhë të caktuar kohe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe ka mjaftur për të thënë që gjithçka është e pastër. Ndjej keqardhje dhe padyshim që gjithçka do të rivendoset në moralin e vet. Pra nuk ka të bëjë fare me ndjeshmërinë individuale, se ju e dini ndjeshmërinë time të thellë dhe respektin tim të thellë për shtresat e të përndjekurve, sepse e kam ndjerë këtë persekutim edhe në familjen time.
Gazetari: Zoti Topi, megjithatë, situata e krijuar në javët e fundit le të themi lidhur me ligjin për dosjet nxorri në pah diçka tjetër, këmbënguljen e mazhorancës për të nxjerrë një ligj megjithë kundërshtimin e madh të faktorit ndërkombëtar. Shkoi deri në atë pikë që Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndoshta kombi i vetëm në botë që investuar kaq shumë në luftën kundër komunizmit, t’i kujtohej nga ne që nuk kanë vuajtur aq shumë prej tij. Si e shikoni ju këtë situatë të krijuar, këtë kundërvënie të themi të institucioneve të drejtuara nga mazhoranca ndaj faktorit ndërkombëtar, ndaj Shteteve të Bashkuara?
Presidenti Topi:Këtë përgjigje mund ta japin më mirë ata, të cilët ju mund t’i referoni. Në bindjen time dhe besoj në bindjen e të gjithë shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë kampion i demokracisë dhe pikë e referimit për standardet e larta të demokracisë. Ka qenë një fat i jashtëzakonshëm që në momentet më të vështira historike të kombit, të popullit tonë kemi pasur afër një mik shumë të madh dhe kjo ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë pranë hyrjes me të drejta të plota në NATO, pa diskutuar pastaj për të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me çlirimin e Kosovës, me krijimin e të gjitha kushteve për pavararësinë e Kosovës, me një asistencë të jashtëzakonshme përsa i përket demokracisë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri, për stabilitetet rajonale, për të gjitha partnershipet që ne kemi në nivel rajonal dhe global, dhe unë besoj që SHBA do të vazhdojnë ta asistojnë Shqipërinë dhe ne padyshim e konfirmojmë që janë aleati ynë numër një në perspektivën tonë të integrimit euroatlantik.
Gazetari: Megjithatë edhe këtu ka një ndarje të opinionit publik, ku dikush e sheh me shqetësim që kundërvënia ndaj ndërkombëtarëve, ndaj amerikanëve mund të ketë dhe pasoja për vendin dhe një tjetër mund të thotë që ne jemi një vend sovran dhe i lirë. Ku e shikoni veten në këtë diapazon opinionesh zoti Topi?
Presidenti Topi: Unë sapo u shpreha që ne kemi qenë bashkëudhëtarë në të gjitha shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët e kanë parë Shqipërinë me shumë sensibilitet, sepse kemi qenë një vend i vogël që vjen nga një e kaluar shumë e hidhur. Gjithmonë kemi pasur shpresën e madhe që do i kemi partnerë dhe asistentë në të gjithë rrugën tonë për demokraci dhe fatmirësisht ecim së bashku. Ky lloj partneriteti duhet respektuar dhe mbi bazën e këtij partneriteti duhen ndërtuar të gjitha raportet. Unë besoj që ky është sensi i komunikimit dhe i luajalitetit në marrëdhëniet midis një vendi të vogël dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetari: Dhe dy pyetje të fundit para se të mbyllim këtë pjesë të parë. Ju folët dje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe sot e përsëritët që drejtësia duhet të jetë larg politikës dhe t’i rrijë larg ndikimit të saj. Le të themi për proceset hetimore ndaj rrugës Durrës – Kukës. Mendoni se Prokuroria e Përgjithshme me lënien e afateve të hetimit “in exstremis” për këtë çështje deri në ditë të fundit la shteg të interpretohej nga politika në këtë proces?
Presidenti Topi: Nuk mund të futem në çështjet e perceptimit të punës së Prokurorisë, sepse qysh në ditën e parë dhe në vazhdimësi kam qenë i parimit që institucionet e drejtësisë, apo institucionet e pavarura duhet të vazhdojnë të jenë të pavarura. Kështu që në asnjë mënyrë, në mënyrë absolute asnjëherë në asnjë term të përdorur nuk kam nënkuptuar që Prokuroria, apo sistemi i drejtësisë duhet të operojnë në këtë mënyrë ose jo. Është një çështje ekskluzive që e ka ky institucion. I takon atij institucioni që të përballet me të gjitha çështjet në sistemin e gjykatave të Shqipërisë dhe pastaj është drejtësia e pavarur ajo që do të marrë pozicionin definitiv për të gjitha çështjet që ekzistojnë.
Gazetari: Pra, mendoni se për hetimin dhe në gjykimin e këtyre procesve Prokuroria dhe Gjykatat do të kenë forcën dhe integritetin e duhur profesional për t’u shkëputur nga ndikimi dhe presionet politike dhe për të arritur në përfundimin e vetëm dhe respektim e drejtësisë pa marrë parasysh pasojat?
Presidenti Topi: Unë uroj dhe shpresoj që të mos jenë të kompleksuar nga kjo lloj situate. Ajo që unë garantoj është pikërisht që nga Institucioni i Presidentit të Republikës kanë një pavarësi absolute në çështjet e ushtrimit të prozicionit ligjor që ka qoftë Prokuroria, qoftë segmente të tjera të pushtetit gjyqësor.
Gazetari: Jemi kthyer sërish me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në këtë intervistë në “Top Story”. Zoti President, dje Komisioni “ad hock” i Reformës Kushtetuese reflektoi mbi dekretin që u kthye, dekretin kthyes, të themi, të Kodit Zgjedhor. Duket se një dispozitë kushtetuese, dispozitë e përkohshme do të jetë ajo që do të zgjidhë problemin teknik të afateve. Mendoni që kjo ishte zgjidhja e duhur, apo jo?
Presidenti Topi: Unë besoj që ka qenë një reflektim i nevojshëm, i domosdoshëm, dhe dëshiroj të përgëzoj përfaqësuesit politikë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilët morën në konsideratë shqetësimin e Presidentit, i cili nuk ishte shqetësim për një çështje kushtetuese, çështë e vërteta, por kishte të bënte me një domosdoshmëri teknike, që kishte të bënte me nevojën që kishte Presidenti për të ushtruar të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore në caktimin e datës së zgjedhjeve. Padyshim, më vjen mirë që reflektuan në këtë mënyrë. E kam të qartë që gjithmonë politika reagon në disa raste dhe në mënyrë emocionale. Nuk dëshiroj t’i rikthehem në restrospektivë mënyrës së reagimit, por ajo që e dallon një politikan aktiv në Parlament me Presidentin, është pikërisht çështja e ftohtësisë në marrjen e vendimit. Pra, mua nuk më lejohet që të marr vendime pasionante, por detyrimisht do t’i marr këto vendime, duke iu referuar dokumentit themeltar të shtetit, Kushtetutës, ligjit, dhe natyrisht kthimi kishte një motiv të drejtëpërdrejtë, i thjeshtë, jo politik. Ishte një moment teknik dhe më vjen mirë që ky Komision ka reaguar në këtë mënyrë, në mënyrë që të mos kemi asnjë ditë vonesë në caktimin e datës së zgjedhjeve.
Gazetari: Pra, ju thoni se përtej argumentit që ju nxorrët edhe në faqen tuaj, nuk ka, të themi asnjë gjë tjetër, pra nuk ka asnjë gjë tjetër përveç argumentimit zyrtar, sepse Kodi është kontestuar edhe në aspekt tjetër apo jo?
Presidenti Topi: Unë nuk kam ç’t’u bëj të tjerëve, por unë, në natyrën time, qoftë si politikan, qoftë edhe në këtë pozicion, kam qenë i drejtpërdrejtë. Unë çfarë kam, i them, i shpreh, mundohem të jem shumë i qartë. Nuk ka asnjë gjë që unë mbaj përbrenda apo “underground”. Politika dhe mënyra e komunikimit është e hapur. Gjërat kur thuhen hapur, duhet të absorbohen në këtë mënyrë. Fakti që ato kanë dhënë të drejtë, fakti që kjo është një çështje që s’ka të bëjë me një moment të parëndësishëm, por ka të bëjë me datën e dekretimit të zgjedhjeve politike, zgjedhje të cilat nuk bëhen për një njeri apo për një grup njerëzish, por bëhen për të pasur zgjedhje në standarte dhe urojmë që të jenë zgjedhje në standarte dhe të pakontestueshme. sepse janë një element shumë i rëndësishëm në të gjitha ato çështje të tjera që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë.
Gazetari: Zoti Topi, megjithatë ju e dini dhe besoj jeni i ndërgjegjshëm se kthimi i ligjit hapi një spirale të fortë në debatin politik, i cili vazhdon akoma në fakt. Lëvizja Socialiste për Integrim po kërkon edhe korrigjime të tjera në ligj, sidomos në pjesën e administrimit të zgjedhjeve, çka shpesh herë e kanë bazuar edhe në argumente kushtetuese se pikërisht ky sistem i ri po cënon pikërisht të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur dhe përfaqësuar në mënyrë korrekte. Si i shikoni këto ndryshime që kërkon Lëvizja Socialiste për Integrim?
Presidenti Topi: Unë mendoj që kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive parlamentare dhe me vendimarrjen parlamentare. Mendoj që në këtë fazë që jemi është një moment i tejkaluar, qoftë për atë vendim që ka marrë Presidenti, për ta kthyer për një çështje teknike, qoftë edhe me vendimmarrjen që ka marrë Komisioni i Reformës Zgjedhore. I takon seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, për t’u pozicionuar në mënyrë definitive, por besoj që kjo është tendenca e shprehur dhe një tendencë që duket do të shkojë në këtë linjë.
Gazetari: Pra, që duhet respektuar, mendoni ju, vendimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore për t’u miratuar vetëm dispozita kalimtare për çështjen e afateve?
Presidenti Topi: Por unë nuk them agjë tjetër, sepse e kam kthyer për këtë motiv. Nuk e kam kthyer për motive të tjera.
Gazetari: Kur thoni që ky Kod apo në përgjithësi veprime të tilla janë pasojë e vullnetit politik të partive parlamentare, a do të ishte e pranueshme për ju, si President i Republikës, që ndoshta të arrihej një vendim për miratim apo për ndryshimin e një Kodi me vendim të partive parlamentare, por pa pjesëmarrjen e partisë kryesore të opozitës. Të paktën po qarkullojnë zëra se në teori mund të jenë të mundshme ndryshimet në Kod me një formulë 2+1, pra, për të lejuar LSI-në për t’u futur në Komisione Zgjedhore, por në këtë rast nuk do të merrte votat e Partisë Socialiste si partia më e madhe e opozitës. Prapë, do të ishte një vendim i rregullt i partive parlamentare. Por do të ishte kjo politikisht e pranueshme dhe korrekte sipas jush?
Presidenti Topi: Unë i referohem një momenti tjetër, ku Presidenti i Republikës, edhe kur ishte çështja e prekjes së kompetencave të Presidentit apo ndryshime kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, nuk e ka konsideruar si çështje të një interesi personal. Absolutisht. Por duke marrë në konsideratë që ato ndryshime kushtetuese në atë kohë u votuan me 115 vota në parlament, ndoshta e kam thënë, ka qenë një dekretim në një kohë rekord, dekretim i menjëhershëm, në mos gaboj ka qenë Dita Evropiane, 9 maji i këtij viti, ku unë nuk kam hezituar për ta respektuar atë vullnet me 115 vota.
Gazetari: Megjithëse e kontestuat personalisht. Bashkë kemi qenë në një intervistë ku e keni kontestuar shumë ashpër.
Presidenti Topi: Unë kam bërë një lloj reagimi përpara miratimit të këtij ligji.
Gazetari: Po, përpara miratimit, patjetër.
Presidenti Topi: Duke bërë thirrje jo thjesht për çështje të veçanta, por duke i bërë thirrje politikës që ndryshimet kushtetuese, kur preket Kushtetuta, është shumë e rëndësishme që të kenë një konsultim të gjerë, dhe nuk e kam thënë vetëm unë, e kanë thënë dhe konstitucionalistë dhe politikanë, autorë të ndërtimit të Kushtetutës së Shqipërisë. Çështja është që nga konsultimi, asgjë e keqe nuk vjen. Pastaj vendimmarrja politike është e partive politike. Askush tjetër nuk mund të interferojë dhe nuk mundet të interferojë në vendimmarrjen politike. Por çështja e konsultimit, në mënyrë që gjërat të dalin të pjekura, janë çështje jetike, sidomos kur bëhet fjalë për ndryshimin e dokumentit themelor, që konsiderohet themeli i institucioneve të Shqipërisë, të Kushtetutës së Shqipërisë.
Gazetari: Megjithatë, pas kaq muajsh i qëndroni sërish atyre argumentave që dhatë në atë intervistë kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese, që ndër të tjera preknin edhe postin, të themi, pozitën kushtetuese të postit të Presidentit të Republikës?
Presidenti Topi: Zoti Balla, unë i jap intervistat në funksion të kohës dhe jam munduar që të jem gjithmonë shumë i vëmendshëm dhe analitik, dhe me deklarata që t’i rezistojnë kohës.
Gazetari: Pra u qëndroni atyre?
Presidenti Topi: Po, mund ta përktheni nga shqipja në shqip.
Gazetari: Zoti Topi, ndryshimet siç ju thashë, ju preknin juve, ose më mirë, postin tuaj. Pse e bëri mazhoranca këtë veprim, duke qenë që ishte kjo mazhorancë që vetëm pak muaj më parë ju kishte zgjedhur, do të thoja, edhe me një kosto politike të lartë, pra pa votat e partisë kryesore të opozitës, por në mënyrë korrekte, dhe ligjore dhe kushtetuese, si Kryetar i Shtetit. Sot duket se dhe kanalet e komunikimit me krerët e kësaj mazhorance janë, kanale flasim personale, politike dhe personale, duket se janë ngushtuar pak. Eshtë kjo e vërtetë apo thjesht një perceptim ky i debatit të ashpër politik këtë vit?
Presidenti Topi: Unë do të mendoja që ta lëmë këtë në aksesin e perceptimit të medias. Për mua është shumë e rëndësishme që të ketë raporte, raporte njerëzore, është shumë e rëndësishme.
Gazetari: Ekzistojnë këto zoti Topi?
Presidenti Topi: Të konsolidohen raportet njerëzore. Dhe raportet njerëzore në marrëdhëniet institucionale duhet të jenë në funksion të respektimit të pozicionit të gjithësecilit, i cili natyrisht okupon, në kuptimin e vërtetë të fjalës, në mënyrë kushtetuese, një pozicion të rëndësishëm. Gjithçka bëhet fjalë jo për debate të karakterit personal. Kush e koncepton këtë mënyrë, gabohet. Këtu diskutohet për çështje mjaft parimore që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, të strukturave të saj, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, dhe debatet kur bëhen të hapura janë në favor të demokracisë.
Gazetari: Por a jeni i sigurt që dhe pala tjetër e perception në këtë mënyrë?
Presidenti Topi: Unë nuk bëj analizë për të tjerët, përderisa jemi në një intervistë të drejtpërdrejtë, dhe unë jam në pozicionin tim.
Gazetari: Kur kanë qenë komunikimet tuaja të fundit me zonjën Topalli dhe me zotin Berisha, dhe a vazhdojnë ato? Nuk flas për komunikimet institucionale.
Presidenti Topi: Natyrisht janë marrëdhënie të karkterit institucional.
Gazetari: A ka diçka më personale dhe miqësore në to?
Presidenti Topi: Unë besoj që mbizotëron marrëdhënia institucionale.
Gazetari: Sa mendoni që mund të kenë ndikuar në këtë raport, të themi, në zbehjen e raportit personal? - padyshim ai institucional vazhdon - edhe pozicioni stabël i Prokurorisë në hetimet e dosjeve të Gërvecit, në fazën e rrugës Durrës-Kukës, mendoni që këto gjëra kanë ndikuar në raportet mes dy institucioneve dhe personaliteteve që i drejtojnë ato?
Presidenti Topi: Përderisa unë ju thashë që Presidenti i Republikës ka bindjen e plotë që nuk është interferencë në çështjet e autonomisë së këtyre institucioneve, do të thotë që unë jam totalisht larg këtyre influencave. Janë çështje që realisht kanë të bëjnë me ekskluzivitetin e punës së këtyre institucioneve.
Gazetari: Zoti Topi, megjithatë klima e krijuar me Kodin Zgjedhor, e cila ndoshta pritet të vazhdojë edhe në ditët që do të vijnë, vënia deri diku në dyshim e afateve kushtetuse për mbajtjen e zgjedhjeve të qershorit, a mendoni që është kjo klima e duhur për t’u futur në një vit elektoral dhe a mund të ketë zgjedhje normale nëse kjo klimë vazhdon? Sespe klima mund të ndryshojë.
Presidenti Topi: Unë besoj, nga ajo që ka ndodhur dje në Komisionin e Reformës Zgjedhore, është një premisë e mirë që ne jemi plotësisht në afatet për të bërë zgjedhje pikërisht në afatet kushtetuese dhe besoj me standartet e duhura. Besoj sepse ka dhe, përveç datës së zgjedhjeve dhe klimës së caktuar politike, ka dhe disa detyrime që janë, përsa i përket dokumentacionit, dhe mbi bazën e asaj që ne kemi marrë informacion, shpresojmë që ky dokumentacion të jetë i realizuar në kohë, në mënyrë që zgjedhjet, jo vetëm të kenë një kuadër ligjor të domosdoshëm, por të kenë dhe infrastrukturën dhe besimin reciprok që këto zgjedhje do të jenë të lira, të ndershme, ta pakontestuara.
Gazetari: Zoti Topi, si mendoni se po sillen palët politike në vend me çështjen e komplikuar të komunitetit apo të minoritetit grek në Shqipëri? Kam këtu parasysh dhe situatën e krijuar në bregdet dhe Himarë, dhe sidomos me disa kompromise që po përfliten për zgjedhjet e ardhshme, në vitin 2009.
Presidenti Topi: Unë nuk e di për çfarë kompromisesh bëhet fjalë, por mund të them që është edhe në misionin e medias që, të mos fryhen çështje që janë shumë periferike.
Gazetari: I referoheni rastit ‘Bollano’?
Presidenti Topi: Flas në parim, pastaj mund t’i referoheni cilitdo person. Ndonjëherë, persona fare periferikë, persona të cilët mund të kenë dhe tendenca të shprehura individuale ose në grup, s’duhen marrë shumë në konsideratë. Shqipëria i ka institucionet e veta, ka institucione të forta, të konsoliduara. Ka një mentalitet shoqëror shumë të qartë përsa i përket historisë së Shqipërisë, por edhe perspektivës së Shqipërisë. Ajo që ne duhet të bëjmë të gjithë, është që nuk duhet të lëmë vakuume në asnjë lloj pozicioni, në asnjë lloj territori, por duhet patjetër që të ushtrojmë, në të gjitha mënyrat e mundshme demokratike, në mënyrë që tendencat ultranacionaliste, që kanë qenë tipike për vendet ballkanike të disa viteve më përpara, të mos ekzistojnë më. Shqipëria sot ka një rol, do të thoja, gati në rolin e lidershipit, në mentalitetin ballkanik, që kërkon t’i largohet në mënyrë definitive skenarëve, të cilët e kanë sjellë Ballkanin në luftën ndëretnike. Pra, ky lloj mentaliteti modern, duhet patjetër që të krijojë një dominant në Shqipëri, në shoqërinë shqiptare, në çdo territor, që zërat ultranacionalistë, të mos ndihen, të jenë zëra të mekur, dhe pastaj, aty ku shkelet ligji, natyrisht institucionet duhet të veprojnë, drejtësia duhet të veprojë. Ligji është i barabartë për të gjithë, ndërsa përsa i përket frymës së respektimit të së drejtës së çdo njeriu që jeton në Shqipëri, ne punojmë me parimet bazale të Këshillit të Evropës dhe besoj që jemi nga më të lavdëruarit përsa i përket respektimit të të drejtave të gjithësecilit në Shqipëri.
Gazetari: Zoti Topi, atëherë s’po e ngacmoj më çështjen ‘Bollano’, pasi mendoj që ju i dhatë përgjigje edhe asaj çështjeje. Viti 2008 do të mbahet mend për Samitin e NATO-s. Ju ishit atje. Si e kujtoni atë ditë?
Presidenti Topi: Një ditë shumë emocionante, një ditë e mbushur me shumë angazhime. Padyshim që ne e përjetuam në mënyrë të veçantë, sepse konsideroheshim si nxënës të rinj në një auditor mjaft të rëndësishëm, ndoshta nga më të rëndësishmit që orientojnë politikat globale të paqes, dhe po bëja një bilanc, një bilanc që vinte në mënyrë shumë intuitive që takohesh me përfaqësuesit më të rëndësishëm të globit, dhe në një bilanc që po bëja për vitin 2008, unë e kam takuar në evenimente të ndryshme Presidentin Bush, katër herë, në Bukuresht, në Zagreb, në Izrael, në takime të ngushta kuptohet, dhe në Nju Jork. Pra, do të thotë që duke i dhënë aksesin Shqipërisë, për të marrë pjesë në forume të tilla, patjetër je pjesë e kontakteve frekuente me njerëzit më të fuqishëm, që tashmë janë partnerët tanë. Partnerët tanë janë aleatët tanë dhe kjo është një gjë shumë e madhe.
Gazetari: Përmendët në fakt disa etapa të aktivitetit tuaj tepër të dendur diplomatik. Këtë vit, zoti Topi, siç thatë, Samiti i Bukureshtit, vizita në Kombet e Bashkuara, fjalimi juaj atje, por dhe fjalime të tjera të rëndësishme dhe takime të rëndësishme, gjatë një viti tepër intensiv diplomatik, çfarë tjetër do të veçonit prej këtij viti në axhendën tuaj të jashtme?
Presidenti Topi: Kanë qenë shumë takime dhe do të merrja në konsideratë intensitetin e lartë diplomatik në funksion të çështjes së Kosovës, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në Bashkimin Evropian, dhe besoj kontakte shumë frekuente me vendet e Ballkanit. Unë kam pasur disa vizita të rëndësishme. Bile janë aq shumë sa që e kam të vështirë t’i memorizoj tani, por janë shumë të rëndësishme vizitat e fundit që unë kam bërë në Turqi, vizitë zyrtare në Itali dhe në të gjitha vendet e Ballkanit. Dhe besoj që, ajo që mbetet e paharruar është vizita e kryer, e realizuar në Kosovë, vetëm pak ditë përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Gazetari: Pra, ju akoma s’keni shkelur në një Kosovë të pavarur. Kur do ta bëni këtë, zoti Topi?
Presidenti Topi: Kam kënaqësinë t’ju them që vizita e parë e vitit 2009, do të bëhet pikërisht në Kosovë, me një ftesë zyrtare që unë kam nga Presidenti i Kosovës, zoti Sejdiu, në datat 8 dhe 9 janar. Është një gjë shumë e madhe, sepse është vizita e parë zyrtare në një Kosovë të pavarur, por emocionet janë shumë të freskëta, sepse unë e realizova vizitën përpara shpalljes së pavarësisë, pikërisht në datën 25 janar, ku ndjehej një dëshirë e jashtëzakonshme e të gjithë popullit të Kosovës, për të qenë të pranishëm dhe për ta realizuar sa më shpejt aktin e shpalljes së pavarësisë.
Gazetari: Nga padurimi për të shpallur pavarësinë.
Presidenti Topi: Ndërsa sot jemi në një situatë tjetër komplet.
Gazetari: Si e shikoni situatën e Kosovës? Ka qenë një vit i rëndësishëm, por dhe kompleks dhe i vështirë apo jo? Por viti tjetër pritet të jetë edhe më i vështirë.
Presidenti Topi: Kur bën bilancin e një viti dhe mendoj qe ka pasur shumë ngjarje, e shikon që çështja e Kosovës vërtet ka qenë një çështje delikate, por në vlerësimin tim këto çështje kanë kaluar me shumë sukses. Ka pasur një vëmendje të jashtëzakonshme të partnerëve ndërkombëtarë, pavarësisht diskutimeve dhe kontestimeve që janë bërë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, unë mendoj që lidershipi kosovar ka operuar në mënyrë të sinkronizuar me pozicionin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe mendoj që ka qenë rruga më e drejtë për të tejkaluar ato debatet e pabaza që bëhen me faktorë që ende sot shprehin frymën e ultranacionalizmit serb, që është praktikisht në një pozicion arkaik me klimën e re politike që kanë ballkanasit.
Gazetari: Zoti President, rruga Durrës-Kukës përtej retorikës së proceseve gjyqësore, është vërtet arteria e kombit, ajo që na lidh apo që do lidhë Kosovën me ne. Mendoni se Shqipëria ka bërë mjaft apo duhet të kishte bërë më tepër për Kosovën?
Presidenti Topi: Unë besoj që po t’i kthehemi një retrospektive të largët, meqënëse po diskutojmë se çfarë ka bërë Shqipëria për Kosovën, dhe unë nuk besoj që ju e fokusoni pyetjen tuaj thjesht në vitet e fundit, unë kam qenë dhe jam i mendimit dhe fort i pozicionuar që ajo rrugë që po bëhet sot, duhet të ishte bërë dekada më parë. Dhe kam pasur një bindje personale që është lënë në mënyrë të qëllimshme Kosova dhe Shqipëria izoluar në këtë mënyrë. Ka pasur qëllime gjeo-politike të nomenklaturave që kanë qenë në atë kohë, dhe besoj që realizimi i kësaj arterieje, që po bëhet sot fatmirësisht, është një arritje e jashtëzakonshme, jashtë çdo lloj debati që bëhet rreth rrugës, ato janë çështje të tjera, që s’kanë të bëjnë me dëshirën e shqiptarëve. Ato janë çështje që janë futur në rrugën e drejtësisë dhe i ka drejtësia në dorë për të dhënë verdiktet, por vendimmarrja politike për të realizuar rrugën Durrës-Prishtinë, ndoshta ka qenë vendimmarrja më e rëndësishme, dhe besoj më dominante që i hap rrugë pikërisht këtyre marrëdhënieve natyrale që i ka populli shqiptar në Kosovë me popullin shqiptar në Shqipëri.
Gazetari: Zoti Topi, ju thatë pak më herët diçka për dekorimin e një prokurori, që ndoshta nuk duhej të ishte bërë. Çfarë do të korrigjonit në punën tuaj, si President i Republikës, gjatë aktivitetit të këtij viti, vitit 2008?
Presidenti: Unë besoj që, njeriu gjithmonë ka mundësi që të përmirësojë punën e tij. Është shumë e rëndësishme që Institucioni i Presidentit, duke qenë ndryshe nga institucionet e tjera, të cilat kanë një karakter kolegjial, dhe po të shikoni, Kuvendi i Shqipërisë merr karakter kolegjial, sepse nuk mund të marrë vendime pa arritur një kuorum të parlamentarëve që janë të mbledhur në sallë. Pra, ka mekanizma filtrimi, komisione, seance plenare. Qeveria padyshim merr vendime kolegjiale. Presidenti duhet të marrë vendime individuale, dhe kjo presupozon që Presidenti duhet të ketë një staf shumë të kualifikuar. Pra, ajo që unë mendoj që duhet përmirësuar më tej, është pikërisht: stafi i Presidentit duhet të jetë shumë profesional në të gjitha linjat, duhet të jetë shumë i vëmendshëm, akoma më i vëmendshëm se ç’ka qenë. Dhe patjetër do të punoja shumë në harmonizimin e marrëdhënieve institucionale dhe përmirësimin e imazhit të sistemit të drejtësisë.
Gazetari: Një temë nëtë cilën ju nuk jeni përfshirë shumë, ndoshta edhe nuk e përfshin institucionin tuaj, është kriza globale ekonomike. Mendoni që Shqipëria, autoritetet, institucionet qendrore, po bëjnë atë që duhet për të parandaluar efektet e kësaj krize, që me siguri do të shtohen gjatë vitit 2009?
Presidenti Topi: Ju mund të thoni që unë nuk jam i përfshirë, por natyrisht i takon institucioneve të tjera specifike që merren me këtë çështje, që të flasin me zë profesional. Por është detyrë e Presidentit të Republikës që të jetë i informuar rreth këtyre çështjeve, bile unë mund t’jua ilustroj juve me një Takim Rajonal që ne kemi pasur me Presidentët e Ballkanit në Ohër, ku është diskutuar për çështjet ekonomike, dhe duke iu referuar Takimit të Dubrovnikut, të bërë në nëntor të vitit 2007, askush nga Presidentët e mbledhur në atë takim, të cilët kishin referenca dhe burime nga institucionet e veta financiare, askush nuk e kishte parashikuar që mund të vinte një krizë globale financiare dhe kjo u hodh pikërisht me këto lloj termash kritikë në këtë takim, që institucionet e një vendi gjithmonë duhet të japin, duhet të kenë patjetër simptomat e para të afrimit të një krize globale. Ju mund të thoni që as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kishin parashikuar një gjë të tillë. Gjithsesi, mund të themi që çdo institucion duhet të jetë i orientuar, i azhornuar në kohën e duhur. Dhe meqënëse kjo krizë ka trokitur në vendet më të fuqishme, ne urojmë që Shqipërinë ta prekë sa më pak, ta prekë sa më pak dhe sinjalet që vijnë nga institucionet tona janë të tilla që, deri tani, për shkak edhe të specifikave që ka Shqipëria, meqënëse Shqipëria nuk e ka institucionin e bursës,
Gazetari: Dhe nuk është aq shumë e integruar në të.
Presidenti Topi: Nuk është shumë e integruar, se ndonjëherë mosmarrja pjesë në infrastrukturat e sofistikuara…
Gazetari: Është si puna e teknologjisë primitive të verës, ajo po kthehet në modë?
Presidenti Topi: Nejse. Nuk besoj që kjo të jetë një tregues i mirë që Shqipëria nuk e ka bursën, por në rastin konkret, ka efekt pozitiv, sepse nuk do të jetë shumë influente besoj, në ekonominë shqiptare.
Gazetari: Zoti Topi, çfarë kostoje – ju kam pyetur dhe një herë – me çfarë kostoje e keni paguar postin si President i Republikës, si kosto personale, pas gati një vit e katër muaj në këtë detyrë?
Presidenti Topi: Kosto personale është që, ajo që kam shumë pak kohë personale, çka do të thotë që jeta ka ndryshuar. Ka ndryshuar në mënyrë të dukshme. Dita fillon dhe mbaron shumë shpejt. Për shkak të impenjimeve zyrtare, por edhe të takimeve të domosdoshme që të okupojnë dhe orët e pasdites, edhe të mbrëmjes, por gjithsesi, njeriu mund të punojë, por mund të gjejë edhe kohën për të mos harruar edhe pasione të tjera që kanë të bëjnë pikërisht me pasionet personale, sikurse është frekuentimi i shoqërisë, natyrisht me një frekuencë shumë më të ulët, por edhe i ambienteve të tjera, sportive dhe kulturore. Gjithsesi, është totalisht një regjim i ri jete.
Gazetari: Zoti Topi, ky vit ka qenë edhe viti i ndarjes nga babai juaj, i mirënjohuri Myrteza Topi. Si e përjetuat këtë ndarje?
Presidenti Topi: Siç mund ta përjetojë çdo njeri ndarjen nga prindi. Ai ndërroi jetë në një moshë të avancuar, 93 vjeç, por kujtoj që deri në momentet e fundit ka qenë me koshiencë të plotë. Pra, pati një fikje natyrale, por shumë e habtishme ishte që deri në momentet e fundit, ai kishte mundësi të komunikonte, qoftë me gjeste, kishte koshiencë të plotë.
Gazetari: Zoti President, gjatë vizitës që bëtë në Turqi, besoj se duhet të keni pasur dhe emocione personale, pasi, mesa më kujtohet, babai juaj është diplomuar në Turqi, në një kohë shumë të largët.
Presidenti Topi: Pata një vizitë në Unversitetin e Bosforit, që para viteve ’70 konsiderohej ose quhej ‘Robert College’, dhe natyrisht emocione shumë të veçanta, sepse preka nga afër ambientet ku ka studiuar im atë dhe sigurisht që janë emocione të natyrshme që i vijnë fëmijës për prindin, një lloj respekti, edhe për atë që ai ka bërë për familjen dhe fëmijët e tij. Unë i jam gjithmonë mirënjohës.
Gazetari: Do të rikthehemi pas pak me Presidentin e Republikës në “Top Story” në pjesën e tretë, por jo thjesht me Presidentin e Republikës, por me një pjesë të panjohur të jetës së tij.
Tashmë jo vetëm me të, por me një pjesë më saktë të njohur të jetës së tij që është pjesa tjetër e familjes kështu që ju uroj mirëseardhjen në këto minuta Zonjës së Parë, Teuta Topi, mirëmbrëma Zonja Topi!
Zonja Teuta Topi: Mirëmbrëma!
Gazetari: Si dhe dy vajzat e Presidentit të Republikës, Nada Topi dhe Etida Topi, Nada apo jo është studente në Juridik?
Nada Topi: Në vitin e katërt.
Gazetari: Ndërkohë ju Etida jeni maturante tek “Petro Nini Luarasi”, do t’ju pyes pas pak, por fillimisht për ju Zonja Topi, megjithëse është vështirë të themi kritikoni burrin në prani të tij, po si ka ndryshuar jeta juaj pasi Bamiri u bë President, nuk mund të thoni që është e njëjta, diçka ka ndryshuar?
Zonja Topi: Është hipokrizi të thuash që është e njëjta. Ka ndryshuar duke filluar që nga marrëdhëniet me njerëzit, sepse njohjet janë më të shumta, njerëzit që vijnë të të takojnë janë shumë më tepër sesa dikur. Dashur pa dashur përgjegjësitë e mia karshi tyre janë rritur, gjëra që më përpara nuk i kisha, ishin përgjegjësi thjesht ndaj familjes time, ndaj vajzave dhe ndaj bashkëshortit, ndaj rrethit familjar, por me të tjerët nuk kam patur shumë kontakte.
Gazetari: Padyshim që jeta juaj ka ndryshuar në dy aspekte, në aspektin e raportit me bashkëshortin tuaj, që me siguri e shikoni më pak apo jo?
Zonja Topi: Jo s’më duket ashtu, që e shoh më pak jam mësuar se Bamiri ka kohë që merret me politikë, kështu që unë jam mësuar dhe e dyta e kompensoj atë kohën që ai s’është pranë nesh. Më duket sikur e shoh më shumë tani.
Gazetari: E shikoni më shumë në televizor apo jo!
Zonja Topi: Jo, jo!
Gazetari: Jeta e Teuta Topit, jeta e përditshme ka ndryshuar, ka ndryshuar diçka, jeta juaj vetë?
Zonja Topi: Unë jam munduar që të ndjek atë ritëm jete, vazhdoj punë atje ku kam qenë në Ministrinë e Bujqësisë, punoj në një sector, i cili më pëlqen, kam po të njëjtat shoqe, meqënëse më jepet rasti sonte, dua t’i përshëndes, më janë gjendur shumë pranë. Jam munduar të kem po të njëjtat shoqe dhe mikesha të mia për një arsye, sepse mendoj që në këto kushte njerëzit që të afrohen, janë shumë më tepër.
Gazetari: E kuptova, që i afrohen pushtetit më shumë sesa individit?
Zonja Topi: Po, dhe jam munduar që të mbaj po të njëjtët njerëz afër meje, në mënyrë që mendimet e tyre të jenë po të njëjtat, sepse njerëzit e rinj vijnë me marrëdhënie të reja dhe jam munduar që realiteti të jetë po i njëjtë në mënyrë që ato shoqe t’i thonë gjërat drejtë, ashtu si i kanë mirë apo keq, në mënyrë që të mundohem që të mos gaboj.
Gazetari: Do të doja të bisedoja pak me vajzat, me Nadën dhe Etidën. Babai juaj më thotë që jeni nxënëse të shkëlqyera dhe me dhjeta. Unë kam vetëm një pyetje: Nada, ju keni marrë dhjeta edhe përpara se të bëhet babai juaj, President apo jo?
Nada Topi: Po, po!
Gazetari: Si ka ndryshuar, ju mbajnë pak më me hatër?
Nada Topi: Nuk di ta them, sepse me hatër nuk besoj. Normalisht nxënëset e mira privilegjohen në shkollë duke marrë pjesë në aktivitete më tepër sesa të tjerët, duke marrë më tepër informacione rreth fushës për të cilën studiojnë. Nuk besoj se është vetëm prej faktit që babi u bë President.
Gazetari: Etida, ju jeni maturante, natyrisht jeni në moshë shumë të re. Është kufizuar pak jeta jote si adoleshente për shkak të pozicionit të babait tuaj?
Etida Topi: Më shumë mendoj se kjo do të vinte jo vetëm nga unë, por dhe nga familja. Përderisa prindërit kanë mbajtur qëndrim që jeta jonë të vazhdojë ashtu si më pare, jo me kufizime të tepërta, do të thoja për pavarësisht se babai ynë sot është President, them që është po njësoj.
Gazetari: Po diçka ka ndryshuar? Do të jetë më e kufizuar!
Etida Topi: Po njësoj, në kuptimin që në gjërat që unë dëshiroj të bëj, ose në atë aktivitet që unë dëshiroj të marr pjesë, nuk e kam të ndaluar.
Gazetari: Mirë pra babai nuk është i rreptë për shkak që tashmë është bërë President, apo jo?
Etida Topi: Jo, jo, aspak!
Gazetari: Zoti President, megjithatë paraardhësit tuaj në këto poste apo dhe homologë në pozicione të tjera kanë tendencën që t’i japin më shumë vizibilitet familjes, aktiviteteve të tyre. Ju ruani një farë diskrecioni që, unë e njoh, është tradicional në familjet tiranase. Megjithatë si President i Republikës ndoshta do t’ju bëja një vërejtje që familja duhet të ishte pak më e dukshme, apo jo?
Presidenti Topi: Ne i pranojmë vërejtjet, zoti Balla, por kjo që thatë, në një farë mënyre, u konfirmua edhe nga Teuta dhe vajzat. Ka qenë preokupim i jashtëzakonshëm i orëve të para mbas zgjedhjes sime si President, që jeta e familjes nuk kishte pse të ndryshonte. Nuk ka gjë më të mirë kur njerëzit nuk kushtëzohen thellësisht nga pozicionet e reja. Është mirë që familja të bëjë jetën e vet. Që të ketë një sjellje të natyrshme, që fëmijët të mbajnë fatmirësisht të njëjtën strukturë shoqërie, të njëjtën mënyrë sjelljeje dhe ajo që unë kam kërkuar në mënyrë shumë natyrale, të painponuar është që fëmijët të mos ndryshojnë mbi natyrën e tyre. Të jenë modestë, sepse përderisa ne kemi zgjedhur të jetojmë në shtëpinë tonë, ta konsiderojmë këtë pozicion të ri si impenjim dhe jo pjesë e ndonjë privilegji, mund t’ju them që asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo nuk është për një trajtim populist, por e kemi pasur të konsoliduar këtë mendim që ne duhet të jetojmë në shtëpinë tonë, të paguajmë gjithçka sikurse të gjithë qytetarët e tjerë. Mund t’ju them që nuk kam asnjë lloj privilegji në shtëpinë time. Paguaj gjthçka vetë.
Gazetari: I paguani dhe taksat vendore, apo jo?
Presidenti Topi: Paguaj gjthçka vetë dhe jam shumë i qetë, sepse ka dhe një gjë tjetër, jo vetëm pjesë e formimit, por ka dhe një element tjetër që është shumë i rëndësishëm pasi mbaron mandati. Njerëzit i përjetojnë përfundimet e mandateve në mënyra të ndryshme. Mandati është pjesë e një angazhimi institucional. Asgjë nuk duhet të ndryshojë nëse ke një mandat e pastaj të përfundosh mandatin. Këto duhet të shkojnë në shtratin e tyre natyral. Gjërat të mos ndryshojnë dhe njeriu është mirë që edhe kur lë pozicionin, të mos ndryshojë. Është e pamundur që koha në dispozicion të të japë mundësi t’i realizosh të gjitha, por në tërësi njeriu duhet të mbesë vetvetja. Në fund fare unë kam ardhur këtu me një profil timin dhe nuk dëshiroj ta deformoj këtë profil për shkak të pozicionit, në mënyrë absolute.
Gazetari: Zoti Topi, jemi me familjen tuaj këtu në Pallatin e Brigadave. Në sfond kemi pemën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Në fakt kemi një Natë Krishtlindjesh. Në fund të këtij emisioni, cili do të ishte urimi i Bamir Topit dhe i familjes Topi për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë Natë Krishtlindjesh, por në përgjithësi dhe për vitin 2009, një vit shumë i rëndësishëm, apo jo?
Presidenti Topi: Urimi i parë u shkon besimtarëve të krishterë. Është dita e tyre. Është nata e tyre. Është Nata e Krishtlindjeve dhe u uroj që këtë ditë ta kenë kaluar më së miri! Uroj që të jetë një ditë e rikonsiderimit të një jete të begatë dhe mesazhin e paqes të tolerancës pikërisht me atë mesazh, që ka sjellë edhe Krishti në momentin e ardhjes së tij në këtë jetë, dhe në të gjithë kuptimin që ka kjo festë. Natyrisht urimi tjetër është, meqënëse jemi në pragun e festës së Vitit të Ri, për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë, në të gjitha viset në Diasporë, që të jetë një vit i begatë në radhë të parë, një vit i shëndetshëm për ta dhe familjet kudo ku janë dhe e dyta, të jetë një vit, kur shqiptarët do të prekin ngjarje të tjera shumë të rëndësishme, që në një farë mënyre do të përcaktojnë pozitivisht dhe të ardhmen e tyre në territoret e veta, por besoj duke qenë edhe pjesë e realizimit të ëndrrës të integrimit euroatlantik!
Gazetari: Zoti President, faleminderit që ishit në “Top Story” sonte! Falenderoj zonjën Topi dhe dy vajzat tuaja, tërë familjen tuaj për këtë prezencë të fundit për emisionin për vitin 2008!