Kryeministri Berisha uron Kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi për rizgjedhjen në këtë detyrë
Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një mesazh urimi Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë detyrë.
Në këtë telegram Kryeministri Berisha shprehet:
“I nderuar zoti Thaçi,
Rizgjedhja Juaj nga Kuvendi i Kosovës në pozicionin e Kryeministrit të Kosovës më jep kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të mbarë qytetarëve të vendit tim, t’Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm përpara.
Jam thellësisht i bindur se Qeveria Juaj do të çojë më tej arritjet e rëndësishme e historike që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, dhe qytetarët e vendit Tuaj kanë shënuar gjatë kësaj periudhe. Detyrat e rëndësishme përpara Jush, qeverisë së Kosovës dhe mbarë spektrit politik të vendit Tuaj kërkojnë vazhdimin në të ardhmen të përpjekjeve të mëdha e gjithëpërfshirëse për realizimin e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, për zhvillimin ekonomik e të gjithanshëm të saj, integrimin në NATO dhe BE, si dhe konsolidimin e vendit Tuaj në një faktor edhe më të rëndësishëm të paqes e të bashkëpunimit në rajon.
Dëshiroj, me këtë rast, t’Ju risiguroj për vendosmërinë time dhe të qeverisë shqiptare për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore ndërmjet të dyja vendeve dhe bashkëpunimin më të ngushtë, në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dyja vendeve e kombit tonë dhe rrugëtimit të përbashkët euroatlantik, duke i shndërruar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në shembull të bashkëpunimit rajonal dhe faktorin shqiptar në një kontribuues aktiv e të rëndësishëm, në shërbim të konsolidimit të paqes, zhvillimit, prosperitetit e miqësisë në rajonin tonë.
Shfrytëzoj rastin për t’Ju ripohuar dëshirën dhe kënaqësinë e veçantë për t’Ju pritur, në çdo kohë të përshtatshme për Ju, në Tiranë, së bashku me sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Juaji,
Sali BERISHA”
23/02/2011