E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit” njëzet e dy viktimat e masakrës komuniste të 26 shkurtit 1951

25 shkurt 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në një ceremoni të veçantë të zhvilluar sot në Presidencë, dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” njëzet e dy viktima të regjimit komunist, të cilët u arrestuan e më pas u pushkatuan pa gjyq për motive politike, pas bombës së hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë gjashtëdhjetë vjet më parë.

Në aktivitetin përkujtimor të organizuar me këtë rast, morën pjesë familjarë e të afërm të viktimave, drejtues dhe përfaqësues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, drejtuesi i Institutit të Integrimit të ish-të Persekutuarve dhe të Burgosurve Politikë, studiues e historianë si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Pas nderimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, zoti Aleksandër Flloko, lexoi dekretin kushtuar “Grupit të 22 intelektualëve dhe qytetarëve që u pushkatuan pa gjyq nga regjimi komunist më 26 shkurt 1951”, përkatësisht: Sabiha Kasimatit, Tefik Shehut, Pjetër Guraziut, Jonuz Kacelit, Andon Delhysës, Haki Kodrës, Gafur Jegenit, Myftar Jegenit, Manush Peshkëpisë, Reiz Selfos, Qemal Kasaruhos, Zyhdi Herrit, Gjon Temalit, Petro Konomit, Niko Lezos, Pandeli Novës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Ali Qorraliut, Fadil Dizdarit, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviçit, me motivacionin: “Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të thellë për qëndresën e pashembullt dhe papajtueshmërinë e palëkundur me idetë e regjimit komunist, të cilët shteti diktatorial i dënoi me vdekje për shkak të bindjeve dhe orientimit të tyre demokratik”.

Në emër të familjarëve dhe të të afërmëve të të dekoruarve, përshëndeti zonja Ida Gjon Temali-Ljarja, e cila theksoi: “Unë, në emër të të gjithë familjarëve të viktimave, falenderoj Presidentin e Republikës për nderin e madh që po na bën për medaljen që po u jep prindërve tanë, këtë medalje të paçmueshme “Nderi i Kombit”. Ju falenderoj me shpirt në emër të të gjithëve. Këta martirë dhanë jetën e tyre, sepse e deshën aq fort lirinë dhe kombin. Faleminderit!”

Pas dorëzimit të dekreteve përkatës, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke përkujtuar një nga ngjarjet më të rënda të krimeve të sistemit të atëhershëm diktatorial, por dhe duke nderuar kujtimin e njëzet e dy personaliteteve të shquara të kombit, theksoi: “Gjatë këtyre njëzet viteve të demokracisë kemi folur e shkruar shumë për krimet e komunizmit. Kemi njohur barbarinë e atij regjimi, urrejtjen e tij ndaj fjalës së lirë, mendimit kritik, vlerave perëndimore dhe patriotike, bindjen absurde tek modeli stalinist i qeverisjes antidemokratike. Për nga natyra e sundimit dhe sjelljes, modeli i diktaturës në Shqipëri ishte unikal, i vetmi që në marrëzinë e tij arriti deri në ndalimin e besimit në zot. Ai ishte një mekanizëm piramidal dhune, erdhi me dhunë, qëndroi me dhunë dhe sundoi me dhunë. Mijëra qytetarë të pafajshëm shqiptarë ishin viktima të tij, kryesisht familjet fisnike dhe intelektuale, familjet e mëdha dhe patriotike, institucionet e dijes dhe të besimit, pra ato segmente që përbëjnë bazën e forcës morale e shpirtërore të një shoqërie. Shkurti i vitit 1951 është prova e gjallë e këtij arbitrariteti.”

Më tej, Kreu i Shtetit shqiptar shtoi: “60 vjet më parë në Tiranë u arshivua një nga aktet më të mëdha kriminale të regjimit komunist. Përmes një aksioni të programuar politik, me lista të zgjedhura midis emrave më të njohur të elitës intelektuale, pa gjyq të rregullt, pa hetime, pa fakte dhe as dëshmitarë, brenda vetëm disa ditëve regjimi arrestoi dhe ekzekutoi kolektivisht 22 qytetarë të pafajshëm. Shumica e tyre ishte diplomuar në universitete perëndimore, ishin personalitete në profesion dhe në shoqëri dhe i përkisnin asaj pjese qytetare, e cila edhe në ditët më të vështira ruajti të paprekur integritetin dhe dinjitetin njerëzor. Faji i tyre i vetëm ishte se ata u përzgjodhën nga krerët e regjimit për t’u flijuar në emër të dashurisë së madhe midis udhëheqjes shqiptare së asaj kohe dhe udhëheqjes sovjetike. Ata u zgjodhën nga rrethe të ndryshme me synimin për të përhapur klimën e terrorit. Urdhëri erdhi nga Byroja Politike, lista erdhi nga Byroja, dënimi erdhi nga Byroja dhe gjithçka tjetër pasuese, arrestimi dhe ekzekutimi erdhi gjithashtu nga segmentet më besnike të regjimit të partisë-shtet.

Ne sot e kujtojmë 26 shkurtin për gjithçka që ajo ditë përfaqëson: vrasjen mizore të 22 qytetarëve të pafajshëm, funksionimin e një mekanizmi shtetëror dhune, diskretitimin e një udhëheqjeje antipopullore dhe antidemokratike, por edhe një nga provat më të qarta të një krimi politik në shkelje të vetë legjislacionit të kohës. Nderimi ynë shkon për ato gra e burra kurajozë, të cilët edhe sot e kësaj dite janë simbole të qëndresës njerëzore dhe të denoncimit të brutalitetit të diktaturës. Me aktin e sotëm të dekorimit, në emër të shtetit shqiptar, dëshiroj të shpreh respektin tim më të lartë për secilin prej tyre, për familjet, fëmijët dhe sakrificat e tyre të shumta. Njëherësh, dëshiroj të shpreh nderimin e thellë për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët me dinjitet dhe kurajo i rezistuan diktaturës apo u bënë viktima politike të saj.”

“Duke rikujtuar e nderuar 22 viktimat e pafajshme të shkurtit 1951, por edhe në tërësi brezat e disidencës dhe ish-të përndjekurve politikë, mendoj se shoqëria shqiptare, sidomos ata që marrin vendime në emër të saj, duhet të gjejnë forcë për të punuar pareshtur në instalimin e atyre parimeve dhe standardeve, të cilat garantojnë vizionin e një Shqipërie të zhvilluar dhe evropiane.

Ngjarje të tilla risjellin dhe apelojnë në kujtesën tonë rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor, të frymës kushtetuese dhe mentaliteteve qytetare evropiane, të vokacionit tonë perëndimor dhe të garantimit të qëndrueshëm e pa kushte të çdo të drejte dhe lirie qytetare. Historia e tranzicionit tonë na mëson se institucionet demokratike, të pavarura dhe funksionale, mbeten çelësi i suksesit dhe i zhvillimit të qëndrueshëm politik dhe integrues. Kjo ishte aspirata e atyre që kemi rikujtuar këto ditë, e atyre që nderojmë sot, dhe kam bindjen se kjo është ajo çfarë e bën rrugën tonë evropiane më të shkurtër dhe më të sigurtë.” – u shpreh Presidenti Topi në fjalën e tij me këtë rast.

Më tej, ceremonia përkujtimore vijoi me dekorimin me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, të historianit dhe studiuesit të mjaft artikujve dhe një libri kushtuar viktimave të kësaj masakre, zotit Uran Butka, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në transformimet demokratike në vend dhe për punë të jashtëzakonshme si krijues dhe studiues në rivlerësimin e ngjarjeve e të figurave historike, për rol të veçantë në procesin e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare”, si dhe me dekorimin e njërit prej pasardhësve të të ekzekutuarve të 26 shkurtit 1951, zotit Hysen Shehu, me “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në gjetjen, identifikimin dhe përkujtimin e viktimave të komunizmit”.

Zoti Uran Butka u shpreh: “Falenderoj Presidentin e Republikës për vlerësimin e lartë. Ndjehem shumë i nderuar, njëherësh dhe shumë i emocionuar, sepse dekorohem bashkë me njëzet e dy martirët, sepse jam së bashku me familjarët e tyre të nderuar në këtë ceremoni për dekorimin e tyre me titullin më të lartë ‘Nderi i Kombit’. Për njëzet vjet, duke filluar qysh nga viti 1991, unë kam qenë pjesë e tyre, pjesë e familjarëve dhe bashkë me ta, jemi përpjekur për vlerësimin historik, për lartësimin e përjetësimin e emrit dhe veprës së tyre, dhe përmes tyre edhe të vlerave të kombit.
Faleminderit, zoti President!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›