Presidenti Topi, ngushëllime për ish-Presidentin e Hungarisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi shprehu sot ngushëllimet në Ambasadën e Republikës së Hungarisë në vendin tonë, për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Hungarisë, Ferenc Madl.
Në librin e ngushëllimeve të hapur me këtë rast, kryetari i shtetit shqiptar shkruajti:
“Jam thellësisht i trishtuar për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Hungarisë, Madl. Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të sinqerta për humbjen e tij edhe në emër të popullit shqiptar! Kujtimi i presidentit Madl do të mbetet gjithnjë thellë në kujtesën e kolegëve të tij në mbarë botën si dhe në panteonin e njerëzve më të shquar të Hungarisë.”
Në këtë vizitë, presidenti Topi shoqërohej nga shefi i kabinetit, Dashamir Xhaxhiu dhe këshilltari diplomatik, Çlirim Çepani.